top of page

Një Leksion i Hapur në Catholic University of New Spain në Florida, SHBA, me temë: “Demokracia dhe Paqja: Sfidat e Opozitarizmit në Shqipëri, Venezuelë dhe rasti i Kubës”



Kujtim i bukur.


Gjatë një Leksioni të Hapur në Catholic University of New Spain në Florida, SHBA, me temë: “Demokracia dhe Paqja: Sfidat e Opozitarizmit në Shqipëri, Venezuelë dhe rasti i Kubës”, përjetova një nga momentet më të rralla të jetës sime.


Në atë sallë ku mbajta leksionin tim, përballë meje ishin ulur liderët historikë të opozitës kubaneze anti-Kastro, burra dhe gra që prej kohës së Kennedy-t kanë luftuar, me mish e shpirt, për rrëzimin e një regjimi që u bë sinonim i shtypjes dhe izolimit.


Të flisje në praninë e tyre ishte sikur të hyje në një kapitull të historisë së gjallë, sikur të prekje me dorë atë që zakonisht e kemi parë vetëm në ekranet e filmave të Hollywood-it.


Çdo shikim i tyre mbante peshën e dekadave të burgut, të internimeve, të mërgimit dhe të betejave të humbura, por asnjëherë të braktisura.


Në të njëjtën sallë ishin edhe përfaqësues të opozitës venezueliane, të cilët sot përballen me autoritarizmin e Maduros, duke dëshmuar se diktaturat ndryshojnë në formë dhe kostum, por në thelb mbeten e njëjta plagë që shuan lirinë, varfëron shpirtin e kombit dhe helmon të ardhmen.


Në atë ambient ndjeva qartë se opozitarizmi nuk është thjesht rol politik.


Ai është një akt moral, një zgjedhje e përditshme për të mos pranuar gënjeshtrën si realitet dhe padrejtësinë si fat.


Demokracia nuk është luks, as dhuratë.


Është fryt i përpjekjes së vazhdueshme, i sakrificës dhe i gatishmërisë për të thënë “jo” edhe kur është më e vështira.


Paqja nuk është mungesë përplasjesh, por është çmimi i guximit për të ndërtuar një rend ku njeriu dhe dinjiteti i tij janë mbi gjithçka.


Duke e përjetuar këtë moment, mendova për Shqipërinë e sotme.


Për sfidat e opozitarizmit në vendin tonë, ku shpesh tundimi për të heshtur, për të pranuar status quo-në, apo për të parë interesin e ngushtë mbi idealin, bëhet shumë i madh.


Mësimi që mora në Florida është i qartë, opozita nuk është thjesht alternativë qeverisëse, por është kujtesa morale e një kombi.


Ajo është zëri që nuk lejon pushtetin të bëhet absolut, është fryma që e mban gjallë shpresën se demokracia mund të rilindë edhe kur duket e shuar.


Ashtu si kubanët që s’e harruan kurrë lirinë e munguar, dhe si venezuelianët që ende luftojnë për të ardhmen e tyre, edhe ne në Shqipëri duhet ta shohim opozitarizmin si detyrim qytetar dhe si formë të lartë patriotizmi.


Të jesh opozitar nuk do të thotë vetëm të kundërshtosh qeverinë, do të thotë të mbrosh dinjitetin e qytetarit, të ruash frymën e republikës dhe të ndërtosh një kulturë politike ku njeriu nuk është përdorues i një sistemi, por sovran i së ardhmes së vet.


Ky leksion në Florida ishte për mua një kujtesë e fuqishme se beteja për liri dhe demokraci është universale.


Dhe se Shqipëria jonë, me gjithë plagët dhe zhgënjimet e tranzicionit, nuk mund ta braktisë këtë betejë.


Përkundrazi, duhet ta çojë përpara me më shumë urtësi, me më shumë vendosmëri dhe me më shumë besim.


Dhe opozitar i dinjitetshëm mund të jesh edhe thjesht si një qytetar i zakonshëm, një askush i madh, sikundër jam unë sot…


🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱🙏

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page