top of page

Rama duhet të ikë…

2 minutes ago
2 min read

Nga Arian Galdini


Europa po përjeton revoltën e një brezi të cilit i është premtuar e ardhmja, por i është dorëzuar pasiguria.


Shqipëria po përjeton edhe diçka më të thellë, revoltën kundër një pushteti që e ka ngatërruar mandatin për të qeverisur me të drejtën për të sunduar.


Edi Rama duhet të largohet.


Trembëdhjetë vjet qeverisje janë mëse të mjaftueshëm për të gjykuar një model që ka ushqyer përqendrimin e pushtetit, klientelizmin, arrogancën dhe varësinë e qytetarit.


Nga Flamingot te studentët, sheshi po shpall një të vërtetë që pushteti nuk dëshiron ta dëgjojë, Shqipëria nuk është pronë e qeverisë.


Por as e opozitës.


As e oligarkëve.


As e fraksioneve që luftojnë brenda Partisë Socialiste.


Lufta e mundshme Rama - Veliaj, interesat që përplasen rreth Ballukut dhe betejat për kontrollin e protestave nuk përfaqësojnë shpëtimin e Shqipërisë.


Janë pjesë e krizës së një rendi ku pushteti vlen më shumë se qytetari.


Nuk pranoj që revolta e një brezi të shndërrohet në instrument për pazaret e një brezi sundimtarësh.


As mikrofoni i protestës, as kontrolli i informacionit, as mbështetja ndërkombëtare nuk japin të drejtën për të privatizuar vullnetin qytetar.


Dhuna kundër njerëzve dhe institucioneve nuk është liri.


Por as përdorimi i dhunës si pretekst për të heshtur kundërshtimin nuk është rend demokratik.


E Djathta e Dinjitetit dhe Shqiptarizmi që unë besoj kërkojnë një Republikë ku drejtësia të jetë e pavarur, prona e mbrojtur, merita e lirë dhe qytetari sovran.


Shqipërisë nuk i duhet një Rama tjetër, me emër tjetër.


I duhet fundi i sistemit që prodhon Rama.


Sepse Rinisja Kombëtare nuk është ndërrim pronarësh mbi Shqipërinë.


Është çlirimi përfundimtar i Shqipërisë nga pretendimi se dikush mund të jetë pronari i saj.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page