Për shenjtërinë e 28 nëntorit🇦🇱🫶

Nga Arian Galdini
Përdorimi i 28 Nëntorit për përballjen politike të ditës është idiotësi politike dhe përdhosje e festës kombëtare.
Ndaj si qytetar, si prind, si kombëtarist ju drejtohem me këtë thirrje:
Organizatorë, shtyjeni protestën.
28 Nëntori i Skënderbeut dhe i Ismail Qemalit i përket kohës së kombit.
Brezi që e kremton sot ka detyrë t’ua lërë shqiptarëve të nesërm me fuqinë për t’i bashkuar.
Shenjtëria e festës kërkon ta ruajmë këtë fuqi edhe nga përdorimi që mund t’i bëjmë vetë.
Asnjë brez nuk e ka marrë Shqipërinë me të drejtën për ta konsumuar të gjithën në betejat e veta.
Pasardhësve u detyrohemi edhe ditët ku mund ta gjejnë njëri-tjetrin pa trashëguar armiqësitë tona.
Askush nuk ka të drejtë ta marrë për vete përfitimin politik të një përplasjeje dhe t’ua lërë brezave të tjerë rrezikun e përçarjes.
Përgjegjësia për trashëgiminë fillon përpara dëmit, te ajo që zgjedhim të mos e vëmë në rrezik.
Nderimi i sakrificave të mëdha të historisë kërkon sot prej organizatorëve një përmbajtje konkrete, ta lënë 28 Nëntorin jashtë betejës së tyre.
Kërkesat politike mund të paraqiten në një datë tjetër.
Festa kombëtare duhet të ruajë ditën e vetë.
Shtyjeni protestën.
Nëse tubimi megjithatë mbahet, mos lejoni, mos përligjni dhe mos toleroni asnjë akt dhune.
Ndaleni nxitjen e saj, edhe brenda radhëve tuaja.
Besimi i njerëzve ju ngarkon me përgjegjësi për jetën e tyre.
Shteti përgjigjet për çdo përdorim të forcës ndaj qytetarëve.
Dhuna është e papranueshme nga çdo palë.
28 Nëntorin ua kemi borxh edhe shqiptarëve që ende nuk kanë lindur.
Le t’ua lëmë të denjë për nderimin që do t’u kërkojmë.
Arian Galdini




Comments