Edi Rama, Kryeshenjtori…

Nga Arian Galdini
Pushteti i gjatë ka një ves të vjetër, kur ndërton, kërkon firmën mbi gur, kur shembet diçka, kërkon dëshmitarë.
Belinda Balluku është e pandehur në një procedim penal të SPAK-ut.
Vlora Hyseni, ish-drejtuese e SHISH-it, është nën hetim dhe ndaj saj është lënë në fuqi masa “arrest në shtëpi”.
Këto janë çështje të drejtësisë dhe fajësia penale mbetet individuale.
Por këtu fillon politika.
Sepse Kryeministri nuk është një turist që kalon rastësisht nëpër qeverinë e vetë.
Ai zgjedh, emëron, mbështet, mbron, promovon dhe kërkon besim për njerëzit e tij.
Kur punët shkojnë mirë, pushteti flet në vetën e parë.
Kur shpërthejnë dosjet, befas zbulon shumësin.
Atëherë lind pyetja që nuk mbyllet me formulën “le të flasë drejtësia”:
Sa larg nga vetja mund ta dërgojë përgjegjësinë një njeri që pushtetin e ka mbajtur kaq pranë vetes?
Sepse një gjë nuk mund të jetë njëkohësisht e vërtetë dhe e kundërta e saj.
Nuk mund të jesh I Pari kur pritet shiriti dhe i painformuari kur hapet dosja.
Nuk mund të jesh Shefi kur kërkohet duartrokitja dhe kalimtari kur kërkohet llogaria.
Dhe mbi të gjitha, nuk mund të ndërtosh mitin e njeriut që di gjithçka, vendos gjithçka, sheh gjithçka, pastaj të kërkosh besim se, pikërisht kur bëhet fjala për përgjegjësinë, nuk paske ditur asgjë.
Ky është paradoksi i Kryeshenjtorit, të kërkojë aureolën e autorësisë dhe imunitetin e padijenisë.
Në demokraci, të dyja bashkë nuk mund t’i ketë.
Arian Galdini





Comments