top of page

LRE duhet të vazhdojë, do të vazhdojë… LRE është misioni ynë i përbashkët!

ree

Nga Kristina Nano


Anëtare e Kryesisë së LRE


Çdo brez i një kombi përballet me pyetjen themelore, a do të jemi dëshmitarë të historisë, apo krijues të saj?


Lëvizja Rinisja lindi si përgjigje ndaj kësaj pyetjeje.


Ajo nuk u shfaq si një radhë e re në partitokracinë e vjetër shqiptare, por si një thirrje e ndërgjegjes, si një zgjim i shpresës.


Që në fillesat e saj, LRE u përcaktua jo si makinë pushteti, por si mision i përbashkët.


Mision për të rikthyer të djathtën shqiptare në themelin e saj autentik, për ta rilidhur politikën me dinjitetin dhe për ta bërë besimin, jo pazarin, busull të udhës sonë.


Dorëheqja e Kryetarit themelues është një akt që në sipërfaqe mund të shihet si shkëputje, por në thelb është prova më e fortë e pjekurisë politike.


Sepse LRE nuk është një parti që rri pezull mbi një emër, por një organizëm i ndërtuar mbi doktrinë dhe mbi besëlidhje morale.


Në një vend ku politika ka mbetur peng i liderëve të përjetshëm, dorëheqja bëhet një mësim i fuqishëm: se vlerat janë më të qëndrueshme se individët, dhe se misioni është më i madh se emri.


Ky akt nuk e ndal rrugën, përkundrazi e forcon, sepse e vendos LRE në një fazë të re, atë të institucionalizimit të misionit.


Vazhdimësia nuk vjen nga një karrige, por nga forca e besimit që mban gjallë një komunitet. Dhe LRE e ka këtë besim.


Thelbi i LRE është filozofia e së djathtës humane.


E djathta që ne duam të ringrejmë nuk është një vazhdim i formave të vjetra, as një imitim i verbër i modeleve të huaja.


Është e djathta që ngrihet mbi tre shtylla të qarta:


1. Liria me përgjegjësi, sepse liria pa përgjegjësi është anarki, ndërsa përgjegjësia pa liri është tirani.


2. Dinjteti i njeriut, çdo politikë që shkel dinjitetin është e padrejtë, sado efikase të duket.

3. Besëlidhja morale, politika nuk është tregti interesash, por marrëdhënie e ndershme midis qytetarit dhe përfaqësuesit të tij.


Këto parime e bëjnë të djathtën humane një filozofi të qëndrueshme dhe një bazë për ndërtimin e një shoqërie të drejtë.


Nëse LRE ka lindur nga thirrja e shpresës, ajo duhet të qëndrojë nga fuqia e një strategjie të qartë.

Nuk mjafton vetëm idealizmi, as vetëm morali.


Duhet një vizion i shtrirë në kohë, një plan i menduar mirë që lidh filozofinë me veprimin.


Kjo strategji duhet të bazohet në tri drejtime:


• Institucionalizimi i misionit, ndërtimi i një strukture që jeton edhe përtej emrave, ku çdo anëtar është bartës i vlerave.

• Formësimi i doktrinës, kthimi i parimeve të së djathtës humane në programe konkrete për ekonomi, arsim, shëndetësi, kulturë.

• Ndërtimi i komunitetit, LRE nuk është vetëm parti, është shtëpi e shpresës për qytetarët që ndihen të përjashtuar nga politika e vjetër.


Vetëm duke i bashkuar këto tre shtylla, LRE mund të ecë nga thirrja në arritje, nga besimi në realitet.


Pse duhet të vazhdojë LRE?


Sepse misionet që lidhen me dinjitetin dhe lirinë nuk mbyllen.


Çdo brez ka nevojë për një hapësirë ku njeriu të ndihet i respektuar, ku politika të mos jetë mall për shitje, por akt i ndërgjegjes.


LRE është kjo hapësirë.


Vazhdimësia e saj nuk është zgjedhje e një grupi njerëzish, është domosdoshmëri e një shoqërie që kërkon një udhë të re.


Në këtë kuptim, LRE nuk është vetëm parti, por metaforë e ringritjes kombëtare.


LRE duhet të vazhdojë, do të vazhdojë, sepse është mision i përbashkët.


Nuk është pronë e një individi, as platformë e një interesi të përkohshëm.


Është shtëpi e vlerave, shkollë e karakterit dhe dëshmi se e djathta humane mund të ngrihet mbi truallin shqiptar.


Shpresa ndezi lindjen.


Besimi do të garantojë vazhdimësinë.


Dhe filozofia e së djathtës humane do të bëjë që ky mision të mos shuhet kurrë. Sepse sa kohë që ekziston një brez i etur për liri, dinjitet dhe besëlidhje, LRE do të jetë aty, si dëshmi, si udhë, si mision i përbashkët i gjithë shqiptarëve që besojnë se politika mund të jetë vend i moralit dhe jo i pazareve.


Kristina Nano


Anëtare e Kryesisë së LRE

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page