E ardhmja me gojën e së shkuarës…

Rinia, urrejtja dhe arti i vjetër i sundimit
Nga Arian Galdini
Kur njeriu çlirohet, edhe mirënjohja e tij bëhet e lirë.
Mund ta nderojë përjetë atë që e ndihmoi të dilte nga sundimi dhe, një ditë, të mos i japë asnjë votë.
Mund t’ia njohë guximin, burgun e vuajtur, vitet e humbura, ndërsa kundërshton me gjithë forcën e vetë atë që çlirimtari kërkon të bëjë me pushtetin.
Këtu sakrifica nuk zhvlerësohet, përkundrazi, provohet kuptimi për të cilin u krye.
Nëse liria e fituar do të ishte e vlefshme vetëm për aq kohë sa të çliruarit miratojnë fituesin, ajo nuk do të ishte çlirim, por një detyrim i ri.
Një njeri mund të jetë autor i veprës që na nxori nga nënshtrimi.
Nuk bëhet prej saj autor i ndërgjegjes sonë.
As kjo liri nuk na lejon ta trajtojmë historinë si një rrëfim që ndryshon sipas miqësive politike.
Sakrifica e vërtetë kërkon kujtesë të ndershme, njohje të meritës, mbrojtje të dëshmisë nga shpifja dhe harresa. Mirënjohja mbart detyrime, përndryshe do të ishte vetëm një ndjenjë e rastit.
Por ato janë detyrime ndaj së vërtetës për atë që është bërë, jo një autorizim për atë që do të bëhet.
Njeriu që ka rrezikuar gjithçka për lirinë nuk fiton të drejtën t’i kërkojë tjetrit gjithçka në këmbim.
Sundimi mund të mbijetojë edhe pasi janë rrëzuar institucionet që e ushtronin.
Njerëzit që e kundërshtuan diktaturën mund ta kenë urryer me sinqeritet dhe, megjithatë, të kenë trashëguar prej saj bindjen se fituesit u takon të caktojnë vendin moral e politik të të tjerëve.
Ndryshojnë emrat që kërkojnë besnikëri, qytetari vazhdon të ndjejë se, përpara se të dëgjohet, duhet të përgjigjet se kujt i përket.
Këtë pyetje mund ta mësojë edhe rinia që nuk ka jetuar asnjë ditë nën diktaturë.
Ajo sjell guxim për ta sfiduar pushtetin, mosdurim ndaj padrejtësisë, aftësinë për ta përfytyruar një fillim që të mëparshmit e quanin të pamundur.
Por mund t’ia kërkojë qeveritarit lirinë e fjalës dhe t’ia mohojë shokut që kundërshton udhëheqjen e vetë.
Një brez i ri nuk është domosdoshmërisht fillim i ri i mendimit.
Ai fillim do të provohet kur i riu që thotë «jo» të pranojë ta dëgjojë të njëjtën fjalë edhe prej atyre që mbeten jashtë fitores së tij.
Nuk është gjithmonë pushteti ai që ia merr njeriut zërin.
Herë-herë këtë e bën frika se mos humbet njerëzit që ia kanë dhënë.
Një bashkësi mund t’i ketë mësuar dikujt guximin, t’i ketë dhënë gjuhën për të njohur padrejtësinë, t’i ketë qëndruar pranë kur të tjerët e braktisën.
Besnikëria ndaj saj mund të jetë mirënjohja më fisnike.
Rreziku lind kur, për të mbetur mes të vetëve, njeriu duhet ta quajë të vërtetë atë që ata kanë vendosur së bashku.
Atij mund të mos i jetë kërkuar kurrë të heshtë.
Mjafton të mos jetë i sigurt se do të vazhdojë të jetë i dashur po të flasë.
Jeta politike kërkon marrëveshje në veprim.
Një lëvizje ka të drejtë të marrë vendime, të kërkojë përgjegjësi për detyrimet e pranuara, të refuzojë propozime e të ndahet nga anëtarë që nuk ndajnë më qëllimin e saj.
Kjo nuk i jep kompetencë mbi dinjitetin e atij që kundërshton.
Udhëheqja mund të marrë shumicën e votave brenda organizatës; nuk merr me to pronësinë e gjykimit të pakicës.
Kur besnikëria ndaj një teze kthehet në kusht të pranimit moral, kushtetuta e pashkruar e pushtetit të ardhshëm ka filluar të zbatohet, shumë përpara programit të qeverisjes.
Urrejtja mund ta mbajë të fshehur këtë mësim.
Zemërimi kundër padrejtësisë është shpesh dëshmi se ndërgjegjja nuk është pajtuar me të keqen.
Por kur armiku bëhet i vetmi burim i kuptimit të përbashkët, lëvizja fiton unitet duke shtyrë pyetjen se çfarë do t’i detyrohet atij që do të mundë.
Mund të bashkohen për ta larguar një sundues njerëz që nuk kanë rënë dakord as mbi lirinë e njëri-tjetrit.
Për sa kohë armiku qëndron në pushtet, kjo mungesë marrëveshjeje duket e parëndësishme.
Pas fitores bëhet themeli i rendit që do të ndërtohet.
Njeriu që kërkonte drejtësi për veten duhet të vendosë tani nëse ajo do të vlejë edhe për atë që nuk e mbështeti.
Në Shqipërinë komuniste, Partia e shndërroi këtë ndarje në një rend të tërë jetese.
Nuk kërkonte vetëm zbatimin e urdhrave.
Pretendonte të shpallte të vërtetën, të gjykonte prejardhjen, të vendoste se çfarë të ardhmeje i lejohej njeriut sipas biografisë së familjes dhe besnikërisë ideologjike.
Një fëmijë mund të vuante pasojat e një faji që nuk e kishte kryer.
Besimi, fjala, lidhjet familjare mund të bëheshin arsye për përndjekje.
Burgjet, pushkatimet dhe internimet i jepnin këtij pretendimi forcën e terrorit.
E megjithatë, Partia nuk arriti t’i pushtonte të gjitha ndërgjegjet.
Për shumë njerëz i mjaftonte të sundonte sjelljen e dukshme, heshtja e detyruar krijonte pamjen e një besimi të përbashkët, dhe prej asaj pamjeje kundërshtimi dukej më i vetmuar.
Përgjegjësia për dhunën u përket atyre që e urdhëruan dhe e ushtruan, jo atyre që u detyruan t’i mbijetonin.
Por frika lë një trashëgimi që dekretet nuk e prekin, zakonin për të menduar çfarë do të humbasësh nëse flet, përpara se të mendosh nëse fjala është e vërtetë.
Demokracia e ka ndryshuar në themel këtë marrëdhënie.
Përbuzja shoqërore nuk është internim, turmat e ekraneve nuk kanë fuqinë terrorizuese të shtetit totalitar.
Ky dallim duhet ruajtur për hir të viktimave dhe të lirive të fituara.
Por ligji mund ta mbrojë të drejtën e fjalës ndërsa bashkësia e bën përdorimin e saj të kushtueshëm.
Përbuzja digjitale mund të fitojë miratim përpara se të shqyrtohet një arsye.
Kjo nuk ia heq askujt të drejtën të dënojë një mendim të lig ose të përgënjeshtrojë një gënjeshtër.
Kufiri preket kur kritika nuk kërkon më t’i përgjigjet mendimit, por ta shpallë njeriun të padenjë për statusin e barabartë që nuk ia ka dhënë turma.
Antikomunizmi shqiptar e ka përpara këtë dallim si detyrë historike.
Krimet e diktaturës kërkojnë drejtësi, përgjegjësi dhe një kujtesë që nuk i nënshtrohet interesit të asnjë partie.
Përndjekja nuk mund të relativizohet, por as të kthehet në titull të trashëgueshëm për të urdhëruar bindjen e brezit pasues.
Kush e dënon Partinë për monopolin mbi të vërtetën dhe kërkon për kampin e vetë të drejtën për t’u caktuar të tjerëve kufijtë e ndërgjegjes, lë në këmbë pretendimin që duhej të rrëzonte.
Kjo mund të ndodhë edhe pa qëllim të vetëdijshëm uzurpimi.
Katovica e Re është pikërisht mbijetesa e kësaj mënyre sundimi përmes forcave që premtojnë t’i japin fund.
Armiqësia e tyre mund të jetë e vërtetë, nuk nevojitet marrëveshje e fshehtë që secila ta mendojë shtetin si pjesë të fitores së vetë.
Institucionet kthehen në shpërblim, detyra publike në borxh mirënjohjeje, përkatësia partiake në udhën më të shkurtër drejt një të drejte që duhet të ishte e barabartë.
Republika mund të ketë zgjedhje dhe prapë qytetari të mësojë se, për të marrë atë që i takon, duhet më parë të njohë fituesin.
Qeverisja e Edi Ramës duhet të marrë fund me votën e lirë të shqiptarëve.
Por largimi i një qeveritari nuk e çliron shtetin nëse pushteti për të shpërndarë favore mbetet i njëjti.
Oligopoli PS–PD mbijeton për aq kohë sa secila forcë, kur merr epërsinë, mund t’i kthejë institucionet e përbashkëta në vazhdim të organizatës së vetë.
Kjo marrëdhënie duhet bërë e pamundur në ligj e në praktikë, administrata të mos varet nga biografia partiake, drejtësia të mund të kufizojë fituesin, qytetari që nuk e votoi të ketë të njëjtën të drejtë dhe të njëjtin atdhe.
Fituesit i takon të qeverisë për kohën e mandatit.
Nuk i takon ta marrë Republikën si pagesë për vitet që ka kaluar duke e kërkuar.
Merita dhe mandati vijnë nga dy burime.
Vlera e një sakrifice nuk varet nga mbajtja e qeverisë, mandati buron nga autorizimi i përkohshëm i qytetarëve dhe mbaron sipas rendit kushtetues.
Të mos e rizgjedhësh çlirimtarin nuk do të thotë t’ia fshish historinë.
Madje vepra e drejtë mbrohet nga shndërrimi në justifikim për gjithçka që mund të bëjë më vonë njeriu që e kreu.
As vota, as merita, as gjykimi moral nuk e krijojnë dinjitetin e personit.
Veprat kanë pasoja, një njeri mund të humbasë besimin e të tjerëve, një detyrë, edhe lirinë me dënim të ligjshëm për një krim.
Nuk bëhet qenie me më pak dinjitet.
Shumica mund të autorizojë qeverisjen e punëve të përbashkëta, por jo pronësinë mbi ndërgjegjen e pakicës, një të drejtë të tillë nuk e zotëron asnjë qytetar për t’ia deleguar dikujt tjetër.
Drejtësia e pavarur, kontrolli kushtetues, opozita e lirë dhe zgjedhjet që mund të humben realisht e mbajnë autoritetin brenda këtij kufiri.
Edhe ruajtësit e tij duhet të japin arsye dhe t’i nënshtrohen korrigjimit.
Por kufiri nuk kalon vetëm ndërmjet shumicës dhe pakicës së sotme.
Shumicat vdesin, ndërsa vendimet, institucionet dhe zakonet e tyre mund të qëndrojnë.
Brezat që nuk kanë lindur ende do të marrin prej nesh një botë për të cilën nuk kanë votuar.
Kemi përgjegjësinë t’u lëmë mundësinë reale për ta ndrequr, institucione që durojnë kundërshtimin, dije që mund të verifikohet, një gjuhë publike ku mund të kërkohet llogari.
Kujtesa e ndershme e bën këtë detyrë më të vështirë, sepse nuk ka trashëgim pa përzgjedhje.
Vendosim çfarë të ruajmë, çfarë të mësohet, cilave dëshmi t’u jepet vend.
Askush nuk mund t’u lërë pasardhësve një histori të paprekur nga pyetjet e kohës së vet.
Por mund t’u lërë edhe atë që e vë në vështirësi gjykimin e vetë.
Të ruash provat që të kundërshtojnë do të thotë të pranosh se e vërteta vlen më shumë sesa nderimi që pret të marrësh.
Liria e pasardhësve nuk e bën gënjeshtrën të drejtë, dëshmia për të vrarët, për të burgosurit e për sakrificat nuk mund të jetë pronë as e fituesit të djeshëm, as e atij që nesër dëshiron ta fshijë.
Edhe gjuha me të cilën pasardhësit do të na kundërshtojnë u vjen pjesërisht prej nesh.
Në fjalët e trashëguara gjejnë dije, besim, kujtime, urtësi, gjejnë edhe paragjykime që ne mund të mos kemi ditur t’i shohim.
Asnjë njeri nuk fillon të mendojë nga zbrazëtia.
Mund të marrë prej prindërve dhe mësuesve fjalët e para për të drejtën dhe, me kalimin e kohës, të arrijë me to në një të vërtetë që ata nuk do ta kishin pranuar.
Këtu e shkuara e bën të mundur lirinë që nuk mund ta kontrollojë.
E ardhmja do të ketë nevojë për gjuhën tonë.
Fjalën e saj nuk mund t’ia shqiptojmë ne.
Konservatorizmi i dinjitetit nuk e përbuz këtë varësi nga e shkuara.
Njeriu nuk bëhet i lirë duke i mohuar të gjitha lidhjet që e kanë formuar.
Kujtesa, besimi, dija e përcjellë dhe bashkësitë që nuk janë krijime të shtetit i japin një vend prej të cilit mund t’i bëjë ballë arbitraritetit.
Por ruajtja e tyre nuk i bën të shenjta edhe padrejtësitë që mund të kenë mbartur.
Një traditë jeton me dinjitet kur, përmes saj, njerëzit gjejnë aftësinë të ndreqin edhe atë që trashëgimlënësit nuk e ndreqën dot.
Prindërimi e ka këtë paradoks në vetë qëllimin e dashurisë, autoriteti i prindit duhet të përgatisë një njeri që një ditë nuk do të ketë nevojë për lejen e tij për të gjykuar.
Besimi e vendos ndërgjegjen përpara Zotit, atje ku pushteti politik nuk mund të pretendojë të jetë gjykatësi i fundit, një pohim i nxjerrë me detyrim nuk është fitore e besimit.
Prona e fituar me të drejtë mund t’i japë njeriut fuqinë materiale të thotë «jo» pa kërkuar mëshirën e qeveritarit.
Ajo nuk i jep pronarit asnjë të drejtë mbi personin e tjetrit.
Këto lidhje e mbrojnë njeriun në mënyra të ndryshme, sepse i lënë një jetë që shteti nuk mund ta përmbledhë në vullnetin e tij.
Shqiptaria e zgjeron këtë jetë përtej bashkësive të afërta dhe përtej një mandati.
Atdheu i përket edhe qytetarit që kundërshton shumicën, edhe atij që nuk e nderon fituesin, edhe brezit që do t’ia japë historisë sonë një gjykim tjetër.
Shqiptarizmi dhe E Djathta e Dinjitetit nuk mund ta pranojnë që një parti të ndajë përkatësinë kombëtare sipas besnikërisë ndaj vetes.
Kombi nuk është shpërblim elektoral.
Ai është vazhdimësia brenda së cilës shumicat ndryshojnë, kundërshtimet bëhen të mundura dhe askush nuk lind me më pak atdhe sepse nuk është në anën e fituesit.
Të rinjtë që sot kërkojnë t’i japin fund sundimit do të jenë një ditë vetë trashëgimlënës.
Do të kenë lënë pas vepra që meritojnë nderim dhe gabime që kërkojnë ndreqje.
Njerëzit që do t’i gjykojnë nuk do t’i kenë zgjedhur ata, një pjesë të gjuhës, të kujtesës dhe të lirisë së tyre do ta kenë marrë prej brezit të sotëm.
Mund të shpresojmë se do ta njohin të mirën që është bërë.
Nuk mund t’ua bëjmë atë njohje kusht për të qenë të lirë.
Çlirimi do të ketë arritur vërtet deri te e ardhmja kur ajo të jetë e lirë edhe të mos na quajë çlirimtarë.
Arian Galdini




Comments