Hipoteka e Halloween-it

Nga Arian Galdini
Gaz Bardhi, Lapaj e Shehaj u ulën në «Opinion» të ndërtonin frontin opozitar.
Nuk kishin hedhur ende themelet dhe nisën sherrin për katet.
Një bashkim që prodhon divorc përpara fejesës, arritje shqiptare!
Sot PD shkoi «në mbështetje» të studentëve.
U prit si pronar që kërkon qiranë në shtëpinë e tjetrit.
Partia që kërkon çelësat e qeverisë nuk hyn dot në protestë pa u zënë te pragu!
Noka paralajmëroi «përgjigje një për një» ndaj «qorristave».
Qori, nga ana tjetër, nuk është as inspektori i revoltës, as doganier i studentëve.
As ai nuk ka tapi mbi sheshin.
Në vend të Ramës, palët zgjodhën njëra-tjetrën si kundërshtar!
Flamingot kërkojnë skenën.
Lapaj mikrofonin.
Shehaj tregun.
Qori portën.
PD hipotekën.
Studentëve u lënë pankartat, qytetarëve faturën.
Sot është Halloween: të gjithë kanë veshur kostumin e «shpëtimtarit të Republikës», por përmes maskës duket noterizimi i zemëratës.
Rama nuk ka nevojë ta përçajë opozitën.
Ajo e kryen shërbimin vetë, falas, me transmetim të drejtpërdrejtë.
Republika nuk është tokë e xanun.
Zemërata e qytetarëve nuk ka pronar.
Kush kërkon tapinë e saj, është Matrapaz i Zemëratës.
Nga Arian Galdini





Comments