Borxhi i Përkatësisë

Nga Arian Galdini
Përpara se të bëhet bindje, «ne» është një vend ku njeriu shpreson të mos ketë nevojë ta meritojë çdo ditë pranimin.
Aty kërkon njerëz që do ta njohin edhe kur nuk ka çfarë t’u japë, një gjuhë ku dhimbja e tij kuptohet pa përkthim.
Një pjesë të vetes e mësojmë nga mënyra si na presin të tjerët.
Prandaj humbja e përkatësisë mund të na trembë më shumë sesa humbja e së drejtës për të menduar.
Mendimin e pathënë mund ta mbajmë me vete mes njerëzve tanë.
Fjala e thënë mund të na lërë pa njerëzit tek të cilët do të shkonim me dhimbjen që na kushtoi.
Mattias Desmeti e lidh cenueshmërinë ndaj formimit të masës me vetminë, mungesën e kuptimit, ankthin pa objekt dhe frustrimin.
Në shpjegimin e tij, rrëfimi i përbashkët i jep shqetësimit emër dhe jetës drejtim.
Njeriu gjen njerëzit që i mungonin.
Kur shpëtimin nga vetmia ia njeh asaj që besojnë së bashku, një dyshim mund t’i rrezikojë më shumë se bindjen.
Fillon të druhet se, po të mos besojë më, askush prej tyre nuk do ta njohë si të vetin.
Në fillim lë një të pavërtetë të kalojë, sepse nuk do t’i humbasë të vetët për një fjali.
Herën tjetër e korrigjon fjalinë para se ta thotë.
Me kohë, mëson edhe cilës pyetje të mos i shkojë deri në fund.
Dëshmia peshohet sipas kampit të dëshmitarit, e vërteta shpallet e parakohshme kur vjen në një kohë të papërshtatshme për tanët.
«Respekte» skadon te kundërshtimi.
Njeriun vazhdojnë ta pranojnë, për aq kohë sa ai lë jashtë gjithnjë e më shumë nga vetja.
Dikur heshtja mund t’i ketë shpëtuar punën, familjen, jetën.
Fjala e lirë e tjetrit nuk ia fshin atë rrezik.
Por nëse bashkësia është bërë autoriteti i vetëm që i njeh vlerën sakrificës, njeriu nis t’ia besojë asaj gjykimin mbi jetën që ka kaluar.
Largimi i duket sikur do t’ia bënte të kotë gjithë durimin.
Kërkon që edhe tjetri të paguajë, vuajtja e re do të dëshmonte se e vjetra kishte qenë e domosdoshme.
Vazhdon të paguajë edhe vetë, që t’i njihet ajo që ka dhënë.
Bashkësia mund t’i kërkojë kështu vitet që i kanë mbetur në emër të viteve që nuk ia kthen dot.
Sa më shumë jep, aq më të vështirë e ka të largohet.
Mund ta ketë kuptuar mashtrimin dhe ende të ketë nevojë për miratimin e atyre që e mashtruan, ata janë dëshmitarët e viteve që askush tjetër nuk ia njeh.
Pranimi i gabimit i duket si dënim i vetes së dikurshme.
Por ndershmëria me të cilën mund të ketë besuar dje mbetet e vërtetë edhe pasi bindja është rrëzuar.
Ajo nuk e shfajëson për dëmin që mund të ketë bërë, i lejon ta marrë përgjegjësinë pa qenë i detyruar të mbrojë gabimin për të shpëtuar vlerën e gjithë jetës së vetë.
Vuajtja e tij nuk ka nevojë për vuajtjen e dikujt tjetër që të meritojë dhembshuri.
E shkuara ka çfarë t’i kërkojë ndërgjegjes, nuk fiton për këtë arsye të drejtën t’ia sundojë të ardhmen.
Edhe një e mirë e vërtetë mund të përdoret për ta kërkuar këtë sundim.
Njeriu vihet përballë një zgjedhjeje mizore, të bindet ose të duket sikur mohon gjithçka ka marrë.
Mirëpo ndihma nuk bëhet e pavërtetë ditën kur kundërshtojmë atë që na e dha.
Mund ta nderojmë përjetë dhe t’ia refuzojmë pushtetin mbi ndërgjegjen tonë.
Mirënjohja e ruan të mirën në kujtesë, ai që e kërkon si bindje përpiqet ta mbajë të hapur nevojën që ndihma duhej ta kishte kapërcyer.
Njeriu është ngritur në këmbë, por ende i kërkohet të sillet sikur nuk mund të qëndrojë pa dorën që e ngriti.
Nën qeverisjen e Edi Ramës, përdorimi i burimeve publike për epërsi elektorale dhe mjegullimi i kufirit mes shtetit e partisë i kanë dhënë kësaj marrëdhënieje mjete institucionale.
Puna në administratë dhe përfitimet publike, kur paraqiten si bujari partiake, vihen në shërbim të një përmbysjeje, shteti shfaqet si bamirës i qytetarit që e mban me punën dhe taksat e veta.
E drejta mbërrin si favor, favori kërkon mirënjohje; mirënjohja thirret në zgjedhje.
Frika e humbjes mund ta bëjë qytetarin të bindet pa besuar.
Paraqitja e së drejtës si favor kërkon që ai ta quajë këtë bindje detyrim moral.
Qeverisja e Edi Ramës duhet të marrë fund.
Bashkë me të duhet të marrë fund edhe e drejta e sajuar e pushtetit për ta mbledhur këtë borxh.
Edhe zemërimi kundër saj mund të përvetësohet.
Industria e protestës e shndërron mbështetjen për një qëllim në mandat për vendime që njerëzit nuk ia kanë besuar askujt.
Prania e djeshme kërkohet si bindje e sotme.
Protestuesit i thuhet se, duke kërkuar llogari, po rrezikon gjithçka ka sakrifikuar.
Dështimi kërkon sakrificën e radhës, suksesi zgjat autoritetin e përfaqësuesit.
Asnjë rezultat nuk e mbyll llogarinë.
Dhimbja mbetet e protestuesit, ndërsa zëri kalon në pronësi të dikujt tjetër.
Kundërshtimi i Ramës nuk i jep askujt të drejtën të trashëgojë marrëdhënien e tij me qytetarin.
Një fitore që na lejon vetëm të ndërrojmë kujt i detyrohemi e vazhdon sundimin me miratimin tonë.
Bashkësitë kanë kufij.
Besimi mund të humbet, përfaqësimi të tërhiqet, rrugët të ndahen.
Por përjashtimi nga partia nuk duhet ta ndjekë njeriun te puna e te të drejtat.
As familja, as miqësia, as kombi nuk fitojnë pronësi mbi ndërgjegjen përmes asaj që i kanë dhënë.
Njeriu mund të mbetet i vetmuar edhe kur është i mbrojtur, ligji nuk ia kthen miqtë.
Nëse një ditë kthehet mes tyre, duhet të mund të sjellë edhe gjykimin me të cilin u largua.
Përndryshe, bashkësia i ka ruajtur vendin vetëm për t’i ruajtur borxhin.
Ai që kundërshton mund të ketë ambicie, interesa dhe gabime.
Fjala e tij kërkon gjykim, dinjiteti i tij nuk pret përfundimin e gjykimit.
Mund t’ia rrëzojmë argumentin pa e dëbuar nga historia që kemi jetuar bashkë.
Historia e tij me ne nuk fillon ditën kur kundërshtoi.
Ajo që ka dhënë mbetet pjesë e jetës sonë, edhe kur ai nuk na jep më të drejtë.
Dikush brenda bashkësisë duhet ta mbrojë këtë vend të kundërshtarit.
Mund të humbasë miratimin e të vetëve.
Do ta pyesin përse e mbron, kur nuk pajtohet me të, do t’i kërkojnë besnikëri pikërisht aty ku besnikëria po përdoret për ta lënë një njeri pa mbrojtje.
Dhe pasi të ketë rrezikuar për të, mund ta dëgjojë të mbrojturin ta kundërshtojë përsëri.
Atëherë do t’i vijë në mendje gjithçka që bëri për të.
Mund të ndjejë padrejtësi, madje mosmirënjohje.
Megjithatë, fjala që sapo dëgjoi është pjesë e lirisë që mbrojti.
Sakrifica e tij nuk i jep të drejtën t’ia kërkojë mbrapsht.
Pas fjalës së tij, dikush duhet të vazhdojë të thotë «ne» dhe ta ketë ende parasysh.
Arian Galdini



Comments