top of page

Pjesa 3: Kapitullimi Demografik


Republika që plaket nën të njëjtin pushtet


Nga Arian Galdini


Republikat nuk plaken vetëm në regjistrat e gjendjes civile.


Plaket edhe mënyra si shpërndahet koha politike brenda tyre, kush mbetet për të votuar sot, kush largohet, kush financon shtetin, kush do të jetojë më gjatë me pasojat e vendimeve të tij dhe, mbi të gjitha, sa prej qytetarëve që mbeten zotërojnë ende fuqinë materiale për t’i thënë qeverisë “jo” pa e paguar atë fjalë me jetesën e tyre.


Kjo është Shqipëria që duhet parë tani.


Mosha e madhe nuk është problem demokratik.


Pensionisti nuk i përket qeverisë, pensioni nuk është lëmoshë e Kryeministrit, ndihma ekonomike nuk është pronë e partisë, paga e nëpunësit shpërblen një shërbim ndaj Republikës.


Pikërisht sepse këto janë të drejta, pushteti duhet të qëndrojë sa më larg prej tundimit për t’u vendosur emrin e vet.


Censi i vitit 2023 gjeti një Shqipëri dukshëm më të moshuar se ajo e vitit 2011.


Personat 65 vjeç e sipër përbënin rreth një të pestën e popullsisë, nga afërsisht 11 për qind dymbëdhjetë vjet më parë, mosha mesatare ishte ngritur nga 35.3 në 42.5 vjeç dhe raporti i varësisë së të moshuarve nga 16.7 në 30.4 për qind.


Në Gjirokastër ky raport kishte arritur 46.1 për qind.


Ky nuk është thjesht ndryshim demografik.


Është ndryshim i raportit të Shqipërisë me kohën.


Një tridhjetëvjeçar dhe një shtatëdhjetëvjeçar kanë saktësisht të njëjtin dinjitet politik.


Asnjëri nuk zotëron më shumë Republikë se tjetri.


As mosha nuk përcakton vetvetiu horizontin politik të njeriut, një gjysh mund të votojë për jetën e nipit pas njëzet vjetësh, ndërsa një i ri mund të zgjedhë përfitimin e sotëm.


Ndryshimi që duhet parë është strukturor.


Kur moshat aktive hollohen, kur raporti ndërmjet kontribuesve dhe përfituesve ndryshon dhe kur një pjesë e atyre që do të mbajnë barrën më të gjatë të vendimeve jetojnë jashtë territorit, ndryshon edhe mënyra si koha përfaqësohet në politikë.


Demokracia duhet ta përfaqësojë të tashmen pa konfiskuar të ardhmen.


Rreziku lind kur brezat që do të financojnë, rinovojnë dhe trashëgojnë shtetin pakësohen, ndërsa politika fiton nxitje të forta për ta shtyrë koston e vendimeve përtej horizontit të mandatit.


Atëherë çështja nuk është se një moshë voton “gabim”, çështja është nëse një sistem që plaket dhe humbet një pjesë të brezave aktivë ruan ende disiplinën për të mos konsumuar nesër atë që i duhet për të qetësuar sot.


Banka Botërore e bën këtë horizont edhe më të mprehtë, vetëm rreth 46 për qind e popullsisë shqiptare në moshë pune kontribuon në sistemin e pensioneve, pensionet dhe transfertat marrin më shumë se një të tretën e buxhetit dhe, në skenarin që përfshin migracionin, deri në vitin 2060 rreth 34 për qind e shqiptarëve mund të jenë mbi moshën e pensionit.


Pyetja që lind prej këtyre shifrave nuk është se si votojnë të moshuarit.


Është shumë më e rëndë, çfarë i ndodh një demokracie kur shoqëria që voton sot plaket më shpejt se shoqëria që duhet ta financojë, rinovojë dhe trashëgojë nesër?


Në fund të vitit 2024, Instituti i Sigurimeve Shoqërore regjistronte 721,398 pensione në pagesë, prej të cilave 607,567 pensione pleqërie.


Këto shifra nuk janë vota dhe do të ishte fyerje ndaj qytetarit t’i trajtonim si të tilla.


Ato tregojnë, megjithatë, përmasën e një marrëdhënieje që në një Republikë të shëndetshme duhet të jetë krejtësisht impersonale, shteti administron një të drejtë të fituar dhe qytetari nuk i detyrohet politikisht askujt për marrjen e saj.


Këtu Edi Rama nuk mund të fshihet pas semantikës.


Pas trembëdhjetë vjetësh në krye të qeverisë, ai nuk administron vetëm buxhetin e një viti.


Për më shumë se një dekadë ka pasur në dorë gjuhën publike me të cilën pensioni, bonusi, subvencioni, investimi dhe çdo shpërndarje tjetër shtetërore u janë paraqitur qytetarëve.


Një qeverisje vërtet republikane do të punonte kundër interesit të vetë elektoral, do ta bënte pensionin aq automatik, aq juridikisht të sigurt dhe aq të shkëputur nga figura e Kryeministrit, sa qytetari ta marrë paradite dhe pasdite të votojë për largimin e qeverisë pa ndjerë as mirënjohje politike, as frikë, as borxh.


Sa më e brishtë të jetë gjendja ekonomike e njeriut, aq më e fortë duhet të jetë mbrojtja e jetesës së tij nga interesi partiak.


Kjo vlen edhe për varfërinë.


Raporti vjetor i Shërbimit Social Shtetëror për vitin 2025 jep mesatarisht 50,600 familje ose individë përfitues të Ndihmës Ekonomike, që përfshinin rreth 181 mijë njerëz.


Skema përdor një formulë të pikëzuar, verifikim elektronik dhe parashikon rrugë ankimi.


Pikërisht këtu duhet ndarë shteti social nga klientelizmi.


Një ndihmë që buron nga ligji, jepet sipas kriterit, arsyetohet, ankimohet dhe nuk kërkon ndërmjetës politik mund t’ia shtojë lirinë një familjeje.


I jep mundësinë të mos varet nga bamirësia private, punëdhënësi arbitrar apo deputeti i zonës.


Por sa herë qytetari beson se për të marrë atë që ligji ia njeh duhet një njohje, një telefonatë, një ndërhyrje ose një marrëdhënie me pushtetin, e njëjta mbështetje sociale ndryshon natyrë politike.


Problemi nuk është qytetari që merr nga shteti.


Është qytetari që ka arsye të mendojë se shteti mund t’ia kushtëzojë jetën sipas marrëdhënies së tij me pushtetin.


Kjo është Shqipëria që duhet matur, jo një “elektorat i varur”, kategori e trashë dhe fyese, por shkalla e ekspozimit të qytetarit ndaj diskrecionit.


Ekspozimi demokratik fillon aty ku konflikti me qeverinë mund të prekë kushtet materiale të jetës dhe njeriu zotëron shumë pak rrugë të besueshme jashtë fuqisë që po kundërshton.


Një pensionist me pronë të sigurt, kursime, familje të pavarur dhe të drejtë të garantuar mund të jetë pothuaj i paprekshëm politikisht.


Një sipërmarrës milioner, pasuria e të cilit varet nga leje, kontrata, plane zhvillimi dhe vendime administrative, mund të jetë shumë më i cenueshëm.


Liria nuk matet me të ardhurat.


Matet edhe me çfarë mund të humbasësh pasi thua “jo”.


Administrata publike e bën këtë provë të pamundur për t’u shmangur.


Projektbuxheti 2025 planifikonte 86,314 punonjës buxhetorë qendrorë, kjo shifër nuk përfaqëson të gjithë sektorin publik dhe, edhe më pak, një trup elektoral.


Nëpunësi i shtetit nuk është pronë politike e qeverisë.


Përkundrazi, fakti që paga e tij vjen nga buxheti e ngarkon qeverinë me detyrimin më të fortë për ta mbrojtur nga partia.


Pikërisht këtë standard Shqipëria nuk ka arritur ta mbyllë.


ODIHR-i konstatoi për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 se ato ishin konkurruese dhe profesionalisht të administruara, por garuesit nuk patën kushte të barabarta, raporti dokumentoi raste intimidimi, keqpërdorim të burimeve publike dhe presion mbi punonjësit publikë.


Vëzhguesit ndërkombëtarë folën menjëherë pas zgjedhjeve për përdorim të gjerë të burimeve publike dhe fuqisë institucionale nga partia qeverisëse.


Ky nuk është incident pa histori.


Shqetësime për presion mbi sektorin publik dhe përdorimin e burimeve shtetërore janë shfaqur edhe në ciklet e mëparshme zgjedhore, përfshirë zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe vendoret e vitit 2023.


Këtu mbaron alibia e trashëgimisë.


Edi Rama mund të kishte thënë në vitin 2013 se gjeti një administratë të politizuar.


Mund të kishte thënë se gjeti institucione të dobëta, ekonomi informale, varfëri, emigrim dhe një kulturë të vjetër ndërmjetësimi.


Në vitin e trembëdhjetë të pushtetit të tij, vazhdimësia e këtyre dukurive nuk është më vetëm histori shqiptare.


Është pjesë e historisë së tij.


Koha ia konsumon pushtetit të drejtën për ta paraqitur strukturën që administron si fat të trashëguar.


Kapitullimi Demokratik nuk kërkon që pensionisti të votojë Ramën, që familja e varfër t’i jetë mirënjohëse apo që nëpunësi të bindet.


Mjafton një ndryshim shumë më i hollë dhe më i rrezikshëm, shoqëria të ketë gjithnjë e më pak vende ku qytetari mund të humbasë favorin e qeverisë pa humbur bashkë me të sigurinë ekonomike.


Këtu hyn ekonomia private.


Në vitin 2024, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbënin 99.9 për qind të ndërmarrjeve aktive, 82 për qind të punësimit dhe 78.1 për qind të vlerës së shtuar, në fund të vitit 2025, INSTAT regjistronte 137,892 ndërmarrje aktive, 4.3 për qind më shumë se një vit më parë.


Por demokracia nuk jeton nga numri i NIPT-eve.


Pyetja është çfarë lloj pavarësie prodhon ekonomia.


Rëndësi ka shumësia reale e punëdhënësve, klientëve, burimeve të kapitalit, tregjeve dhe rrugëve profesionale që ekzistojnë për qytetarin.


Një firmë e regjistruar nuk përbën vetvetiu dalje nga diskrecioni, as një ekonomi e mbushur me mikrostruktura të brishta nuk garanton pluralizëm ekonomik, nëse puna, kontrata, leja dhe mundësia përqendrohen pranë pak qendrave vendimmarrëse.


Një ekonomi me shumë ndërmarrje mund të ketë ende pak dalje reale nëse aktiviteti është tepër i brishtë, punësimi përqendrohet, tregu varet nga pak blerës ose shteti mbetet portë e rëndësishme drejt kontratës, lejes dhe mundësisë.


Prandaj biznesi i vogël është edhe institucion demokratik, jo për shkak të ndonjë virtyti politik të sipërmarrësit, por sepse shpërndarja e pronës, klientëve, punëdhënësve dhe burimeve të jetesës shpërndan njëkohësisht fuqinë për t’i mbijetuar konfliktit.


Një vend me shumë qendra ekonomike u jep qytetarëve më shumë vende ku mund të qëndrojnë në këmbë.


Një vend ku mundësia përqendrohet pranë një qendre politike i bën edhe njerëzit e pasur më të kujdesshëm përballë saj.


Në Shqipërinë e vitit 2026, ky problem po fiton edhe një dimension tjetër.


Vetë Partia Socialiste ka paraqitur publikisht BESA-n, Praninë Besnike, PasqyrAlbania dhe Radar-in si pjesë të një modeli të ri të marrëdhënies me qytetarin dhe shtetin, në përshkrimin e saj, shqetësimet e qytetarëve mund të regjistrohen, të përcillen përmes deputetëve drejt institucioneve dhe të ndiqen deri te përgjigjja, ndërsa “Radar” përshkruhet si instrument për të lexuar sinjalet e botës digjitale dhe dinamikat territoriale.


Nuk ekziston sot provë publike që më lejon të them se këto sisteme bashkojnë në mënyrë të paligjshme të dhënat partiake me ato shtetërore, se profilizojnë votuesit apo se përbëjnë survejim politik.


Akuza serioze nuk ka nevojë ta shpikë atë provë.


Ajo ka nevojë për një përgjigje shumë më të vështirë:


Ku është muri?


Ku është ndarja juridike, teknike dhe institucionale midis partisë që mëson hallin e qytetarit dhe shtetit që zotëron kompetencë mbi hallin e tij?


Në një vend ku ODIHR-i vazhdon të dokumentojë përdorim të burimeve publike dhe presion mbi punonjës shtetërorë, ky nuk është dyshim paranojak.


Është detyrim demokratik.


Sa më shumë informacion të përqendrojë teknologjia, aq më e provueshme duhet të jetë ndarja e pushteteve mbi atë informacion.


Qytetari duhet të dijë kush mbledh të dhënat e tij, për çfarë qëllimi përdoren, sa ruhen, kush ka akses dhe çfarë ndalese të pakalueshme ekziston ndaj përdorimit politik të informacionit administrativ.


Në shtetin e lirë, digjitalizimi duhet ta zvogëlojë nevojën për ndërmjetësim politik.


Nëse halli i qytetarit duhet të kalojë përmes deputetit që të mbërrijë te institucioni, teknologjia nuk e ka zhdukur ndërmjetësin, rrezikon vetëm t’i ketë dhënë një ndërfaqe më elegante.


Për një parti që qeveris prej trembëdhjetë vjetësh, kjo pyetje bëhet edhe më e rëndë.


Afërsia midis partisë, deputetit, nevojës individuale dhe institucionit publik nuk mund të mbështetet mbi formulën “na besoni”.


Sa më e madhe fuqia teknike, aq më i lartë duhet muri ndërmjet partisë dhe shtetit.


Përndryshe patronazhimi i djeshëm, që kishte nevojë për njeriun që dinte kë të telefononte, mund të gjejë një formë më të sofistikuar, pushteti që di paraprakisht kush ka hall, çfarë kërkon, ku jeton dhe përmes kujt po pret përgjigje.


Kjo nuk është akuzë se një sistem i tillë ekziston sot.


Është arsyeja pse duhet provuar se nuk mund të ekzistojë nesër.


Shoqëria plaket.


Brezat aktivë pakësohen dhe një pjesë e tyre largohet.


Ekonomia duhet të prodhojë mjaftueshëm qendra të pavarura që qytetari të mos mbetet i ekspozuar ndaj një dere të vetme.


Shteti administron një pjesë të madhe të të ardhurave, punësimit, lejeve, kontratave dhe të drejtave.


Teknologjia rrit fuqinë për të njohur nevojën individuale.


Ndërsa mbi të gjitha qëndron i njëjti pushtet politik prej vitit 2013.


Asnjë prej këtyre fakteve, i marrë vetëm, nuk provon Kapitullim Demokratik.


Bashkimi i tyre është ajo që duhet hetuar.


Nëse një shoqëri më e moshuar dhe më e rralluar në brezat aktivë ruan prona të sigurta, administratë impersonale, ekonomi të shpërndarë, gjykata funksionale, qytete të forta, të dhëna të mbrojtura dhe shumë rrugë profesionale jashtë shtetit, plakja mbetet problem demografik dhe fiskal. Republika mund të vazhdojë të jetë plotësisht e aftë ta ndëshkojë qeverinë.


Nëse ndodh e kundërta, demografia fillon të ndryshojë raportin e fuqisë.


Jo duke urdhëruar votën, as duke prodhuar automatikisht bindje politike, por duke ndryshuar kushtet nën të cilat bindja kundërshtohet.


Një shoqëri mund të ruajë të gjitha liritë formale dhe, megjithatë, t’i bëjë ato më të kushtueshme për t’u ushtruar, mund të ketë pluralizëm në fletën e votimit dhe më pak pluralizëm në vendet ku njeriu fiton bukën, merr vendim, ndërton reputacion, gjen mbrojtje ose siguron të ardhmen e familjes së vetë.


Pabarazia politike nuk matet vetëm me atë që qeveria zotëron, por edhe me atë që qytetari nuk zotëron më jashtë saj.


Ky është kuptimi i ekspozimit demokratik.


Ai nuk tregon për kë voton njeriu.


Tregon sa i kushton të mos pajtohet.


Prej këtij dallimi varet kalimi nga Kapitullimi Demokratik te Kapitullimi Elektoral, sepse një pushtet nuk bëhet më i fortë vetëm kur bind më shumë njerëz.


Mund të bëhet më rezistent edhe kur shoqëria që duhet ta ndëshkojë ka më pak mundësi për ta shndërruar pakënaqësinë në veprim, organizim, financim, autoritet dhe, në fund, qeverisje tjetër.


Kjo është prova që Shqipëria ende duhet ta kalojë.


Nëse një përkeqësim i krahasueshëm i qeverisjes prodhon të njëjtën shkallë ndëshkimi kudo, pavarësisht nga sa e ekspozuar është jeta ekonomike e qytetarit ndaj diskrecionit, hallka elektorale e teorisë dobësohet.


Nëse, përkundrazi, i njëjti dështim kushton më pak politikisht aty ku ka më pak punëdhënës alternativë, më pak autonomi profesionale, më pak mbrojtje nga ndërmjetësimi dhe më pak qendra të pavarura autoriteti, cenueshmëria e shoqërisë ka filluar të kthehet në qëndrueshmëri të pushtetit.


Kjo është marrëdhënia që duhet provuar, jo sa njerëz janë të pakënaqur, por sa fuqi politike prodhon pakënaqësia e tyre, jo sa qytetarë dëshirojnë ndryshim, por çfarë duhet të rrezikojnë që ndryshimi të bëhet i mundshëm.


Në një Republikë të aftë për vetëkorrigjim, dështimi duhet të çlirojë rrugë.


Duhet të zhvendosë besimin, të tërheqë kapital drejt një mundësie tjetër, t’u japë kurajë profesionistëve, t’i bindë qytetet se pushteti mund të ndryshojë dhe t’i tregojë administratës se shteti do të ekzistojë edhe pasi të largohet shumica që qeveris.


Në një Republikë të ekspozuar, reagimi mund të jetë tjetër.


Njeriu zemërohet dhe ikën, sipërmarrësi llogarit koston e konfliktit, nëpunësi e njeh padrejtësinë, por njeh edhe përgjegjësinë ndaj familjes, profesionisti kërkon një treg tjetër, qyteti humbet një tjetër njeri që mund të kishte qenë burim autoriteti.


Pakënaqësia mbetet, por aftësia për ta grumbulluar atë në kapacitet qeverisës dobësohet.


Atëherë dështimi politik humbet një pjesë të fuqisë së vet demokratike.


Dhe aty duhet vendosur Edi Rama.


Jo si shpjegim magjik i çdo largimi, i çdo varfërie, i çdo frike apo i çdo dështimi individual.


Një akuzë e tillë do ta ulte teorinë dhe do t’i dhuronte Kryeministrit një kundërshtar të lehtë.


Rama duhet vendosur aty ku trembëdhjetë vjet pushtet e bëjnë përgjegjësinë e tij të pakthyeshme, te struktura që ka pasur kohë të ndryshojë.


Një mandat mund të trashëgojë.


Dy mandate mund ende të përballen me inerci.


Katër mandate prodhojnë epokë.


Dhe një epokë gjykohet jo vetëm nga veprat që inauguron, por nga marrëdhëniet që lë pas midis qytetarit dhe shtetit, punës dhe partisë, pronës dhe administratës, kapitalit dhe favorizimit, informacionit dhe pushtetit.


Pas trembëdhjetë vjetësh, Edi Rama nuk është më thjesht njeriu që qeveris brenda terrenit shqiptar.


Është një nga autorët kryesorë politikë të terrenit shqiptar.


Prandaj pyetja ndaj tij nuk mund të mbarojë me inventarin e investimeve.


Edhe sikur t’i pranohej çdo rrugë, çdo aeroport, çdo turist, çdo rritje page, çdo shërbim elektronik dhe çdo investim si sukses i tij, gjyqi republikan do të mbetej ende i hapur, çfarë ka ndodhur me fuqinë e qytetarit për të jetuar politikisht kundër tij?


Siguria e pronës përballë administratës, liria e profesionit nga ndërmjetësimi, mbrojtja e nëpunësit ndaj eprorit politik, shumëllojshmëria e burimeve ekonomike dhe aftësia e qyteteve për të prodhuar autoritet jashtë qendrës nuk janë shtojca të bilancit ekonomik.


Janë përmbajtja materiale e lirisë republikane.


Liria nuk provohet vetëm kur pushteti nuk të arreston për mendimin.


Provohet edhe kur jeta jote nuk është ndërtuar në mënyrë të tillë që mendimi i lirë të bëhet luks ekonomik.


Në këtë pikë fitorja e katërt e Ramës humbet aftësinë për të qenë përgjigjja për gjithçka.


Ai ka fituar.


Pikërisht për këtë duhet pyetur më fort se çfarë lloj terreni ka prodhuar ajo jetëgjatësi.


Sa prej saj është meritë e një qeverisjeje që një shoqëri e lirë ka zgjedhur përsëri dhe sa, nëse ka një pjesë të tillë, lidhet me një mjedis ku kostoja e prodhimit të kundërshtimit është bërë më e lartë?


Kjo pyetje nuk ia mohon asnjë votë.


Ia mohon vetëm të drejtën për ta përdorur votën si certifikatë se Republika ka mbetur po aq e aftë ta largojë sa ishte në gjendje ta zgjidhte.


Një pushtet i gjatë mund të jetë dëshmi e një demokracie të fortë, nëse shoqëria që e rizgjedh ka çdo mundësi reale për ta rrëzuar dhe thjesht zgjedh të mos e bëjë.


Por jetëgjatësia merr kuptim tjetër kur pushteti që fiton administron njëkohësisht një shtet ku vëzhguesit ndërkombëtarë vazhdojnë të dokumentojnë pabarazi të garës, përdorim të burimeve publike dhe presion mbi punonjës shtetërorë, ndërsa vendi plaket, rrallohet në moshat aktive dhe duhet ende të provojë sa të pavarura janë rrugët ekonomike prej qendrës politike.


Ky bashkim nuk dëshmon ende Kapitullimin Elektoral.


E bën, megjithatë, të papranueshme refuzimin për ta hetuar.


Vitet 2027, 2029 e më tej nuk duhet të trajtohen si profeci, as si data në kalendarin e një opozite që pret radhën.


Duhet të jenë pika prove për Republikën.


Shqipëria që do të hyjë në ato vite zgjedhore do të ketë një strukturë tjetër moshe nga ajo e vitit 2013.


Breza të rinj do të kenë hyrë në moshën e pensionit, të tjerë do të kenë emigruar, disa do të jenë kthyer, qytete do të kenë humbur ose fituar njerëz, ndërmarrje do të jenë hapur, mbyllur, rritur apo tkurrur.


Një projeksion serioz duhet t’i trajtojë këto si intervale dhe skenarë, jo si fat.


Prova politike, sidoqoftë, mund të formulohet që tani.


Nëse vit pas viti rritet pesha relative e moshave të pensionit ndërsa hollimi i moshave aktive vazhdon, nëse autonomia ekonomike jashtë qendrës nuk zgjerohet, nëse qytetari mbetet materialisht i ekspozuar, nëse ndarja parti - shtet vazhdon të kërkojë vërejtje nga vëzhguesit zgjedhorë, dhe nëse, për dështime të krahasueshme, pushteti humbet gjithnjë e më pak cenueshmëri, atëherë Shqipëria nuk do të ketë vetëm një qeveri të aftë për të mbijetuar.


Do të kemi përballë një mekanizëm që prodhon mbijetesë politike nga dobësia e mjedisit që duhet ta ndëshkojë.


Kapitullimi Elektoral nuk është vota e të moshuarit.


Është çasti kur koha demografike ndryshon strukturën e fuqisë dhe politika mëson të jetojë me këtë ndryshim.


Nuk është pagesa që jep shteti, por humbja e distancës ndërmjet së drejtës dhe vullnetit të atij që e administron.


Nuk është nevoja e qytetarit, por mundësia që nevoja të kthehet në ndërmjetësim ose ndikim.


Nuk është vetë ekzistenca e kompanive, por dështimi i shumësisë së tyre për të krijuar rrugë reale pavarësie.


Dhe mbi të gjitha, nuk kërkon domosdoshmërisht që qeveria të marrë më shumë fuqi.


Mund të mjaftojë që shoqëria të humbasë fuqi për t’ia marrë.


Rreziku për demokracinë nuk matet vetëm me fuqinë që fiton qeveria.


Matet edhe me fuqinë që humbet shoqëria për t’ia marrë.


Kjo është pika ku Kapitullimi Demografik prek një të vërtetë më të gjerë, pushteti nuk bëhet i pakorrigjueshëm vetëm duke shembur institucionet nga lart.


Mund të fitojë rezistencë edhe kur poshtë tij hollohen, largohen ose bëhen më të cenueshme burimet njerëzore e materiale që do ta detyronin të korrigjohej.


Për këtë arsye Edi Rama nuk mund të dalë nga gjyqi duke treguar vetëm kutinë e votimit.


Kutia mat rezultatin.


Nuk mat çmimin e kundërshtimit që e parapriu.


Nuk mat profesionistin që nuk hyri në jetën publike sepse kostoja iu duk e papërballueshme, sipërmarrësin që nuk financoi dot një zë kundërshtues, nëpunësin që mund të votojë fshehtas, por nuk ndihet po aq i lirë të kundërshtojë hapur, qytetin që humbi njerëzit prej të cilëve mund të lindte një autoritet tjetër, familjen që nuk mendon se vota e saj kontrollohet, por e di se një konflikt i hapur me pushtetin mund t’i kushtojë më shumë sesa ka mundësi të përballojë.


Demokracia është më shumë se fshehtësia e kabinës.


Është mundësia që njeriu të hyjë në atë kabinë pasi ka jetuar katër vjet si qytetar, jo si subjekt i një sistemi marrëdhëniesh ku pushteti mund t’i prekë të ardhurat, karrierën, pronën, tregun, shërbimin ose të ardhmen e familjes.


Trembëdhjetë vjet pushtet e bëjnë këtë provë të pamëshirshme.


Edi Rama ka pasur më shumë se një dekadë për ta bërë shtetin më të madh se partia, administratën më të fortë se urdhri politik, të drejtën sociale më impersonale se propaganda, ekonominë më të gjerë se favorizimi, qytetin më të aftë se qendra dhe teknologjinë mjet për ta çliruar qytetarin nga ndërmjetësi, jo për t’i dhënë ndërmjetësimit një formë më të rafinuar.


Mbi të gjitha, ka pasur kohë për ta bërë Shqipërinë një vend ku pushteti paguan më shumë kur dështon, jo një vend ku mëson ta përballojë më lirë dështimin.


Pas trembëdhjetë vjetësh, koha nuk është më rrethanë lehtësuese.


Është provë.


Nëse qytetari shqiptar ka sot më shumë rrugë për të jetuar, punuar, mbrojtur pronën, organizuar kundërshtimin dhe ndërtuar autoritet jashtë vullnetit të qeverisë, kjo duhet t’i njihet edhe Edi Ramës.


Por nëse këto rrugë janë holluar, nëse terreni elektoral vazhdon të mbajë pabarazi të dokumentuara, nëse brezat aktivë janë larguar pa u zëvendësuar nga institucione më të forta dhe nëse shteti është bërë më qendror në jetën materiale të qytetarit, katër fitoret e Ramës nuk e mbyllin çështjen.


E rëndojnë.


Sepse atëherë duhet pyetur jo vetëm sa mirë ka ditur ai ta fitojë Shqipërinë, por çfarë Shqipërie ka mbetur e aftë ta humbasë atë.


Ky është gjyqi që mandati nuk e anulon.


Në këtë pikë Kapitullimi Demografik, Demokratik dhe Elektoral bëhen një trup i vetëm.


Njerëzit largohen ose plaken dhe peshat shoqërore ndryshojnë, nëse institucionet nuk e kompensojnë humbjen, ekspozimi rritet, kur ekspozimi rrit çmimin e mosbindjes, prodhimi i kundërpeshës bëhet më i vështirë, dhe kur kundërpesha bëhet më e kushtueshme, dështimi humbet një pjesë të forcës me të cilën duhet të kërcënojë qeverinë.


Atëherë qeveria nuk ka nevojë domosdoshmërisht të bëhet më e mirë për t’u bërë më e qëndrueshme.


Mjafton që vendi të bëhet më i dobët për ta zëvendësuar.


Këtu ndodhet akuza më e rëndë ndaj epokës së Edi Ramës, pas trembëdhjetë vjetësh, ai duhet të provojë se jetëgjatësia e tij është produkt i një Shqipërie që ka mbetur plotësisht e lirë, juridikisht e mbrojtur, ekonomikisht e pasur në alternativa dhe politikisht e aftë ta largojë, jo produkt i një Shqipërie që, ndërsa ka grumbulluar arsye për ta kundërshtuar, ka humbur një pjesë të fuqisë materiale për ta bërë atë kundërshtim fitues.


Ky standard nuk mund të shmanget duke numëruar mandatet.


Sepse Republika nuk matet vetëm nga sa pushtet lejon të fitojë qeveria.


Matet edhe nga sa fuqi ruan shoqëria për t’ia marrë.


Nëse Shqipëria arrin në pikën ku kërkohet gjithnjë e më shumë dështim për ta bërë të humbshëm të njëjtin pushtet, historia nuk do të ketë përballë vetëm suksesin elektoral të një njeriu.


Do të ketë përballë dështimin politik të një vendi për ta mbajtur qeverinë të vdekshme.


Kapitullimi Demografik nuk do të jetë më statistika e njerëzve që mungojnë.


Kapitullimi Demokratik nuk do të jetë thjesht dobësia e atyre që mbetën.


Kapitullimi Elektoral do të jetë çasti kur humbja njerëzore dhe ekspozimi material bashkohen aq thellë, sa dështimi nuk arrin më të prodhojë me të njëjtën forcë fundin politik të pushtetit që dështon.


Dhe për Edi Ramën, pas trembëdhjetë vjetësh, pyetja përfundimtare nuk është sa herë e ka fituar Shqipërinë.


Është nëse Shqipëria ka ende po aq fuqi për ta bërë atë të humbasë.


Sepse një qeveri që mund të humbasë vetëm pasi vendi të ketë duruar gjithnjë e më shumë dështim nuk është bërë domosdoshmërisht më e fortë.


Mund të ketë ndodhur diçka shumë më e rëndë.


Republika është bërë më e dobët.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page