top of page

Agora dhe Aparati!

Jun 29
5 min read

Nga Arian Galdini


(Për propozimin tim “Mikrofoni nuk është Sovrani” dhe draftin e “Kuvendit Kombëtar Qytetar”)


Më 9 qershor, unë bëra publik propozimin “Mikrofoni nuk është Sovrani”, një Ditë të Agorës, Logut a Kuvendimit, ku qytetarët në shesh të ndaheshin në grupe të vogla, të flisnin, të votonin, të numëronin hapur dhe prej tyre të dilnin vetëm mandatarë të përkohshëm.


Jo kryetarë.


Jo pronarë.


Jo shpëtimtarë.


Jo “më të mirët”.


Mandatarë.


Njerëz që dalin nga qytetari dhe kthehen te qytetari.


Këto ditë po qarkullon drafti “Kuvendi Kombëtar Qytetar”, që propozon Kuvend, Këshill Ekzekutiv, Mbledhje të Përgjithshme, mekanizma përzgjedhjeje, hierarki përfaqësimi dhe pretendim për ruajtje të vullnetit popullor në emër të protestës.


Dallimi nuk është emërtim.


Është burim sovraniteti.


Nuk më shqetëson që një ide merr formë tjetër.


Më shqetëson kur forma merr emrin e qytetarit dhe heq qytetarin nga burimi i mandatit.


Propozimi im kërkonte procedurë që qytetari ta lindte vetë mandatin.


Drafti që qarkullon kërkon aparat që ta marrë emrin e qytetarit para se qytetari të pyetet.


Propozimi im nisej nga poshtë.


Drafti nis nga lart.


Propozimi im kërkonte procedurë përpara përfaqësimit.


Drafti kërkon përfaqësim përpara procedurës.


Propozimi im thoshte, mikrofoni nuk është sovrani.


Drafti sillet sikur një mikrofon më i madh mund të bëhet sovran vetëm pse e quan veten Kuvend.


Këtu nuk ndahet një ide nga një ide tjetër.


Këtu ndahet Kuvendimi nga pronësimi i Kuvendit.


Njëra është Agorë.


Tjetra është Aparat.


Propozimi im nuk kërkonte të shpikte një organ mbi qytetarin.


Kërkonte që qytetari të mos mbetej më material i mikrofonit.


Kërkonte që sheshi të mos përdorej vetëm si trup, si numër, si pamje, si valë, si sfond.


Kërkonte që qytetari të ulej përballë qytetarit, të fliste, të dëgjonte, të kundërshtonte, të votonte dhe të nxirrte prej vetes mandatin.


Sepse dhimbja nuk është prokurë.


Zemërimi nuk është mandat.


Sheshi mund të ketë trup.


Por trupi nuk bëhet vullnet politik pa procedurë.


Procedura e kufizon pushtetin.


Aparati e shumon pushtetin.


Procedura e pyet qytetarin.


Aparati e përdor qytetarin si autorizim të supozuar.


Drafti që qarkullon merr nevojën për Kuvend, por heq Kuvendimin.


Merr fjalën përfaqësim, por vendos përfaqësuesin përpara të përfaqësuarit.


Merr formën e Agorës, por e kthen në aparat.


Merr popullin si emër, por nuk e tregon popullin si procedurë.


Kjo nuk është hollësi teknike.


Është përmbysje e burimit demokratik.


Te propozimi im, qytetari pyetet para se të flasë struktura.


Te drafti, struktura shpallet para se të pyetet qytetari.


Te propozimi im, mandatarët dalin nga rrethet qytetare.


Te drafti, përfaqësuesit dalin nga përzgjedhja sipër qytetarit.


Te propozimi im, mikrofoni lexon vendimin.


Te drafti, mikrofoni prodhon organin.


Te propozimi im, forma del pas pyetjes.


Te drafti, forma del para pyetjes.


Te propozimi im, Kuvendimi është proces.


Te drafti, Kuvendi është aparat.


Dhe aparati, edhe kur vesh rrobat e popullit, mbetet aparat.


Populli nuk është fjalë magjike.


Nuk është dekor.


Nuk është vulë morale.


Nuk është emër që e merr kushdo që arrin më herët te mikrofoni.


Në demokraci, populli shfaqet përmes procedurës, votë, verifikim, kundërshti, llogaridhënie, kufi mandati, mundësi revokimi.


Pa këto, fjala “popull” bëhet mantel.


Dhe manteli i popullit është veshja më e vjetër e çdo uzurpimi.


Drafti që qarkullon këto ditë nuk mjaftohet me Kuvendim qytetar.


Ai propozon organe, këshilla, struktura, përfaqësim dhe arkitekturë të re në emër të protestës.


Pikërisht këtu qëndron problemi, vullneti popullor nuk ruhet nga ata që nuk e kanë marrë ende mandatin prej tij.


Vullneti popullor nuk ruhet duke u zëvendësuar.


Ruhet duke u pyetur.


Një grup pa mandat të qartë nuk mund të prodhojë një Kuvend me mandat më të madh.


Mungesa e prokurës nuk shërohet duke shpallur një strukturë më të madhe.


Përkundrazi, zmadhohet.


Nëse nuk dihet kush e mandatoi grupin, nuk mund të besohet se po ai horizont do të mandatojë Kuvendin.


Gabimi më i rrezikshëm është gjuha e “më të mirëve”.


Demokracia nuk nis nga “më të mirët”.


Demokracia nis nga qytetari.


Në Republikë, qytetari i zakonshëm me mandat është më i lartë se “më i miri” pa mandat.


“Më të mirët” është formulë kujdestarie morale.


“Të mandatuarit” është formulë Republike.


Qytetari nuk ka nevojë për kujdestarë të rinj.


Ka nevojë për të drejtën që të mos kujdestarohet më.


Këtu drafti humb qytetarin.


E trajton protestën sikur të ishte trup i vetëm, me një vullnet të vetëm, i gatshëm për t’u administruar nga një arkitekturë e re.


Por protesta nuk është pronë homogjene.


Aty ka plagë, zemërim, shpresë, parti, rrjete, qytetarë të sinqertë, operatorë, ambicie, fraksione, njerëz të lirë dhe njerëz që presin rastin.


T’i mbulosh të gjitha këto me fjalën “vullnet popullor” pa procedurë nuk është qartësi.


Është rrezik.


Pika ku drafti e humb pafajësinë është dita pas.


Kush kërkon të ndërtojë organe, të përzgjedhë përfaqësues, të krijojë këshill ekzekutiv, të administrojë emrin e popullit dhe të afrohet te formula e pushtetit të ardhshëm, nuk është më vetëm rojtar i protestës.


Është pretendent.


Dhe çdo pretendent duhet të tregojë prokurën para se të prekë emrin e qytetarit.


Prandaj ky nuk është dallim midis dy mënyrave organizimi.


Është dallim midis mandatit dhe vetëshpalljes.


Midis qytetarit dhe aparatit.


Midis Kuvendimit dhe Kuvendit të sajuar.


Midis lirisë së qytetarit dhe kujdestarisë së re mbi qytetarin.


Agora nuk ka frikë nga qytetari.


Aparati ka frikë nga qytetari i pyetur.


Agora thotë, vendosni ju.


Aparati thotë, ne do ta ruajmë vullnetin tuaj.


Agora prodhon mandat.


Aparati prodhon emër.


Agora është e ngadalshme, por e pastër.


Aparati është i shpejtë, por i dyshimtë.


Prandaj drafti që qarkullon nuk e shpëton protestën nga pronësimi.


E institucionalizon pronësimin.


Nuk e kthen qytetarin në sovran.


E kthen në burim legjende për një strukturë të re.


Nuk i jep protestës mendje.


I jep aparat.


Nuk i jep popullit zë.


I jep zë atyre që duan të flasin për popullin.


Një protestë mund të humbasë nga dhuna, nga lodhja, nga propaganda, nga frika.


Por mund të humbasë edhe nga brenda, kur dikush merr emrin e saj, i vesh rregullore, i vendos këshill, i zgjedh “më të mirët”, i ndërton sekretariat dhe pastaj thotë, ky është populli.


Jo.


Ky nuk është populli.


Populli nuk lind nga nxitimi i mikrofonit.


Populli nuk delegon me shpallje.


Populli nuk përfaqësohet nga ata që përdorin emrin e tij para se të provojnë prokurën e tij.


Propozimi im ishte procedurë që qytetari të lindte mandatin.


Drafti që qarkullon është aparat që kërkon të lindë përfaqësimin përpara qytetarit.


Këtu ndahet demokracia nga regjia.


Këtu ndahet mandati nga pronësimi.


Këtu ndahet Agora nga Aparati.


Mikrofoni nuk është sovrani.


Grupi Koordinues nuk është sovrani.


Kuvendi i vetëshpallur nuk është sovrani.


Sovrani është qytetari që pyetet, vendos, mandaton, kontrollon dhe, kur duhet, rrëzon edhe ata që flasin në emër të tij.


Kuvendi që lind para pyetjes nuk është Kuvend.


Është parapërgatitje e pronarit të ardhshëm.


Pa qytetarin e pyetur, “Kuvendi Kombëtar Qytetar” nuk është Kuvend.


Është një mikrofon më i madh që ka mësuar të flasë me fjalën popull.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page