Shteti me tepër Etër!

Nga Arian Galdini
Dora që e ngre fëmijën nga toka mund t’ia shpëtojë jetën.
Nëse më pas nuk pranon ta lëshojë, shpëtimi i djeshëm bëhet arsye për bindjen e sotme.
Fëmijës rrezik nuk i duket më rrëzimi, por hapi pa leje.
Përkujdesja, që duhej ta ndihmonte të ecte, ia ka ndryshuar kuptimin e ecjes.
Prindi që do vërtet e pret ditën kur dora e tij nuk do të kërkohet më.
Ai që e ka kthyer mbrojtjen në pushtet sheh humbje atje ku duhej të shihte përmbushjen e saj.
Shqipëria e vitit 1912 pati nevojë për mbrojtje.
Shteti i sapolindur përballej me kufij të kërcënuar, sovranitet të kontestuar dhe institucione që duheshin ngritur ndërsa ekzistenca e vendit vihej në provë.
Për atë fillim, fëmijëria është figurë e ndershme.
Por historia e një shteti nuk është fëmijëria e zgjatur e një kombi.
Vitet mund t'ia shtojnë fuqinë pushtetit, ndërsa qytetarit t'ia pakësojnë lirinë.
Shteti mund të plaket pa u pjekur.
Mund të fuqizohet pa u qytetëruar.
Dhe mund të bëhet gjithnjë më i aftë të sundojë, pikërisht ndërsa qytetari bëhet gjithnjë më pak i lirë.
Monarkia, pushtimet dhe diktatura komuniste nuk qenë etapa të një rritjeje të qetë.
Diktatura dëshmoi se një aparat shtetëror mund të bëhet jashtëzakonisht i fuqishëm pikërisht duke e lënë njeriun të pambrojtur përballë tij.
Forcimi i shtetit nuk është vetvetiu rritje e lirisë.
Pas vitit 1990, shqiptarët fituan liri të vërteta.
Vota, prona, fjala, lëvizja dhe organizimi nuk qenë zbukurime të një burgu të pandryshuar, qenë shkëputje prej tij.
Por ligjet mund të ndërrohen më shpejt sesa pushteti mëson ta shohë qytetarin si zotërues të një lirie që nuk ia ka dhënë ai.
Qytetari pranohet si zgjedhës, sapo kundërshton, mund të trajtohet si mosmirënjohës.
Mandati, që duhej ta lidhte qeverisësin me kufirin e përgjegjësisë, përdoret për të kërkuar prej zgjedhësit bindje edhe midis dy votimeve.
Këtë papjekuri të pushtetit e quaj Ramizoshencë.
(Ramizoshenca është një fjalë e krijuar prej Adoleshencë. Duke zëvendësuar “Adole” me Ramiz…)
Emri mban kujtesën e kapërcyellit të Ramiz Alisë, duke i nënkuptuar atij një projekt të fshehtë për gjithë historinë që pasoi.
Ramizoshenca nuk është një emër tjetër për korrupsionin.
Është adoleshenca e autoritetit që e pranon pluralizmin si rrugë për të marrë mandatin, ndërsa e duron me vështirësi si të drejtë të qytetarit për ta kufizuar, kundërshtuar dhe larguar prej pushtetit.
Nuk janë shqiptarët ata që shpallen të papjekur.
Papjekuria është e qeverisjes që e mirëpret lirinë kur ajo e ngjit në pushtet dhe e qorton kur i kërkon të zbresë prej tij.
Ati i parë politik lind nga premtimi i sigurisë, pa mua, vendi rrëzohet.
Rreziku që përmend mund të jetë real, edhe ndihma që ka dhënë dikur mund të ketë qenë e domosdoshme.
Por e mira e kryer nuk është titull pronësie mbi të ardhmen e atij që e ka marrë.
Reforma nuk ka përfunduar, institucioni nuk është gati, rrethanat kërkojnë edhe pak përjashtim.
Rregullat i premtohen së nesërmes, ndërsa e sotmja i dorëzohet njeriut të pazëvendësueshëm.
Nëse çdo hap drejt pavarësisë së institucionit shpallet rrezik për vendin, qeverisësi po mbron nevojën për veten, jo sigurinë e qytetarit.
Ati i dytë nuk ka nevojë ta drejtojë qeverinë.
Ai qëndron në rrugën ndërmjet njeriut dhe asaj që njeriut i takon.
Premtimi i tij është hyrja, pa mua, dera nuk hapet.
Një ndërmjetës mund të ndihmojë ndershmërisht dikë të njohë të drejtën e vetë, ndihma nuk është mëkat.
Ajo bëhet sundim kur e drejta duket se ka nevojë vazhdimisht për emrin e ndihmësit.
Njeriu merr atë që ligji duhej t’ia siguronte pa pengesa dhe ndihet borxhli ndaj atij që ia mundësoi.
Mirënjohja, e bukur kur lind lirisht, shndërrohet në pagesë për një detyrim publik.
Ky borxh nuk shkruhet askund.
Mund të shlyhet me besnikëri, me heshtje, me një fjalë të vërtetë që njeriu e mban brenda vetes.
Mangësia prej së cilës lind kjo fuqi mund të vijë nga historia, paaftësia apo varfëria e institucioneve, nuk kërkon medoemos një autor të fshehtë.
As përfitimi prej saj nuk provon fajësinë për krijimin e saj.
Por kur kapërcimi i pengesës për disa bëhet burim ndikimi, zhdukja e pengesës për të gjithë fillon t’i kërcënojë ata që jetojnë prej saj.
Rendi i dëmtuar arrin të krijojë interesa që e kanë të nevojshëm dëmtimin e tij.
Pastaj sëmundja ndryshon vend.
Shoqëria nderon si të zotin atë që gjen njeriun e duhur dhe përqesh si të ngathët atë që kërkon të funksionojë rregulli.
Aftësia për t’ia dalë vetëm për vete merr emrin e meritës, përpjekja për ta bërë të drejtën të arritshme për të gjithë quhet naivitet.
Privilegji nuk është kënaqur duke zgjedhur fituesin.
Ka hyrë në gjuhën me të cilën njerëzit përcaktojnë fitoren.
Më në fund, edhe i përjashtuari mund ta gjykojë veten me kriteret e pengesës që e ka ndaluar.
Gryka e Gërrnetës është ngushtimi i rrugëve të dijes, punës, sipërmarrjes dhe pjesëmarrjes përpara një kalimi ku aftësia nuk vendos e vetme.
Në fillim ajo përcakton kush hyn.
Ata që hyjnë bëhen të lejuarit, e “të lejuarit” fitojnë përvojë, dukshmëri dhe autoritetin e shembullit, të përjashtuarit humbasin edhe mundësinë për t’u krahasuar.
Më pas, përvoja e të parëve përdoret për të përkufizuar kushtet e hyrjes së të tjerëve.
Ata që nuk u lejuan të provohen shfaqen në përfundim si njerëz që nuk kanë dhënë prova.
Gryka më e thellë mund të mos ketë roje, ryshfet apo urdhër të fshehtë.
Ndonjëherë është një kriter i shpallur publikisht dhe i zbatuar me ndershmëri ndaj secilit.
Por barazia në zbatimin e tij nuk e pastron vetvetiu historinë nga e cila kriteri ka lindur.
Kur një përvojë mund të fitohej për vite me radhë vetëm brenda një rrethi të mbyllur, kërkimi i saj sot mund ta shndërrojë privilegjin e hyrjes së djeshme në meritën e padiskutueshme të së tashmes.
Askush nuk ka nevojë të mashtrojë në komision që padrejtësia e dikurshme të marrë pamjen e rregullit të ndershëm.
Kjo nuk i bën të pavlefshme dijen dhe përvojën e fituar.
Kompetenca është një e mirë reale, jo zbukurim i pushtetit.
Nëse gabimi mund t’u rrezikojë të tjerëve jetën, sigurinë apo të drejtën, historia e padrejtë nuk na jep leje ta ulim standardin dhe t’ua kërkojmë të tretëve çmimin.
Drejtësia as e dhuron aftësinë, as e zhvlerëson atë te njeriu që e zotëron.
Ajo nuk lejon që mundësia për ta fituar të trashëgohet si një pasuri e mbyllur.
Standardi që mbron të tjerët duhet të qëndrojë, rruga e ndershme për ta arritur nuk mund të mbetet pronë e atyre që hynë të parët.
Prandaj Republika nuk e përmbush detyrën duke shpallur të hapur një garë.
Ajo duhet të pranojë gjykimin edhe mbi arsyen e vetë kriterit.
Çfarë mat ai dhe çfarë nuk mat?
Cila përgjegjësi e bën të nevojshëm?
A mund të fitohet aftësia që kërkon përmes rrugëve të hapura, apo ajo është bërë emri i ri i një hyrjeje të dikurshme të privilegjuar?
Kur vetëm konkurruesit duhet të japin prova, ndërsa vetë kushtet e konkurrimit trajtohen si të paprekshme, merita nuk është çliruar.
Ka ndërruar pronar.
Megjithatë, edhe e drejta për ta gjykuar kriterin mund të përvetësohet.
Pushteti jeton jo vetëm te ai që merr vendimin, por edhe te ai që ka mundësi ta mbajë pezull.
Kundërshtimi, i domosdoshëm për të ndaluar arbitraritetin, mund të zgjatet derisa tjetrit t’i shuhet koha për ta ushtruar të drejtën e vet.
Njëri ka burime për të pritur, tjetri humbet jetën që kishte planifikuar ndërsa pret.
Rruga e ankimit bëhet një Grykë tjetër, kësaj here me çelësin në dorën e atij që mund të përballojë vonesën.
Ta mbyllësh kundërshtimin me urdhër do të thotë t’ia dorëzosh të vërtetën forcës së vendimmarrësit.
Ta lejosh të zgjasë pa kufi do të thotë t’ia dorëzosh jetën e përbashkët forcës së atij që kundërshton më gjatë.
Republika duhet të vendosë pa e shenjtëruar vendimin dhe të dëgjojë pa e bërë dëgjimin pronë të atij që ka më shumë kohë.
Vendimi mund ta përfundojë një proces pa e përfunduar të vërtetën.
Fuqia për t’u zbatuar buron nga nevoja për të vepruar pas një gjykimi të ndershëm e të arsyetuar, nuk provon se çdo mendim kundër tij është i rremë.
Një gabim i zbuluar më pas duhet të mund të njihet e të ndreqet.
Por ndreqja nuk mund ta trajtojë si fajtor atë që, pa shkaktuar gabimin, e ka ndërtuar jetën me mirëbesim mbi një vendim të ligjshëm.
Republika u detyrohet drejtësi të dëmtuarve dhe respekt atyre që i besuan pafajësisht vendimit.
Përplasja nuk zhduket duke i shpallur njërës palë pronësinë e plotë mbi të drejtën.
Jo çdo humbje mund të kthehet pas.
Atje ku riparimi ndesh të pakthyeshmen, përgjegjësia nuk merr fund, bëhet detyrim për ta njohur dëmin, për të mos ia faturuar heshturazi të pafajshmit dhe për të mësuar prej shkakut që e solli.
Një proces i mbyllur mund të japë siguri për veprimin.
Ai nuk i jep ndërgjegjes publike leje ta shpallë gabimin të pandodhur.
Pjekuria e autoritetit është të thotë «Duhet të veprojmë», pa i thënë së vërtetës «Nuk ke më të drejtë të flasësh».
Koha është një nga pasuritë që pushteti mund t’ia marrë njeriut pa lënë asnjë shenjë në regjistrin e humbjeve.
E njëjta e drejtë, e shkruar me të njëjtat fjalë, mbërrin në jetë të ndryshme.
Për njeriun që ka siguri, vonesa është mundim, për atë që jeton pranë kufirit të mbijetesës, mund të jetë fundi i mundësisë.
Institucioni nuk ka thënë «Jo».
I ka mjaftuar «Prit».
Kur vendimi vjen më në fund, e drejta mund të jetë ende në letër, ndërsa çasti për ta ushtruar nuk ekziston më.
Por koha i përket edhe atij që mund të dëmtohet nga një vendim i nxituar, natyrës që nuk ripërtërihet sipas ngutjes sonë dhe brezave që nuk janë ende këtu për të na kundërshtuar.
Një shqyrtim i ndershëm kërkon ndonjëherë durim.
Një ndalim i përkohshëm mund të shpëtojë një të mirë që nuk rindërtohet më.
Po ta shpallnim çdo pritje padrejtësi, ngutja e atij që mund të veprojë i pari do të sundonte mbi të ardhmen e të gjithëve.
Më e vështirë është pritja që ka arsye të drejta dhe pasoja të padrejta.
Koha e nevojshme për të mbrojtur një të mirë të përbashkët mund të jetë e papërballueshme për atë që zotëron më pak.
Këtu shteti nuk mund ta blejë shpejtësinë duke flijuar mbrojtjen e të tjerëve, nuk mund as ta shpallë mjerimin e atij që pret një shqetësim krejt privat.
Barra e nevojshme nuk bëhet automatikisht e drejtë vetëm sepse është e nevojshme.
Burimet e një Republike janë të kufizuara.
Ajo nuk mund të premtojë që askush nuk do të humbasë, se çdo pritje do të shpërblehet apo se jeta e secilit do të ketë të njëjtin përfundim.
Por kufiri i burimeve nuk e shuan detyrimin për të pyetur se kush po e paguan mbrojtjen e përbashkët.
Një barrë mund të jetë e pashmangshme dhe përsëri të shpërndahet padrejtësisht.
Prandaj autoriteti që e kërkon duhet ta bëjë të dukshme, ta kufizojë sa është e mundur, të mos ia ngarkojë vazhdimisht atij që ka më pak fuqi për ta mbajtur dhe të japë arsye kur ndarja e drejtë nuk arrihet plotësisht.
Nuk është detyrë për të barazuar fatet.
Është ndalim për ta kthyer pafuqinë e disa njerëzve në çmimin e padukshëm të sigurisë së të gjithëve.
Një e drejtë nuk jeton vetëm në fjalinë që e shpall.
Ka një kohë për t’u ushtruar, një rrugë për t’u përshkuar dhe një barrë për t’u mbajtur.
Një standard i drejtë mund të mbrojë shumë njerëz dhe të përjashtojë dikë që nuk ka mjete ta përballojë.
Detyra nuk është shkatërrimi i standardit, por mbrojtja e së mirës së përbashkët pa e braktisur atë që e paguan më shtrenjtë.
Kufiri midis kohës që i duhet së vërtetës dhe kohës që përdoret për ta lodhur qytetarin është i rëndësishëm.
E dyta është sundim edhe kur askush nuk shqipton një ndalim.
Por një Republikë e drejtë shikon edhe përtej qëllimit, pyet çfarë u ndodh njerëzve gjatë pritjes së nevojshme.
Përndryshe mund ta ketë ruajtur të mirën e përbashkët dhe të mos ketë vënë re se cilët qytetarë i la jashtë saj.
Qirifikimi i Dinjitetit fillon kur njeriu që nuk pranon ta paguajë me ndërgjegjen e vet një të drejtë detyrohet ta paguajë me jetesën.
Shoqëria e admiron refuzimin e tij, ia ngre humbjen në shembull, e përmend si dëshmi se ndershmëria nuk është shuar.
Pastaj vazhdon të jetojë me rregullin që e përjashtoi.
I kërkon të bëhet simbol, kur atij i duhej të mbetej pjesëmarrës.
Nderimi është virtyt.
Por ndonjëherë bëhet mënyra më e hijshme për të mos marrë përgjegjësi.
Qiriu dëshmon se drita është e mundur, nuk e shfajëson dhomën që kërkon vazhdimisht prej një njeriu të digjet.
Kur flijimi kthehet në mënyrën tonë të ndriçimit, fillojmë të kemi nevojë për sakrificën që duhej ta bënim të panevojshme.
Padrejtësia ka arritur të përvetësojë edhe admirimin tonë për ata që nuk iu nënshtruan.
Çmimi i qëndresës nuk është i barabartë.
Siguria materiale mund ta bëjë të përballueshme një humbje që varfëria e shndërron në kërcënim për bukën e nesërme.
Kjo nuk e bën kompromisin virtyt, e ndalon gjykimin moral ta trajtojë mbijetesën si një luks që të gjithë kishin të njëjtën liri ta refuzonin.
Dinjiteti është i barabartë.
Çmimi që padrejtësia kërkon për ta mbrojtur nuk është.
Kështu rendi mund të përfitojë prej dy virtyteve që duhej ta sfidonin.
Atij që pranon ndërmjetësimin i kërkon mirënjohje, atij që e refuzon i ofron nderimin e sakrificës.
I pari hesht për të mos humbur lidhjen, i dyti lihet vetëm, i shndërruar në shembull të admirueshëm.
Shoqëria ngushëllohet me ndershmërinë që humbi dhe nuk e ndreq arsyen pse e humbi.
Padrejtësia nuk ushqehet vetëm prej frikës dhe interesit.
Mund të jetojë edhe prej cilësive më të mira të atyre që e pësojnë.
Institucioni që largon njerëzit e pavarur humbet më shumë se praninë e tyre.
Humbet një pjesë të aftësisë për të njohur gabimin.
Mbledhjet qetësohen, miratimi shtohet, kundërshtimi rrallohet.
Një ditë kjo qetësi merret si provë e urtësisë së drejtimit.
Pushteti fiton bindje dhe humbet njohje.
Kjo është Tirania e Shpërfilljes.
Ajo mund ta regjistrojë fjalën e qytetarit, t’i përgjigjet në kohë, ta fusë kundërshtimin e tij në një statistikë dhe të mos pranojë që arsyeja e tij të ndryshojë asgjë.
Administrata numëron të pranuarit dhe nuk di sa njerëz hoqën dorë përpara hyrjes.
Mat zotësinë e atyre që u lejuan të provohen dhe e merr mungesën e të tjerëve si dëshmi.
Zgjedh ata që e miratojnë dhe pastaj e përdor miratimin si provë se zgjodhi drejt.
Filtri prodhon provat me të cilat përligj filtrin.
Nuk duhet falsifikuar çdo rezultat kur mund të përcaktohet paraprakisht se kush lejohet të bëhet pjesë e rezultatit.
Kjo verbëri prek vetë sovranitetin.
Një vend i vogël, përballë vendimeve të mëdha mbi energjinë, kapitalin, teknologjinë dhe sigurinë, ka nevojë për institucione që guxojnë t’i thonë «Gabohesh» edhe qeverisë së vetë.
Fuqia për të nënshkruar nuk është aftësi për të kuptuar.
Shteti mund të dijë gjithnjë më shumë për qytetarët dhe gjithnjë më pak për arsyet pse ata nuk i besojnë. Kur mungesën e kundërshtimit e merr si mençuri të vetën, e ka nisur fshehjen e dobësisë edhe nga vetja.
Shqipëria e tetorit 2026 e ka përpara këtë provë në mënyrën si kupton zhvillimin.
Përparimi mund të jetë i vërtetë, rruga europiane, modernizimi dhe forcimi i aftësive shtetërore nuk humbasin vlerën vetëm sepse kundërshtohet qeveria që i shpall.
Por një arritje publike nuk i jep autorit politik të saj pronësi mbi të ardhmen.
Përparimi i Republikës matet edhe nga ajo që qytetari mund t’i ndalojë shtetit të bëjë në emër të përparimit.
Nëse një vepër është e mirë për vendin, ajo duhet të mund t’i shërbejë vendit edhe pasi njeriu që e shpalli të mos jetë më në pushtet.
Te qeverisja e Edi Ramës, përqendrimi dhe personalizimi i pushtetit kanë marrë, në gjykimin tim, një peshë që e lidh tepër fort idenë e zhvillimit me vazhdimësinë e vetë qeverisësit.
Këtu nuk gjykohet thjesht stili i një drejtuesi.
Gjykohet pretendimi që institucioni, i cili duhet të ketë jetë përtej çdo mandati, ta marrë kuptimin e vet prej jetëgjatësisë së atij që e drejton përkohësisht.
Kur arritja publike përdoret si argument që qytetari t’i detyrohet vazhdimësisë së një njeriu, mirësia e arritjes shndërrohet në detyrim besnikërie.
Ky është kapërcim i kufirit republikan.
Qeverisja e Edi Ramës duhet të largohet. Asnjë mandat nuk është titull mbi të ardhmen dhe asnjë arritje nuk e bën pazëvendësueshëm njeriun që e shpall.
Largimi i një qeverie është e drejtë e qytetarëve, jo humbje që atyre u duhet t’ia justifikojnë qeverisë.
Shqipërisë i duhet një shtet që mund t’i ruajë e t’i zhvillojë të mirat e veta edhe nën një drejtim tjetër, një pushtet që nuk e ngatërron mirënjohjen ndaj punës së kryer me detyrimin për ta mbajtur përherë në krye atë që e kreu.
Shteti duhet t’i shërbejë edhe njeriut që nuk e do qeverinë e tij.
Megjithatë, largimi i qeverisësit nuk do ta zgjidhte vetvetiu çështjen e etërve.
Një tjetër njeri mund të zërë po atë derë, të kërkojë po atë borxh mirënjohjeje e të shpallë po ato kritere për të njohur të aftët.
Rotacioni është kusht i domosdoshëm i jetës demokratike,ai nuk ia ndryshon medoemos mendimin atij që e sheh qytetarin si njeri në pritje të lejes.
Ndërrimi i emrit është i rëndësishëm.
Ndërrimi i kuptimit të pushtetit është prova që vjen pas tij.
Këtu shfaqet ati i tretë.
Ai nuk i ka instrumentet e shtetit dhe nuk mban përgjegjësinë e qeverisësit të sotëm.
Por mund të kërkojë pronësi mbi shpresën për nesër. Premtimi është shpëtimi, pa mua, ndryshimi nuk vjen.
Zemërimi i qytetarëve trajtohet si mandat i dhënë paraprakisht, kundërshtimi i qeverisë si besnikëri ndaj atij që pretendon ta zëvendësojë.
Ai që nuk e pranon shpëtimtarin rrezikon të shpallet armik i shpëtimit, megjithëse asnjë qytetar nuk ia ka dorëzuar dikujt tjetër të drejtën për të përcaktuar si duhet të vijë ndryshimi.
Katovica e Re emërton një rrezik më të rëndë, përpjekjen që interesat e përqendruara të kushtëzojnë alternativën e nesërme, në mënyrë që ndërrimi i qeverisjes të mos prekë marrëdhëniet e privilegjit.
Një rrezik i tillë nuk bëhet fakt prej forcës së dyshimit.
Mbështetja dhe aleanca nuk provojnë vetvetiu kontroll, ai kërkon të dallohen varësitë dhe kufijtë që i imponohen vendimmarrjes.
Prova e lirisë së një alternative nuk është sa njerëz e mbështesin, por nëse ajo mund t’u thotë «Jo» edhe mbështetësve të vet, t’i bëjë të dukshme marrëdhëniet që krijon dhe të mbrojë rregulla që mund t’ua cenojnë atyre privilegjin.
Një hipotezë që e quan çdo kundërshtim ndaj saj dëshmi të vërtetësisë së vet do të ishte kthyer në një Grykë mbi gjykimin.
Por trashëgimia e pushtetit mund të jetojë edhe pa marrëveshje.
Aftësi quhet afërsia me të fortin, maturi heshtja para tij, reformë ndërrimi i emrave pa prekur kushtet e hyrjes.
Një alternativë mund të vijë duke mallkuar rendin e vjetër dhe të përdorë pikërisht gjuhën e tij për të qeverisur.
Atëherë Ramizoshenca nuk ka mbijetuar si urdhër i dikujt, por si mendim që e njeh pushtetin më lehtë sesa kufirin e tij.
Kompleksi i rilindësit të vonuar nis nga një dhembje e vërtetë, atdheu ka humbur shumë kohë.
Tundimi është të kërkohet kthimi i kohës së humbur duke e shpallur kontrollin vonesë, kundërshtimin pengesë e kufirin kushtetues luks.
Besnikëria e pakushtëzuar paraqitet si kusht i shpëtimit kombëtar.
Shpëtimtari ende nuk qeveris, por tashmë kërkon ta mësojë qytetarin se kundërshtimi i tij nesër do të ishte kundërshtim i vetë së ardhmes.
Të tre etërit nuk kanë fuqi të barabartë.
I pari mund të përdorë autoritetin publik, i dyti mund ta kthejë varësinë në mjet ndikimi, i treti ende kërkon t’i japë vetes një mandat mbi shpresën.
Dallimi ka rëndësi, sepse përgjegjësia e atij që sundon sot nuk mund të barazohet me tundimin e atij që dëshiron të sundojë nesër.
Por të tre kërkojnë t’ia ndryshojnë kuptimin së njëjtës fjalë.
Nën të parin «Jo»-ja bëhet mosmirënjohje, nën të dytin, paaftësi, nën të tretin, tradhti.
Fjala që duhet të shënojë kufirin e pushtetit shndërrohet në arsye për t’i mohuar dinjitetin atij që e shqipton.
Dalëzotësia fillon kur mbrojtja nuk kërkon më të paguhet me bindje.
Nuk është kërkim i një ati më të butë për Republikën, por i një rendi ku e drejta nuk ka nevojë për atësinë e askujt.
Prova e mbrojtjes republikane është kjo, qytetari mund t’i thotë «Jo» mbrojtësit pa humbur mbrojtjen. Një institucion duhet t’ia njohë të drejtën edhe atij që nuk e voton qeverinë, një ligj duhet ta pengojë edhe drejtuesin që e mbështeti; një e mirë publike nuk mund të tërhiqet si ndëshkim për mosmirënjohjen.
Përndryshe kemi një mirësi të kushtëzuar, jo një të drejtë.
Kjo kërkon shtet të aftë, jo shtet të pafuqishëmPa autoritet publik që mbron jetën, pronën, lirinë dhe të mirat e përbashkëta, më i pambrojturi do të lihej nën kujdestarinë e forcës private.
Vetë fuqia e shtetit ka arsye të ligjshme për të ekzistuar.
Kujdestaria e palegjitimtë fillon kur arsyeja e ushtrimit të kësaj fuqie shndërrohet në pretendim mbi ndërgjegjen e atij për të cilin ushtrohet.
Një qeveri që i bindet ligjit kur ligji ia ndalon vullnetin nuk e ka dobësuar shtetin.
Ka pranuar se pushteti i saj nuk është shteti.
Po ky kufi vlen për kompetencën.
I dituri ka arsye që duhen dëgjuar dhe standarde që duhen mbrojtur, dija i jep përgjegjësi për vërtetësinë e fjalës së vet, jo pronësi mbi njeriun që e dëgjon.
Autoriteti publik, ndikimi i ndërmjetësit, premtimi i shpëtimtarit dhe pesha e një mendimi janë fuqi të ndryshme.
Asnjëra nuk bëhet kujdestari vetëm pse ekziston.
Kujdestaria nis kur funksioni kërkon si shpërblim dorëzimin e lirisë së tjetrit.
Ky kufi shtrihet edhe mbi mendimin që lufton pushtetin.
Qytetari që mbështet qeverisjen, largimin e së cilës kërkon kjo vepër, nuk e humbet pjekurinë, dinjitetin apo të drejtën për të gjykuar.
Mund të gabojë në një çështje dhe të shohë një të vërtetë që kundërshtari i tij nuk e ka parë.
Ta dëgjosh nuk do të thotë të pajtohesh, ta dëgjosh pasi ia ke mohuar mundësinë të ketë të drejtë është një formë tjetër e shpërfilljes.
Liria nuk jepet si shpërblim për përfundimin e saktë.
Këtu lind ati i katërt, më i fshehti.
Ai nuk ka domosdoshmërisht vota, karrige, porta a fuqi detyruese.
Mund të jetë mendimtari që e ka kuptuar me mprehtësi se si pushteti deformon kriteret e meritës dhe lirisë.
Ai ka të drejtë të mbrojë bindjet e tij deri në fund, t’i kundërshtojë ashpër gabimet e të tjerëve dhe të kërkojë fitore për argumentin e vet.
Një mendim i fortë nuk është kujdestari.
Madje as e vërteta që dikush beson se ka zbuluar nuk e bën atë sundimtar të ndërgjegjeve.
Tundimi fillon në një çast tjetër, kur epërsia që ai i njeh arsyes së vet shndërrohet në pretendimin se tjetri nuk ka më të drejtë ta vërë atë arsye në provë.
Kur kundërshtimi nuk trajtohet si mendim që duhet përballuar, por si papjekuri që duhet korrigjuar me bindje.
Mendimtari mund t’i ketë dhënë emrin e saktë padrejtësisë dhe përsëri të gabojë duke kërkuar pronësi mbi mënyrën si të tjerët duhet ta kuptojnë çlirimin prej saj.
Fjala e tij nuk e ka forcën e ligjit, rreziku i saj nuk është i barabartë me forcën e një qeverie.
Por edhe pa qenë qeveri, ajo mund të përsërisë dëshirën e qeverisësit që qytetari të mos ecë pa miratimin e saj.
E vërteta nuk bëhet e pavërtetë pse dikush e kundërshton.
As liria e tjetrit për të gabuar nuk na detyron ta quajmë gabimin të drejtë.
Mirëpo as epërsia e një argumenti nuk krijon të drejtë mbi ndërgjegjen që ende nuk është bindur prej tij.
Këtë kufi duhet ta pranojë edhe kjo vepër.
Lexuesi mund ta kundërshtojë në tërësi dhe të mos humbasë asgjë nga liria për të cilën ajo flet.
Nëse për ta çliruar prej etërve do t’i kërkohej fillimisht t’i nënshtrohej autorit që ua zbuloi etërit, sundimi vetëm do të kishte ndërruar gjuhë.
Këtu alegoria e fëmijës duhet të ndalet.
Shteti shqiptar i vitit 1912 pati një fillim të brishtë; institucionet mund të forcohen dhe qeverisësit mund të mësojnë t’i binden kufirit.
Por qytetari nuk është fëmija i qeverisë.
Asnjë mandat nuk e ka sjellë në jetë, asnjë ndërmjetës nuk ia ka dhuruar dinjitetin, asnjë shpëtimtar nuk ia krijon lirinë duke ia premtuar.
As mendimtari që e shpjegon këtë nuk fiton ndonjë të drejtë mbi hapin e tij.
Në familje, prindi i mirë mund të gëzohet kur fëmija ia lëshon dorën.
Në Republikë, qytetarit nuk i duhet as gëzimi, as leja e qeverisësit për ta bërë këtë.
Mund t’i thotë «Jo» atij që e mbron, atij që ia hap derën, atij që i premton shpëtimin.
Mund t’ia thotë edhe mendimit që i kërkon të mos ketë etër.
Mbrojtja që i takon nuk duhet të largohet bashkë me dorën që refuzon, e vërteta e fjalës së tij duhet të mund të dëgjohet edhe nga ai që nuk e dëshiron.
Shteti me tepër etër nuk çlirohet duke gjetur dorën më të butë për ta mbajtur qytetarin.
Ai bëhet Republikë kur asnjë dorë nuk mund të jetë më kusht për hapin e tij.
Edhe kur ai hap shkon në një drejtim që ne nuk do ta zgjidhnim.
Ai hap nuk ka atë.
Arian Galdini





Comments