top of page

Doktrina e Fishkëllimës!

Jul 2
10 min read

Nga Arian Galdini


Shoqëritë nuk e mbulojnë të keqen vetëm me heshtje.


Shpesh e mbulojnë me zhurmë.


Heshtja është forma e vjetër e shmangies.


Zhurma është forma moderne.


Heshtja të lë të dukesh fajtor.


Zhurma të lejon të dukesh i angazhuar.


Heshtja e tregon njeriun që nuk foli.


Zhurma e shpëton njeriun me pamjen e atij që foli shumë.


Kjo është një nga dinakëritë më të mëdha të epokës sonë, njeriu mund të flasë pa pushim dhe prapë të mos ketë thënë asgjë që e detyron.


Mund të dijë shumë dhe prapë të mos bëhet përgjegjës.


Mund të zemërohet çdo ditë dhe prapë të mos ndërtojë asnjë akt.


Mund ta dëgjojë fishkëllimën dhe prapë të gjejë një këngë më të lartë për të mos dëgjuar britmën.


Kjo doktrinë nis nga një rrëfim i rëndë, i përcjellë nga Erwin W. Lutzer në When a Nation Forgets God, një kishë pranë së cilës kalonin trenat me njerëz që çoheshin drejt vdekjes.


Besimtarët e dinin orën.


Dëgjonin fishkëllimën. Dëgjonin britmat.


Dhe kur britmat bëheshin të padurueshme, këndonin më fort.


Kjo histori nuk duhet përdorur lehtë.


Nuk është krahasim i lirë me çdo padrejtësi të kohës sonë.


Nuk është leje për ta marrë tragjedinë më të errët të Europës dhe për ta kthyer në zbukurim retorik.


Ajo duhet prekur me frikë morale.


Sepse nuk na jep të drejtën të barazojmë ngjarje.


Na jep detyrimin të kuptojmë një mekanizëm.


Njeriu mund ta dëgjojë britmën dhe prapë të shpikë një zë tjetër për të mos u bërë përgjegjës para saj.


Ky mekanizëm nuk ka vdekur.


Ai vetëm ka ndërruar instrument.


Dikur mund të ishte himni që ngrihej mbi britmën.


Sot mund të jetë ekrani. Studioja.


Rrjeti social. Ironia. Debati pa fund.


Zemërimi i shpërndarë.


Përplasja politike e radhës.


Ose ajo fjali e vogël, e lodhur, e rrezikshme, me të cilën njeriu shpëton veten nga detyrimi për të dalluar, të gjithë njësoj janë.


Kjo fjali nuk është neutralitet.


Është dorëzim i veshur si mençuri.


Kur njeriu thotë “të gjithë njësoj janë”, shpesh nuk po e gjykon më të keqen.


Po heq dorë nga gjykimi.


Po e bën botën të pashërueshme që të mos i kërkohet të marrë pjesë në shërim.


Po e kthen padrejtësinë në klimë, pushtetin në fat, qytetarin në spektator dhe ndërgjegjen në koment.


E keqja moderne nuk kërkon vetëm bashkëpunëtorë të drejtpërdrejtë.


Kërkon edhe njerëz të mirë që nuk bëhen të dobishëm.


Kërkon njerëz që dinë, por nuk veprojnë.


Njerëz që kuptojnë, por nuk paguajnë çmimin e kuptimit.


Njerëz që e dallojnë mashtrimin, por e quajnë realizëm mosndërhyrjen e tyre.


Njerëz që e urrejnë padrejtësinë në parim, por nuk duan të prishin qetësinë e vogël që kanë siguruar brenda saj.


Këtu nis gjyqi i vërtetë.


Dija nuk e shpëton njeriun kur nuk bëhet përgjegjësi.


Dija e njeh fishkëllimën.


Urtia nuk e mbulon.


Dija të tregon se treni po kalon.


Urtia të ndalon të këndosh mbi britmën.


Dija e dallon skemën.


Urtia e mban pyetjen deri në pasojë.


Dija mund të jetë krenare se nuk mashtrohet.


Urtia ka frikë të mos bëhet pjesë e mashtrimit me duart e veta.


Një shoqëri që nuk mëson të dëgjojë, nuk mund të mendojë.


Një shoqëri që nuk mendon, nuk mund të bëhet Republikë.


Shqipëria nuk vuan vetëm nga mungesa e informacionit.


Vuan nga mungesa e dëgjimit.


Nuk vuan vetëm nga mungesa e njerëzve që flasin.


Vuan nga mungesa e njerëzve që mendojnë deri në fund.


Zhurma na jep përshtypjen se jemi zgjuar.


Urtia fillon kur pranojmë të dëgjojmë atë që na prish gjumin.


Kjo është krenaria e njeriut që nuk mashtrohet më, por nuk shpëton asgjë.


Ai nuk është i paditur. Nuk është i verbër. Nuk është naiv.


Ai di të lexojë lajmin, të dyshojë për skemën, të dallojë interesin, të nuhasë propagandën, të përqeshë aktorin publik.


Por nuk arrin ta kthejë dijen në akt.


Dhe kur dija nuk bëhet akt, ajo mund të kthehet në një formë të rafinuar të pafuqisë.


Pushtetet e gjata e njohin këtë lodhje.


Ato nuk mbijetojnë vetëm duke fshehur të vërtetën.


Shpesh mbijetojnë duke e ekspozuar të vërtetën në aq shumë zhurmë, aq shumë debat, aq shumë tallje, aq shumë përplasje dhe shfaqje, sa qytetari nuk e humb informacionin, por humb fuqinë për ta kthyer informacionin në përgjegjësi.


Ky është pushteti i zhurmës.


Ai nuk thotë domosdoshmërisht, mos shih.


Ai thotë, shih gjithçka, por mos ndal askund.


Ai nuk thotë, mos fol.


Ai thotë, fol pa pushim, por mos ndërto asnjë pasojë.


Ai nuk thotë, mos u zemëro.


Ai thotë, zemërohu çdo ditë, derisa zemërimi yt të mos ketë më drejtim.


Ai nuk thotë, mos protesto.


Ai thotë, protesto, por lejo që protesta jote të bëhet pamje, episod, flamur i dikujt tjetër, ose karburant për një pronar të ri të së njëjtës plagë.


Në shoqëritë e lodhura, zhurma mund të bëhet më e dobishme për pushtetin sesa heshtja.


Heshtja mund të grumbullojë turp.


Zhurma e shpërndan turpin.


Heshtja mund ta bëjë boshllëkun të dukshëm.


Zhurma e mbush boshllëkun me lëvizje.


Heshtja mund të krijojë pritje.


Zhurma krijon lodhje.


Dhe qytetari i lodhur është më i lehtë për t’u qeverisur se qytetari i bindur.


Sot, fishkëllima nuk ka nevojë të fshihet.


Ajo mund të vijë si gardh në breg, si tender në dosje, si pronë në mjegull, si protestë në ekran, si institucion që hesht, si media që pastron, si pushtet që e kthen çdo pyetje në prapaskenë, çdo dokument në bezdi, çdo kërkesë për llogari në pengesë ndaj zhvillimit.


Në Shqipërinë e Edi Ramës, ky mekanizëm ka marrë formë politike.


Rama nuk ka qeverisur vetëm me vendime.


Ka qeverisur me regji.


Me atë mënyrë pushteti ku pyetja nuk merr përgjigje, por skenë, ku dokumenti nuk trajtohet si e drejtë e qytetarit, por si bezdi ndaj ritmit të pushtetit, ku kërkesa për llogari paraqitet si pengesë ndaj një të ardhmeje që duhet besuar para se të lexohet.


Rama nuk e ka vrarë pyetjen vetëm duke e ndaluar.


Shpesh e ka vrarë duke e kthyer në shfaqje.


Nuk i përgjigjet dokumentit, i jep publikut një skenë.


Nuk i përgjigjet pronës, i jep një pamje.


Nuk i përgjigjet hallit, i jep një histori komunikimi.


Nuk i përgjigjet qytetarit, i jep një ndarje mes të përdorurve dhe të ndershmëve.


Ky është pushteti që nuk e hesht gjithmonë fishkëllimën.


E mbulon me regji.


Kjo nuk është sharje.


Nuk është etiketë.


Nuk është zemërim që kërkon pronar tjetër.


Është lexim i mekanizmit, pushteti që nuk e ndal fishkëllimën, sepse i mjafton ta mbulojë me zhurmë.


Por doktrina bëhet e varfër po u ndal vetëm te pushteti.


Sepse zhurma nuk jeton vetëm nga ai që e prodhon.


Jeton edhe nga ai që e pranon.


Jeton nga qytetari që do pjesëmarrje pa sakrificë, revoltë pa disiplinë, gjykim pa barrën e veprimit, një vend në korin publik pa dalë nga kënga.


Edhe protesta mund të bëhet këngë.


Jo çdo shesh është ndërgjegje.


Jo çdo brohorimë është përgjegjësi.


Jo çdo mikrofon është zë i qytetarit.


Jo çdo flamur është mandat.


Jo çdo plagë publike është e mbrojtur nga ata që duan ta marrin hua.


Protesta është e nevojshme sa herë kërkon dokumentin.


Bëhet e rrezikshme sa herë harron qytetarin.


Sa herë kërkon llogari, është qytetari.


Sa herë i kujton pushtetit se mandati nuk është pronësi, është e nevojshme.


Por sa herë mikrofoni bëhet më i rëndësishëm se mandati, sa herë foltorja bëhet më e madhe se qytetari, sa herë plaga bëhet fushatë, sa herë zemërimi merret hua, edhe protesta rrezikon të bëhet këngë tjetër mbi fishkëllimën.


Shqipëria nuk shpëton kur zhurma e pushtetit zëvendësohet me zhurmën e protestës.


Shpëton kur qytetari nuk lejon më askënd ta marrë hua, as me mandat, as me mikrofon, as me flamur, as me plagë.


Për kaq shumë ditë protestash, ky ka qenë edhe vendi im.


Jo vendi i atij që rri mënjanë për të ruajtur pastërtinë e vet.


Jo vendi i atij që e sheh plagën nga larg dhe pastaj shpall mençuri mbi lodhjen e të tjerëve.


Por vendi i atij që nuk pranon ta dorëzojë plagën te zëri më i lartë, te mikrofoni më i shpejtë, te flamuri më i gatshëm, te zemërimi më i tregtueshëm.


Sepse ka një ndryshim të madh midis qytetarit që zemërohet dhe matrapazit që jeton nga zemërata.


I pari kërkon drejtësi.


I dyti kërkon pronësi mbi revoltën.


I pari kërkon dokumentin.


I dyti kërkon foltoren.


I pari pyet kush firmosi, kush përfitoi, kush heshti, kush e ktheu tokën në marrëveshje dhe Republikën në zyrë shërbimi.


I dyti pyet kush do ta marrë mikrofonin pasi plaga të ketë mbledhur njerëz.


Nuk kam qenë kundër protestës.


Kjo do të ishte padrejtësi ndaj qytetarit dhe lehtësi ndaj pushtetit.


Protesta është e drejtë kur kërkon llogari, kur mbron tokën, kur kërkon dokumentin, kur nuk pranon që bregu, prona, mjedisi dhe dinjiteti publik të trajtohen si sende pa kujtesë.


Por nuk kam pranuar as ta shenjtëroj protestën vetëm pse është protestë.


Sepse edhe sheshi mund të gënjejë kur harron qytetarin.


Edhe mikrofoni mund të jetë pushtet i vogël mbi plagë të madhe.


Edhe zemërimi mund të bëhet treg kur dikush e merr hua për të blerë ditën-pas.


Ky është konteksti im.


Përballë zhurmës së pushtetit, nuk kam kërkuar heshtje.


Kam kërkuar përgjegjësi.


Përballë zhurmës së protestës, nuk kam kërkuar dorëzim.


Kam kërkuar mendim.


Përballë atyre që duan ta përdorin plagën si shkallë, kam kërkuar qytetarin.


Përballë atyre që duan ta kthejnë revoltën në pronë, kam kërkuar Republikën.


Një Shqipëri që mendon nuk është Shqipëri e ftohtë.


Është Shqipëri që nuk ia jep ndërgjegjen me qira askujt.


Nuk ia jep pushtetit, kur pushteti e mbulon fishkëllimën me regji.


Nuk ia jep protestës, kur protesta rrezikon ta mbulojë fishkëllimën me mikrofon.


Nuk ia jep medias, kur media e kthen plagën në episod.


Nuk ia jep matrapazëve të zemëratës, kur ata dalin jo për të dëgjuar britmën, por për të trashëguar zërin e saj.


Prandaj qëndrimi im nuk është neutralitet.


Është refuzim i dy zhurmave.


Nuk jam në mes të së mirës dhe së keqes.


Jam kundër çdo forme që e merr qytetarin hua, kundër pushtetit që e lodh pyetjen me shfaqje, kundër protestës që e harron mandatin e qytetarit për hir të foltores, kundër cinizmit që thotë “të gjithë njësoj janë” për të mos mbajtur më përgjegjësi, kundër atij zemërimi që duket i pastër vetëm sepse ende nuk ka marrë vulë pushteti.


Në këto ditë, Shqipëria nuk ka pasur nevojë vetëm për më shumë zë.


Ka pasur nevojë për një ndërgjegje që dëgjon.


Sepse britma e qytetarit nuk nderohet duke i vënë një këngë tjetër sipër.


Nderohet duke e çuar deri te dokumenti, deri te përgjegjësia, deri te prova, deri te akti, deri te një Republikë ku askush nuk e merr dot më plagën si prokurë për veten.


Prandaj, në kohën tonë, akti nuk është gjithmonë të bërtasësh më fort.


Ndonjëherë akti është të kërkosh letrën.


Të pyesësh kush e firmosi.


Kush përfiton. Kush e mandatoi.


Kush flet në emër të kujt.


Ku është dokumenti i pushtetit.


Ku është prokura e protestës.


Ku është fakti i medias.


Ku është dinjiteti i qytetarit.


Pa këto, edhe zemërimi mund të bëhet këngë.


Edhe protesta mund të bëhet zhurmë.


Edhe anti-e keqja mund të bëhet maskë e një pronari tjetër.


Shoqëritë nuk bien vetëm nga njerëzit e këqij.


Bien edhe nga njerëzit e mirë që nuk pranojnë koston e së mirës.


Ky është dallimi midis moralit si ndjenjë dhe karakterit si akt.


Morali si ndjenjë të lejon të trishtohesh, të zemërohesh, të komentosh, të thuash se kjo gjë nuk durohet më.


Karakteri si akt të kërkon të humbasësh diçka, rehati, marrëdhënie, interes, frikë, alibi, qetësi, fytyrë të mirë me të gjithë.


Pa këtë kosto, morali mbetet këngë e ngritur mbi britmën.


Republika nuk fillon aty ku të gjithë flasin.


Fillon aty ku dikush pranon të dëgjojë deri në fund.


Të dëgjosh deri në fund nuk do të thotë të konsumosh lajmin.


Do të thotë të mos largohesh nga pyetja që të kërkon pjesë.


Të dëgjosh deri në fund do të thotë të mos e kthesh plagën në episod, padrejtësinë në meme, protestën në foto, dokumentin në zhurmë, lodhjen në filozofi, cinizmin në mençuri.


Cinizmi është një nga këngët më të rrezikshme të kohës sonë.


Ai të jep pamjen e inteligjencës dhe të heq detyrimin e besnikërisë.


Një popull cinik nuk ka nevojë të bindet.


Mjafton të mos besojë më se ia vlen të ngrihet.


Këtu pushteti i zhurmës dhe qytetari cinik takohen.


Njëri prodhon lodhje.


Tjetri e quan lodhjen mençuri.


Njëri prodhon spektakël.


Tjetri e quan spektaklin provë se asgjë nuk ndryshon.


Njëri mbulon fishkëllimën.


Tjetri këndon më fort, sepse nuk do të mbetet vetëm me britmën.


Prandaj doktrina e fishkëllimës nuk është vetëm akuzë ndaj pushtetit.


Është gjyq mbi mënyrën si njeriu shpëton veten nga përgjegjësia.


Ajo pyet:


Çfarë zëri përdor kur nuk do të dëgjosh?


Çfarë debati hap kur nuk do të veprosh?


Çfarë ironie përdor kur nuk do të pranosh se ke frikë?


Çfarë zemërimi shfaq kur nuk do të marrësh përsipër pasojën?


Njeriu nuk është vetëm ajo që dëgjon.


Është edhe ajo që përdor për të mos dëgjuar.


Këtu ndahen shoqëritë që mund të ringrihen nga shoqëritë që vetëm rrotullohen brenda zhurmës së tyre.


Shoqëria që mund të ringrihet nuk është ajo që ka më shumë komente.


Është ajo që arrin të kthejë dijen në përgjegjësi, përgjegjësinë në akt, aktin në rend, dhe rendin në Republikë.


Republika nuk është thjesht institucion.


Është aftësia e një populli për të mos kënduar mbi britmën.


Është aftësia për të thënë, kjo gjë po ndodh, dhe unë nuk do ta mbuloj me zërin tim.


Nuk do ta fsheh me ironi.


Nuk do ta tres në debat.


Nuk do ta përdor për t’u dukur i drejtë.


Nuk do ta kthej në shkallë për një pronar tjetër.


Nuk do ta lë të bëhet pjesë e asaj lodhjeje ku gjithçka dihet dhe asgjë nuk ndalet.


Në këtë kuptim, qytetari i vërtetë nuk është ai që flet më shumë.


Është ai që nuk e përdor fjalën për të ikur nga akti.


Fjala është e shenjtë vetëm kur mban përgjegjësi.


Kur nuk e mban, bëhet perde.


Dhe perdeja më e rrezikshme nuk është ajo që e fsheh botën krejt.


Është ajo që e lë të duket mjaftueshëm sa njeriu të mendojë se ka parë, por jo aq qartë sa të mbetet pa alibi.


Kjo është perdja e zhurmës.


Ajo nuk na bën të verbër.


Na bën të papërgjegjshëm me sy hapur.


Prandaj fishkëllima nuk duhet dëgjuar vetëm si zë i së keqes.


Duhet dëgjuar si zë që provon karakterin.


Sepse kur fishkëllima vjen, nuk pyetet vetëm kush është në tren.


Nuk pyetet vetëm kush e nisi trenin.


Nuk pyetet vetëm kush e ruan shinën. Pyetet edhe kush këndoi.


Kush e ngriti zërin.


Kush e ktheu britmën në zhurmë.


Kush e përdori dijen për të shpëtuar nga përgjegjësia.


Kush e quajti lodhjen mençuri.


Kush e quajti dorëzimin realizëm.


Dhe një ditë, kur zhurma të ketë ikur, kur statuset të jenë harruar, kur debatet të mos kenë më emër, kur pushtetet të kenë ndërruar fytyrë, kur protestat të jenë bërë fotografi të vjetra, kur secili të mbetet vetëm me atë që nuk bëri, fishkëllima do të kthehet.


Jo si lajm.


Jo si debat.


Jo si temë.


Si gjyq i brendshëm.


Atëherë nuk do të na pyesë kush kishte faj.


Do të na pyesë pse kënduam.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page