Nëse unë rikthehem…

Nga Arian Galdini
Nëse unë rikthehem, më kthen dëshira për të shërbyer.
Do të marr përsipër ndërtimin e një alternative për njerëzit që kanë çfarë t’i japin Shqipërisë dhe ende nuk gjejnë si ta bëjnë.
Do të vë në këtë punë përvojën time, kohën dhe përgjegjësinë për të qëndruar edhe kur premtimi të bëhet barrë.
Rinisja është e vogël, e mohuar, me pak fuqi.
Këtë gjendje e njoh.
Nuk pranoj ta trashëgojmë si bindje se përpjekja jonë është e kotë.
Një vend humbet edhe atë që njerëzit e tij nuk guxojnë më të provojnë.
Do të punoj që Rinisja të bëhet vendtakim i aftësive që sot nuk e gjejnë njëra-tjetrën.
Dija e dikujt të hapë një mundësi për dikë tjetër, një ide të gjejë njerëzit që mund ta vënë në provë.
Nga kjo punë mund të lindin sipërmarrje, dije dhe bashkëpunime që e pasurojnë vendin.
Do t’i mbrojmë nga pushteti që kërkon pjesën e vetë në atë që nuk e krijoi.
Revolucioni ynë i Vogël do të nisë me njerëz që organizohen për të ndryshuar atë që veçmas e duronin.
Do të kërkojmë që fjala e tyre të hyjë në vendim përpara se jeta e tyre të mbartë pasojën.
Edhe një bashkësi e vogël mund ta detyrojë autoritetin të përballet me pyetjen që e shpërfillte kur vinte nga një njeri i vetëm.
Shqipërinë që dua e shoh te prindi që i lë fëmijës frytin e punës, pa i lënë edhe frikën që e shoqëroi.
Prona e ligjshme të japë pavarësi, dija të hapë rrugë përtej mundësive të prejardhjes.
Shqiptarizmi më lidh me një atdhe ku brezat vazhdojnë punën e njëri-tjetrit dhe mbeten të lirë të zgjedhin jetën e tyre.
Edhe ai që nuk mund të punojë ka të njëjtën vlerë.
Përkujdesja mund t’i nevojitet gjithë jetën.
Ndërgjegjja mbetet e tija.
Për këtë të Djathtë të Dinjitetit do të luftoj.
Ju ftoj edhe ju që jeni larguar.
Sillni çfarë mbeti pa u dëgjuar.
Dua ta ndërtojmë punën e ardhshme edhe me atë që përvoja juaj na mëson të shohim ndryshe.
Nëse anëtarët ma besojnë sërish drejtimin me votën e tyre, do t’i kushtohem kësaj alternative dhe do të përgjigjem për punën time.
Rikthimi im merr kuptim në një Shqipëri ku njerëzit mund ta duan atdheun edhe për jetën që arrijnë të ndërtojnë në të.
Arian Galdini



Comments