Poezi: Për cilin Atdhe?

Nga Arian Galdini
U premtova bijve të mi një atdhe më të mirë.
E thashë një mbrëmje, teksa njëri flinte
dhe tjetri vizatonte një pemë pranë shtëpisë.
Dielli i kishte dalë përtej fletës,
në tryezë kishte mbetur një vijë e verdhë.
Nuk më pyeti ç’ishte atdheu.
Më kërkoi ta mbaja letrën te cepi,
se shtëpia i lëvizte nën dorë.
Atë ditë, në aeroport, një nënë
ia kishte ndrequr jakën të birit edhe një herë,
pastaj e kishte bekuar largimin e tij
me gojën që ende donte t’i thoshte, rri.
E ndoqi derisa xhami ia ktheu fytyrën e vetë.
Nëpër shtëpi mbërrinin zëra nga larg,
në ekran buzëqeshja vinte pak pas fjalës.
Një nip kërkonte një fjalë shqipe,
gjyshja e kishte në buzë, por priste.
Unë vazhdoja ta mbaja fletën.
Biri po i bënte shtëpisë një dritare tjetër.
Vite më vonë, bijtë shpalosnin harta
mbi të njëjtën tryezë.
Kur thoshin nesër,
nuk kishim gjithnjë të njëjtin vend para syve.
Njëri e ndali gishtin mbi një qytet,
atje jetonte vajza që donte.
I vëllai e tha emrin e saj dhe qeshi,
tjetri e shtyu lehtë me bërryl.
Nisa t’u flisja për ç’na mbetej për të bërë këtu.
Biri nuk e hoqi gishtin nga harta.
Kur heshta, vazhdoi ku e kishte lënë.
E kisha marrë me vete kur ishte i vogël
të kërkonim varrin e njërit prej të parëve tanë.
Edhe mua më kishin çuar dikur për dore,
shtegun e mbaja mend vetëm deri te ulliri.
Mbi murin e ulët varej një degë,
era ia kthente gjethet nga ana e bardhë.
Ulliri ishte aty.
Varri nuk gjendej.
E kërkova përtej hijes, pastaj u ktheva
mbi gjurmët e mia. Nga muri tërhiqej drita
kur im bir ngriti një copë guri
sa pëllëmba e tij.
Në faqen e thyer m’u duk se kishte mbetur
gjysma e një shkronje.
- I kujt është? - më pyeti.
Doja t’i thosha se ishte i yni,
dhe ai do të më besonte.
Ma vuri në pëllëmbë. E anoja nga drita,
sikur shkronjat e tjera të dilnin
nga një lëvizje e dorës.
Kisha ardhur me një emër,
tani kërkoja që edhe guri ta thoshte.
- Nuk e di, - i thashë më në fund.
Kur ia ktheva, biri nuk e uli menjëherë,
e mbajti pak, pastaj e vuri në bar.
Në shesh, pllaka me emrin e ri
nuk mbulonte tërë gjurmën e së vjetrës.
Përreth, muri kishte mbetur më i çelët.
Burri që na tregoi rrugën
përdori emrin që nuk lexohej më.
Biri i përsëriti të dy, te kthesa
më bëri shenjë nga të shkonim.
Për disa njerëz dija vetëm një fjali
që ma kishin thënë të tjerët.
Ua kisha thënë bijve, tani ma thoshin ata.
Gishtat më shkonin te pëllëmba,
ku pluhuri i gurit rrinte nëpër rrudha.
Atdheun ma kishin lënë edhe në fjalë
që i mbaja mend më mirë se shtegun.
Kur thosha Shqipëri, biri më shihte në sy.
Për ata që s’kishin lindur flisja unë.
Nga dhoma tjetër i vogli më thërriste.
I thashë të priste edhe pak.
Mbrëmjeve kthehesha vonë.
Gjithë ditën kisha folur për të ardhmen,
të voglit i kishte dalë një këmbë
jashtë mbulojës.
Ia mbuloja pa ia prishur gjumin.
Vendi mund të gdhihej po ai,
im bir po rritej edhe atë natë.
I kisha quajtur të miat vitet e qëndresës,
ndërsa këmishët e të madhit
nisnin t’i rrinin mirë të voglit.
Kur thosha se do të qëndroja,
a flisja vetëm për jetën time?
Një mbrëmje i thashë: «Do të të përgjigjem nesër.»
Premtimin e mbaj mend, pyetjen e kam harruar.
Nganjëherë i përfytyroja larg.
Sikur bota të mos i mbante dot,
do të ktheheshin.
Më trembte sa ngrohtë mund të bëhej shtëpia
brenda asaj dëshire.
U thosha natën e mirë e mbyllja derën lehtë,
pastaj rrija në korridor, me dritën ndezur.
Shqipërinë ua kisha premtuar më të mirë.
Ende nuk e kisha mbajtur fjalën.
Im bir e kishte marrë biletën
kur më pyeti nëse shkohej ende te ulliri.
U kthyem së bashku.
Muri ishte shembur vende-vende,
rrënjët dilnin mes gurëve.
Biri e gjeti shtegun përpara meje
dhe më priti aty ku fillonte e përpjeta.
Varri ende nuk gjendej.
Ullirit i kishte rënë një degë e tharë.
Biri e tërhoqi mënjanë, nga poshtë
u ngrit një erë dheu të lagësht.
- Çfarë shkronje të duket? - më pyeti.
Në një cifël guri
gishti i tij ndiqte një vijë
që mund ta kishte hapur edhe dimri.
- Nuk e di, - i thashë.
Ai nisi të pastronte barin përreth.
U tërhoqa pak mënjanë,
sepse hija ime i binte mbi gur.
Arian Galdini





Comments