Kundër teje….!
- Arian Galdini
- Apr 9
- 3 min read

Nga Arian Galdini
Asnjë armë e farkëtuar kundër teje nuk do t'ia dalë mbanë. Çdo gjuhë, gë ngrihet ne giyq kundër teje, do të ndeshkohet. Kjo është trashëgimia e sherbëtorëve të ZOTIT, e drejta e tyre vjen prej meje, kumton ZOTI.
Isaia 54:17
Është një lloj qetësie që nuk vjen nga rehatia.
Një lloj force që nuk buron nga muskujt, nga pushteti apo nga numrat.
Një siguri që nuk qëndron mbi armatime, mbi aleanca politike, apo mbi emra me ndikim.
Është ajo siguri e brendshme që rrjedh nga një vetëdije e thellë, pothuaj mistike, se nuk je vetëm, dhe asgjë që bëhet kundër teje nuk do të ketë fundin që të tjerët projektojnë.
“Asnjë armë e farkëtuar kundër teje nuk do t’ia dalë mbanë.”
Ky nuk është një premtim për një jetë pa luftë, por një garanci se lufta nuk do të të shkatërrojë.
Kjo ndodh sidomos kur drejtësia nuk është e jotja, por mbi ty..
Ka ditë kur gjithçka ngrihet kundër teje:
Fjalë të hidhura që të përndjekin si hije,
gojë që shpikin, shikime që paragjykojnë,
plane që tunden në errësirë kundër njeriut që nuk bën pjesë në sistem.
Kështu ndodh kur je vetëm, ose kështu duket.
Sepse në ato çaste, ajo që mbron nuk është masa jote, por burimi që të ka dhënë vetë vlerën.
“E drejta e tyre vjen prej meje.”
E vërteta, në këtë frymë, nuk është çfarë mendon turma.
Është ajo që buron nga Ai që të ka formuar.
Jo ajo që lejohet të thuhet në publik.
Por ajo që rri e shkruar në brendësinë tënde, pa u fshirë dot nga gojët që ngrihen kundër.
Dhe fjalët janë më të mprehta se shpatat, por jo më të forta se drita.
“Çdo gjuhë që ngrihet kundër teje, do të ndëshkohet.”
Jo me hakmarrje.
Jo me zemërim.
Por me fuqinë e së vërtetës që rri në heshtje, dhe flet vetëm kur është koha e saj.
Sepse e vërteta është si drita…
Nuk i kundërvihet errësirës me dhunë.
Thjesht ndriçon.
Dhe errësira largohet.
Søren Kierkegaard, filozofi i shqetësimit dhe i besimit personal, shkruante:
“Ai që është me të Vërtetën, nuk ka nevojë për turmën.”
Sepse drejtësia e vërtetë nuk varet nga votat, as nga duartrokitjet.
Ajo rrjedh nga një burim më i lartë se vetë njeriu.
Prej këndej vjen edhe trashëgimia e atyre që qëndrojnë me ndërgjegje të pastër…
Fjalët janë të qarta:
“Kjo është trashëgimia e shërbëtorëve.”
Trashëgimi nuk do të thotë pasuri, as pushtet.
Do të thotë forcë morale që nuk shuhet në breza, që mbetet si dritë në mes të natës për këdo që ecën pa kompromise.
Të jesh shërbëtor i kësaj të Drejte më të lartë, do të thotë të mos presësh drejtësi nga gjykimet e rrugës.
Të mos e kërkosh paqen në kompromiset që të bëjnë i pranueshëm në sy të botës.
Por të ecesh me kokën lart në një botë që të do përkulur, sepse ti e njeh burimin tënd.
E këtu vjen edhe fuqia që nuk trembet nga armët, sepse nuk i përket kësaj bote…
Në botën e njeriut, çdo armë farkëtohet për të thyer.
Por në botën e shpirtit, armët sado të mprehta bien në tokë kur përballen me atë që nuk mund të thyhet, me besimin e besnikërinë.
Viktor Frankl, mjek dhe i mbijetuar i Holokaustit, thoshte:
“Gjithçka mund të të merret, përveç një gjëje: liria për të zgjedhur qëndrimin tënd në çdo rrethanë.”
Të zgjedhësh të qëndrosh i drejtë, i paepur, i patundur në vlerë, edhe kur çdo gjë shkon kundër teje, kjo është forca që asnjë armë nuk mund ta mposhtë.
Këtu qëndron e vërteta e mbrojtur nga dora që të krijoi, jo nga duart që të duartrokasin.
Në një botë që ndërton armë për të kontrolluar, për të shtypur, për të shuar,
qëndron i lirë vetëm ai që nuk e lidh veten me frikën e armëve.
Qëndron i qetë vetëm ai që nuk e mat drejtësinë me pasojat e saj, por me burimin e saj.
Të jetosh nën këtë frymë është të jesh njeri i paqes në mes të luftës, i vërtetës në mes të gënjeshtrës, i dritës në mes të mjegullës.
Dhe kur vijnë fjalë kundër teje, mos u druaj.
Kur ngrihen plane, mos u tërhiq.
Kur errësira afrohet, mos u fshih.
Sepse në fund, nuk ka asnjë armë që mund të përmbysë një shpirt që ka zgjedhur të ecë drejt, i mbështetur jo mbi botën, por mbi Të, Krijuesin, që nuk të la kurrë vetëm.
Comments