top of page

Në emër të së mirës

1 day ago
4 min read

Nga Arian Galdini


Le të jetë i vërtetë çdo fakt që sillet kundër një qeverie.


Le të jetë i domosdoshëm largimi i saj.


Cila prej këtyre të vërtetave u jep organizatorëve të një proteste pushtet mbi bashkëqytetarët që ende duan që qeveria të qëndrojë?


Fajet e qeveritarëve mund të provohen një për një.


Ata që i kanë provuar kanë plot arsye t’i kërkojnë vendit të ngrihet.


Përgjigjja u përket ende atyre që u bëhet thirrja.


Pikërisht kur arsyet për të vepruar janë aq të forta sa refuzimi i të tjerëve bëhet i pakuptueshëm, merr peshë liria e ndërgjegjes së tyre.


Më 1906, te Miqtë e Volterit, Evelyn Beatrice Hall përmblodhi me një fjali qëndrimin e Volterit ndaj përndjekjes së Helvétius-it.


Volteri kishte rezerva për librin që u dogj.


Helvétius-it nuk i duhej ta bindte Volterin se kishte shkruar një libër të mirë që djegia e tij të ishte padrejtësi.


Edhe sikur kritikët t’ia kishin rrëzuar të gjitha argumentet, ai përsëri kishte të drejtë t’u përgjigjej.


Dinjitetin e kishte përpara debatit.


Në jetën politike, ky kufi shkelet nganjëherë për një arsye që meriton të dëgjohet.


Padrejtësia vazhdon dhe çdo ditë vonesë rëndon mbi njerëz që kanë pritur gjatë.


Drejtuesit kanë arsye të kërkojnë që të veprohet shpejt.


Por çfarë ndodh kur atyre që kërkojnë kohë për të shqyrtuar një vendim u ngarkohet si faj vuajtja së cilës ai vendim premton t’i japë fund?


Atyre që kundërshtojnë u kërkohet të tregojnë kujt i shërbejnë.


Pastaj vjen radha e atyre që ende do të donin t’i dëgjonin.


Mjafton që një përkrahës të kërkojë që kundërshtarin ta lënë të mbarojë fjalën, dhe tani edhe ai ka për të dhënë shpjegime.


Mund t’i ketë mbetur besnik gjithçkaje për të cilën u bashkua me të tjerët.


Ndërkohë ka ndryshuar ajo që i kërkohet në emër të besnikërisë.


Akuza u fiton kohë atyre që e ngrenë.


Deri pak më parë, arsyet për vendimin duhej t’i jepnin drejtuesit.


Tani ndershmërinë e tyre duhet ta provojnë ata që pyetën.


Akuza mund të bjerë të nesërmen dhe prapë ta ketë kryer punën e vet.


Vendimi ka kaluar.


Përgënjeshtrimi ndoshta ua kthen të akuzuarve emrin e mirë.


Bashkësisë nuk ia kthen dot çastin kur arsyet e tyre mund të kishin ndryshuar vendimin.


Ata që panë sa kushtoi pyetja e parë e peshojnë më gjatë të dytën.


Drejtuesit dëgjojnë më pak kundërshtime.


Mund të kenë fituar përkrahje e të kenë dëshmi për këtë.


Por si dëshmi nuk mund t’u shërbejë vetë pakësimi i kundërshtimeve, pasi ia kanë ngritur çmimin fjalës.


Po aq pak të drejtë kanë ata që denoncojnë trysninë t’i numërojnë të gjithë të heshturit si kundërshtarë.


Kuptimi i heshtjes u përket atyre që heshtën.


Askush nuk fiton mandat prej përgjigjes që nuk iu dha.


Edhe përkrahësve u bëhet një padrejtësi.


Disa kanë folur kur duhej guxim për ta mbrojtur kauzën.


Një mijë njerëz që thonë lirisht «po» mund të dëshmojnë për një mijë veta.


Kur drejtuesit i radhitin krah tyre edhe ata që heshtën nga frika, marrin hua guximin e të parëve për ta paraqitur heshtjen e të tjerëve si zgjedhje të lirë.


Përkrahësit dhanë fjalën e tyre.


Kush u mori leje ta përdorte atë fjalë edhe për dikë tjetër?


Përgjegjësia ndjek fuqinë që ushtrohet.


Kur një qeveri e lidh vendin e punës me bindjen politike, edhe atyre që kanë arsye ta kundërshtojnë u duhet të mendojnë me çfarë do ta mbajnë familjen po të flasin.


Drejtuesit opozitarë që vënë përkrahësit në lëvizje kundër atyre që i quajnë «tradhtarë» përgjigjen për autoritetin që ushtrojnë që sot.


Në shesh, për kërcënimin dhe dhunën mbajnë përgjegjësi ata që i kryejnë, i nxisin ose i organizojnë.


Protestuesit paqësorë ruajnë të drejtën të dalin për bindjet e tyre edhe sikur qeveria të ketë përgjigje për çdo pretendim që ngrenë.


Përndryshe, qeveritarëve do t’u mjaftonte të shpallnin të gabuar një kauzë për t’i dhënë vetes të drejtën të ndalonin protestën.


Për protestën e paralajmëruar më 28 nëntor, organizatorët sipas meje janë ende në kohë të zgjedhin një datë tjetër dhe të kundërshtojnë hapur çdo përdorim të dhunës.


Shqiptarët që dalin paqësisht në shesh kanë të drejtë ta nderojnë Pavarësinë edhe duke ushtruar lirinë politike që i jep kuptim asaj.


Kjo e drejtë mbetet e plotë edhe nëse data mbetet.


Por ka një arsye për t’u kërkuar organizatorëve përmbajtje.


Protesta mund të mbahet një ditë tjetër e të ruajë gjithë peshën e kërkesave të saj.


Përvjetorin e Pavarësisë më 28 Nëntor dhe atë të Çlirimit më 29 Nëntor shqiptarët i kanë bashkë pikërisht në ato data.


Kanë arsye t’i përkujtojnë bashkë edhe kur s’kanë asnjë arsye për të dalë në të njëjtin shesh.


Ata që dalin flasin për vete.


Ata që mungojnë nuk i kanë premtuar asgjë qeverisë.


Ndër njerëzit që do ta pësojnë një vendim të gabuar mund të ketë edhe nga ata që e mbështetën kur u mor.


Kanë të drejtë të dëshmojnë dy herë.


Herën e parë, për arsyet që patën për të besuar.


Herën e dytë, për atë që u ndodhi.


Të dyja dëshmitë mund të jenë të vërteta.


Kur e dyta pritet si tradhti ndaj së parës, drejtuesit mund ta ruajnë besimin te vendimi i tyre edhe shumë kohë pasi përkrahësve u është dashur të jetojnë me pasojat e tij.


Si mund të thonë drejtuesit se veprojnë për të mirën e njerëzve, kur njerëzit kanë frikë t’u tregojnë ç’dëm u kanë sjellë vendimet e tyre?


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page