Thirrje intelektualëve të vendit tim🙏🇦🇱

Nga Arian Galdini
Ju quaj zejtarë të mendjes.
Jo për diplomat, titujt, librat apo auditorët. Zejtari nuk dëshmohet nga veglat që ka mbledhur, por nga ajo që ndërton me to.
Prandaj pyetja ime nuk është sa dimë.
Është kjo:
Çfarë kemi ndërtuar ne me mendjen tonë?
Kemi ndërtuar jetët tona. Profesionet. Karrierat. Emrin. Sigurinë. Shtëpitë. Mirëqenien.
Mirë kemi bërë, kur i kemi fituar ndershmërisht.
Por dija nuk mbaron te jeta e atij që e zotëron.
Ajo lë pas një borxh.
Borxhin e gjykimit.
Kush ka mësuar të dallojë faktin nga mashtrimi, argumentin nga propaganda, ligjin nga arbitrariteti, interesin nga e drejta, nuk fiton epërsi mbi njeriun tjetër.
Humb një pjesë të pafajësisë së vetë.
Sepse, nga çasti kur di të shohësh, nuk mund të kërkosh të njëjtën pafajësi kur zgjedh të mos shohësh.
Dija nuk na ngre mbi qytetarin.
Na lidh më fort me pasojën.
Një njeri që nuk ka shkruar kurrë një libër mund të ketë më shumë nder se një profesor.
Një punëtor mund ta kuptojë drejtësinë më mirë se një jurist.
Një nënë që ka mbajtur një familje me mundin e saj mund të dijë për ekonominë e jetës më shumë se ai që e shpjegon ekonominë nga podiumi.
Prandaj intelektuali nuk është prift i popullit.
Nuk është kujdestari i një shumice që pret të ndriçohet.
Nuk është pronari i shpresës.
Është njeriu të cilit i janë dhënë më shumë mjete për të kuptuar dhe, pikërisht për këtë, më pak të drejtë për t’u shtirur sikur nuk kupton.
Tradhtia fillon aty.
Jo kur njeriu i dijes jeton mirë.
Kur, për të jetuar mirë, fillon të paguajë me atë që nuk duhej ta shiste.
Nuk më shqetëson shtëpia e tij, më shqetëson fjala me të cilën është blerë qetësia e saj.
Nuk më shqetëson makina e tij, më shqetëson heshtja që udhëton bashkë me të.
Nuk më shqetëson suksesi.
Një shoqëri e lirë duhet ta nderojë suksesin e ndershëm.
Më shqetëson çasti kur njeriu e di se diçka është e rreme dhe e quan të vërtetë sepse e vërteta i kushton.
Kur e sheh padrejtësinë dhe i ndërton një arsyetim që ta bëjë të pranueshme.
Kur dijen nuk e përdor më për të kuptuar botën, por për t’i dhënë autoritet asaj që interesi i kërkon të thotë.
Atëherë dija nuk është më liri.
Është vegël në duart e dikujt tjetër.
Ne të gjithë i përkasim dikujt apo diçkaje. Familjes. Miqve. Besimit. Një ideje. Një historie. Një partie. Një kauze. Një vendi.
Përkatësia nuk është turp.
Besnikëria është njerëzore.
Por ekziston një kufi që as dashuria, as frika, as interesi, as bindja nuk kanë të drejtë ta kalojnë, asnjë përkatësi nuk ka juridiksion mbi faktin.
Nëse ana ime gënjen, gënjeshtra duhet të mbetet gënjeshtër edhe për mua.
Nëse kundërshtari im ka të drejtë, e drejta nuk humbet emrin sepse erdhi prej tij.
Nëse njeriu që dua shkel një kufi, nuk mund ta lëviz kufirin për të shpëtuar njeriun.
Miku mund të kërkojë besnikërinë time.
Partia mund të kërkojë mbështetjen time.
Kauza mund të kërkojë punën time.
Asnjëra nuk mund të kërkojë që faktin ta mas me një masë tjetër.
Sepse mendja që funksionon vetëm kundër kundërshtarit nuk është më mendje e lirë.
Është armë e kampit të vetë.
Dhe një shoqëri ku njerëzit më të arsimuar përdorin arsyen për t’i dhënë fitores së palës së tyre pamjen e së vërtetës nuk bëhet më e mençur.
Bëhet më e sofistikuar në mashtrimin e vetë.
Koha jonë na ka sjellë përpara një prove tjetër.
Për shekuj me radhë, dija ishte e vështirë për t’u mbledhur.
Kërkonte libra, gjuhë, udhëtime, biblioteka, vite.
Sot informacioni përshkon botën pothuajse në çast, gjuhë, përmbledhje, krahasime e argumente mund të prodhohen me një shpejtësi që brezat përpara nesh nuk mund ta përfytyronin.
Sa më i lirë bëhet prodhimi i fjalës, aq më e dukshme bëhet ajo që fjala nuk mund ta prodhojë vetë, autorësia e përgjegjësisë.
Një sistem mund të na ndihmojë të ndërtojmë një fjali.
Nuk mund të jetojë në vendin tonë pasojën morale të përdorimit të saj.
Mund të përpunojë informacion.
Nuk mund të marrë përsipër çastin kur ne e dinim një gjë dhe zgjodhëm të thoshim një tjetër.
Prandaj vlera e njeriut të dijes nuk mund të mbështetet më vetëm te ajo që di, te shpejtësia me të cilën përgjigjet apo te bukuria me të cilën formulon.
Prova është çfarë pranon të mbajë mbi emrin e vetë.
Fjala mund të shumëfishohet.
Përgjegjësia nuk delegohet.
Shqipërisë nuk i mungojnë zërat.
I mungojnë zërat që pranojnë peshën e asaj që thonë.
Nuk na duhen njerëz që vetëm përshkruajnë ngjarjen pasi ajo ka kaluar.
Na duhen njerëz që dallojnë çfarë po i bën ngjarja njeriut, institucionit dhe së nesërmes.
Që shohin ligjin dhe kërkojnë njeriun mbi të cilin bie.
Që shohin pushtetin dhe nuk e ndryshojnë faktin për hir të tij.
Që shohin opozitën dhe nuk ia falin gënjeshtrën vetëm sepse kundërshton pushtetin.
Që shohin shumicën dhe nuk e ngatërrojnë numrin me të drejtën.
Realiteti është materiali i zanatit tonë dhe arsyeja vegla, ndërgjegjja përcakton çfarë nuk kemi të drejtë të ndërtojmë me to.
Sepse përgjegjësia publike e dijes nuk është t’i tregojë qytetarit çfarë duhet të mendojë.
Është të mos ia helmojë mundësinë që të mendojë vetë.
Pushteti nuk ka gjithmonë nevojë që intelektuali të gënjejë.
Shpesh i mjafton t’ia marrë hua besueshmërinë.
Një jurist e kupton se fryma e ligjit është shkelur, por gjen formulën që shkelja të duket procedurë.
Një ekonomist e njeh koston, por nxjerr në dritë vetëm përfitimin.
Një gazetar e di pyetjen, por nuk e bën.
Një ekspert nuk falsifikon asnjë shifër, vetëm vendos emrin e vetë mbi një përfundim që e di se shifrat nuk e mbajnë.
Gënjeshtra nuk ka fituar vetëm një mbrojtës.
Ka marrë hua një ndërgjegje.
Dhe bashkë me të, besueshmërinë që vetë nuk e kishte.
Kjo është një nga format më të rafinuara të bashkëfajësisë së dijes, jo të shpikësh të pavërtetën, por t’i japësh asaj fytyrën e arsyes.
Edhe ne kemi heshtur.
Edhe ne kemi mbrojtur njerëzit tanë përtej së drejtës.
Edhe ne kemi folur kur duhej të mendonim më gjatë dhe kemi heshtur kur mendimi tashmë kishte mbaruar.
Prandaj kjo thirrje nuk vjen nga jashtë fajit.
Vjen prej tij.
Familja nuk është faj.
Mirëqenia nuk është turp.
Ambicia nuk është mëkat.
Por qetësia jonë pushon së qenuri vetëm çështje private kur për ta ruajtur duhet të dorëzojmë ndërgjegjen publike.
Atëherë faturën e paguan dikush tjetër.
E paguan qytetari që nuk di më cilit ekspert t’i besojë.
E paguan i riu që sheh meritën të presë në korridor ndërsa lidhja hyn pa trokitur.
E paguan studenti kur profesori që i ka folur për lirinë ul zërin sapo në dhomë hyn pushteti.
Leksioni vazhdon, por studenti ka marrë mësimin tjetër.
Jo atë që ishte shkruar në program.
Atë që jepet me sjellje.
Kështu edukojnë edhe institucionet, jo vetëm me atë që shpallin, por me kompromiset që normalizojnë.
Një universitet mund të flasë për lirinë dhe t’i mësojë nënshtrimin në korridor.
Një media mund të shpallë pavarësinë dhe t’i mësojë publikut emrat para të cilëve pyetja ndalet.
Një shtet mund të ketë ligje të mira dhe t’i mësojë qytetarit, përmes përvojës së përditshme, se ligji nuk shqiptohet njësoj për të gjithë.
Pastaj vjen një ditë kur pyetja e parë ndaj një fjale publike nuk është më:
“A është e vërtetë?”
Por:
“I kujt është ky?”
Aty Republika humbet diçka më të thellë se reputacionin e intelektualit.
Humb tokën e përbashkët ku njerëzit mund të mos bien dakord dhe, megjithatë, të pranojnë se fakti nuk ndryshon sipas flamurit që valëvitet mbi të.
Republika nuk mbahet vetëm nga zgjedhjet, ligjet dhe ndarja e pushteteve.
Mbahet edhe nga njerëz dhe institucione ku e vërteta mund të thuhet pa marrë më parë lejen e një pale.
Kur ata humbin besueshmërinë, shoqëria nuk humbet vetëm zërat që flasin.
Humb një pjesë të aftësisë për të korrigjuar vetveten.
Dhe pikërisht këtu shfaqet shpresa.
Jo si dhuratë që ne ua japim të tjerëve.
Jo si pronë e një elite.
Jo si premtim se gjithçka do të shkojë mirë.
Shpresa lind nga një provë më e përulur, se jo gjithçka është në shitje.
Se jo çdo mendje përkulet.
Se jo çdo emër jepet me qira.
Se ekziston ende dikush që, kur faktet e detyrojnë të ndahet nga ana e vetë, zgjedh të ndahet nga ana dhe jo nga e vërteta.
Prandaj thirrja ime nuk është, jepuni shqiptarëve shpresë.
Është më e vështirë.
Mos ua merrni.
Mos ua merrni duke e bërë servilizmin inteligjent.
Mos ua merrni duke i dhënë gënjeshtrës gjuhë akademike, juridike, ekonomike apo artistike.
Mos ua merrni duke u mësuar të rinjve, pa ua thënë kurrë me gojë, se për të jetuar mirë duhet të mësojnë së pari se kur duhet të mos shohin.
Nuk ju kërkoj heroizëm.
As pagabueshmëri.
As të ngriheni mbi shoqërinë.
Ju kërkoj vetëm që, kur të vijë çasti, një gjë ta quani me emrin e vetë edhe kur emri ju kushton.
Mos i jepni partisë atë që i përket faktit.
Mos i jepni mikut atë që i përket së drejtës.
Mos i jepni pushtetit atë që i përket ndërgjegjes.
Mos i jepni frikës të drejtën të përcaktojë çfarë është e vërtetë.
Bindja është e lirë.
Përkatësia është njerëzore.
Besnikëria ka dinjitetin e vetë.
Por faktit nuk i ndërrohet masa për hir të asnjërës.
Gjykimi nuk ka pronar.
Kjo është pjesa jonë.
Jo t’ua japim shqiptarëve shpresën.
Por të mos ua japim kurrë provën se edhe mendja mund t’i përkasë dikujt tjetër.
Arian Galdini





Comments