Edi Rama, Shqipëria nuk është mburoja jote…

Nga Arian Galdini
Edi Rama, jam qartësisht, vendosmërisht dhe pa asnjë përjashtim kundër dhunës.
Kundër djegieve dhe shkatërrimit.
Kundër sulmeve ndaj qytetarëve, policëve, institucioneve dhe pronës.
Kundër rrahjeve, keqtrajtimit dhe çdo abuzimi policor.
Jam po aq qartësisht e vendosmërisht kundër teje dhe mënyrës si po e përballon këtë krizë.
Gjithashtu unë nuk lejoj askënd që ta përdorë qëndrimin tim kundër dhunës si mbështetje për pushtetin e Edi Ramës.
Askujt nuk ia jap atë të drejtë.
Unë nuk dua që të digjet Shqipëria për të të larguar ty, Edi Rama.
Por nuk pranoj as që Shqipëria të mbajë çdo kosto vetëm që ti të mos largohesh.
Edhe nëse dënimi im i dhunës të jep më shumë kohë në pushtet, do ta dënoj përsëri.
Nuk do ta quaj të drejtë një padrejtësi vetëm sepse mund të të largojë më shpejt.
Koha që mund të fitosh prej përmbajtjes sime nuk është besim që ta kam dhënë.
Sot, më 18 tetor, iu përgjigje kërkesës për dorëheqje duke treguar një gur të hedhur në bulevard dhe duke e lidhur përgjigjen me rrugën drejt Bashkimit Europian.
Hedhjen e atij guri e dënoj.
Dora që e hodhi nuk flet në emrin tim.
Unë të drejtoj një kërkesë politike, ti më vendos përballë veprën e një dhunuesi.
Përpara se të japësh llogari për qeverisjen, më kërkon të mbrohem nga një faj që nuk është imi.
Atij që e hodhi gurin, kërkoji përgjegjësi për gurin.
Mua mu përgjigj për arsyet që po të jap.
Mund të thuash se dorëheqja jote gjatë dhunës do ta shpërblente dhunën.
Këtë rrezik nuk e shpërfill.
Por përse, për ta shmangur atë, dhunuesit duhet t’i jepet një fuqi tjetër, pra që dhuna dhe dhunari të vendosë kur kërkesa ime paqësore mund të dëgjohet?
Vepra e tij nuk duhet të caktojë kush qeveris.
Nuk duhet as ta nxjerrë qeveritarin jashtë gjykimit.
Kërkesa për dorëheqje duhet shqyrtuar për arsyet e saj.
As nuk bëhet e drejtë sepse dikush hedh një gur, as nuk bëhet e padrejtë për shkak të tij.
Në mënyrën si e paraqet krizën shoh përpjekjen për ta ngarkuar kundërshtimin paqësor me fajin e dhunës dhe pastaj me frikën për të ardhmen e vendit.
Qytetari mund të mos të besojë më, por duhet të të durojë, sepse largimi yt paraqitet si humbje për Shqipërinë.
Aty ku nuk të mbron besimi i tij, kërkon të të mbrojë frika e tij.
E ardhmja europiane e Shqipërisë nuk është pronë politike e kryeministrit.
Qytetarit nuk mund t’i kërkohet të heqë dorë sot nga gjykimi për qeverinë, në emër të një të ardhmeje që qeveria premton t’ia sigurojë nesër.
Ty të kërkoj të largohesh. Shtetit i kërkoj të më mbrojë ndërsa ta kërkoj.
Nëse këto dy kërkesa i paraqet si të papajtueshme, je ti që po e lidh shtetin me fatin tënd.
Flet për duar të huaja, për organizime që synojnë destabilizimin dhe për ndikime nga jashtë.
Atëherë përgjigju, çfarë po bën qeveria jote për t’i ndalur?
Sa më serioz ta shpallësh kërcënimin, aq më shumë duhet të japësh llogari për përgjigjen.
Rreziku e vë në provë detyrën e kryeministrit, nuk e heq atë.
Organizimet që nxisin, financojnë ose kryejnë dhunë duhen përballur përmes ligjit.
Ndërhyrja e paligjshme duhet ndalur.
Dezinformimit duhet t’i përgjigjesh me informacion të saktë e të kontrollueshëm.
Këto janë punë për t’u kryer, jo akuza për t’u përsëritur derisa të mos mbetet më vend për pyetje.
Nuk je komentator me detyrë kryeministri.
Edhe nëse e ke emërtuar saktë nxitësin, ende duhet të shpjegosh çfarë mund të ishte parandaluar, ku nuk funksionoi mbrojtja dhe çfarë po ndryshon që dëmi të mos përsëritet.
Faji i atij që sulmon nuk e shuan përgjegjësinë e atij që ka detyrën të mbrojë.
Qytetari që mbyll dyqanin nga frika ka nevojë të mund ta hapë përsëri.
Prindi që pret të birin të kthehet në shtëpi nuk mund ta shtyjë shqetësimin deri kur qeveria ta ketë fituar debatin.
Për të, nata nuk mbaron me mbarimin e fjalimit tënd.
Aty matet përgjigjja e shtetit, te njeriu që duhet të jetë i sigurt edhe kur nuk të beson ty.
Edhe kur nuk të besoj, mbetem qytetar i këtij vendi.
Detyrën e ke marrë edhe për të mbrojtur njerëz që do të kërkojnë largimin tënd.
Nuk më bën nder duke e përmbushur.
Nuk bëhem borxhli ndaj pushtetit tënd sepse shteti kryen detyrën ndaj meje.
Kur kërkon që, për hir të mbrojtjes, të kufizoj kundërshtimin, po më kërkon ta paguaj sigurinë me një pjesë të lirisë sime.
Këtë borxh nuk ta kam.
Shteti duhet ta mbrojë protestën paqësore, jo vetëm ta tolerojë.
Veprimi i dhunshëm i një pjesëmarrësi nuk ua heq të tjerëve të drejtat.
Polici që zbaton ligjin meriton mbrojtje, përgatitje dhe drejtim të aftë.
Ai që sulmon duhet ndaluar e duhet të përgjigjet për veprimin e vetë, polici që abuzon duhet të hetohet e të japë llogari.
Sulmi ndaj policit nuk përligj keqtrajtimin e protestuesit.
Abuzimi i policit nuk përligj djegien e qytetit.
Por përgjegjësia nuk mbaron te krahu që godet.
Janë njoftuar pezullime policësh dhe hetime disiplinore për tejkalime gjatë ndërhyrjeve.
Shqyrtimi duhet të shkojë deri aty ku e çojnë gjetjet, te veprimi individual kur përgjegjësia është individuale dhe te mangësitë e drejtimit kur ato dalin.
Pezullimi nuk është përfundim hetimi dhe as përgjigje për çdo pyetje mbi drejtimin.
Polici i sulmuar nuk është arsye që ne të heshtim.
Polici i hetuar nuk është garanci se përgjegjësia mbaron tek ai.
Në njërin rast duhet mbrojtur jeta, në tjetrin duhet shqyrtuar veprimi.
As rreziku që përballon efektivi, as shkelja që mund të ketë kryer, nuk ua heqin drejtuesve detyrën të përgjigjen për punën e tyre.
Unë ua kërkoj të gjithëve të heqin dorë nga dhuna.
Ty të kërkoj edhe llogari për mënyrën si organizohet mbrojtja, si ushtrohet autoriteti dhe si korrigjohet abuzimi.
Në gjykimin tim, drejtimi dështon kur faji i të tjerëve përdoret për t’i mbyllur këto pyetje.
Paaftësia nuk bëhet strategji vetëm sepse e shoqëron me një fjalim.
Polici në rrugë nuk mund të mbajë mbi shpinë edhe përgjegjësinë politike të atyre që e drejtojnë.
Sot ke përsëritur ftesën për dialog, me ose pa kamera, në Kryeministri, në fakultet apo në një format tjetër.
Atë ftesë duhet ta kthesh në përgjigje.
Çfarë pranon se ka dështuar?
Cilat vendime do të rishikohen?
Çfarë përgjegjësie merr qeveria?
Çfarë do të ndryshojë për njerëzit që kërkon të të dëgjojnë?
Nëse ndër Protestuesit ka nga ata që mund të duan të dialogojnë me ty, vendi i bisedës mund të zgjidhet.
Përgjegjësia nuk mund të shmanget.
Nëse ka gjasa e të interesuar, në atë bisedë, fjala e qytetarit duhet të mund të ndikojë në vendim.
Qeveria duhet të mund të dalë prej saj me një padrejtësi për të korrigjuar, një zgjedhje për të rishikuar, një zotim me afat e me përgjegjës.
Përndryshe, njerëzit janë ftuar vetëm të dëgjojnë nga afër atë që u është thënë prej kohësh nga larg.
Kërkoj që përgjigjja të mos jetë vendosur përpara se pyetja të dëgjohet.
Të korrigjosh një gabim të qeverisë nuk do të thotë të shpërblesh zjarrvënien.
Përgjegjësia politike për qeverisjen dhe përgjegjësia penale për dhunën duhet të ndiqen secila, pa e përdorur njërën për të pezulluar tjetrën.
Rendi që kërkoj është ai në të cilin qytetari mund të kundërshtojë qeverinë pa u keqtrajtuar dhe të jetojë pa u dhunuar nga protesta.
Siguria duhet ta bëjë të mundur këtë liri.
Nëse qetësia kërkon si çmim heshtjen politike, kriza vetëm është shtyrë brenda shoqërisë.
Njerëzit mund të largohen nga rruga, ndërsa arsyet që i nxorën aty të mbeten.
Ato nuk pushojnë së ekzistuari kur mbyllet transmetimi, kur hiqet kordoni policor apo kur mbaron fjalimi.
Qeveria duhet t’u përgjigjet edhe kur nuk dëgjohen më nga dritarja e saj.
Në arsyetimin që kundërshtoj, rreziku duhet të na bindë menjëherë, ndërsa përgjegjësia jote duhet të presë.
Qytetari e përballon sot pasigurinë, gjykimi mbi drejtimin shtyhet deri kur ti ta shpallësh kohën të përshtatshme.
Por nuk mund të jesh njëkohësisht njeriu që kërkon përjashtim nga llogaridhënia dhe ai që vendos kur mbaron arsyeja e këtij përjashtimi.
Çdo rrezik i ri do të mund të sillte një shtyrje tjetër.
Qytetari e paguan pritjen.
Afatin e saj e cakton ai që duhet të japë përgjigje.
Shqipëria nuk është e detyruar të zgjedhë midis dhunës në rrugë dhe paprekshmërisë tënde në zyrë.
Qytetarët mund të kundërshtojnë zjarrvënësin dhe kryeministrin.
Mund të duan rend pa dashur vazhdimin tënd në pushtet.
Unë jam një prej tyre.
Refuzimi im për t’iu bindur organizatorëve të protestës nuk është zotim për t’iu bindur qeverisë.
Kundërshtimi im ndaj teje nuk është detyrim për të duartrokitur dhunën.
Nëse opozita po e përdor zemërimin për llogarinë e vetë, kjo nuk të jep të drejtën ta përdorësh frikën për llogarinë tënde.
As akuzat për nxitjen ose financimin e dhunës nga interesa të huaja nuk ma heqin të drejtën të të kërkoj llogari.
Ndërhyrja e duarve të huaja nuk e kthen në detyrë kombëtare durimin e keqqeverisjes vendase.
Ti përgjigjesh për vendimet që ke marrë, për shqetësimet që ke shpërfillur dhe për drejtimin që po jep tani.
Në gjykimin tim, dështimi yt më i rëndë është se po e vendos mbrojtjen e pozitës tënde përpara përgjegjësisë që duhet të marrësh.
Qytetarit, të cilit i detyrohesh mbrojtje, po i kërkon të mbrojë vazhdimin tënd.
Kështu e bën qëndrimin tënd pengesë për përgjigjen politike që i duhet krizës.
Për këtë të kërkoj dorëheqjen tënde, me rrugë paqësore, demokratike dhe kushtetuese.
Jo me zjarr. Jo me gjak.
Jo duke shkatërruar atë që u përket shqiptarëve.
Dorëheqja e kryeministrit nuk është dorëheqje e shtetit nga detyra.
Institucionet duhet ta mbrojnë vendin dhe ta vazhdojnë rrugën e tij edhe pa ty.
Aftësia për të vazhduar përtej drejtuesit është provë e ndërtimit të tyre.
Varësia nga një njeri nuk është arritje që na detyron ta mbajmë atë përgjithmonë.
Mos na kërko të besojmë se Shqipëria është aq e fortë sa mund të përballojë çdo kërcënim, por aq e brishtë sa nuk mund të përballojë largimin tënd.
Sovraniteti i përket popullit.
Mandati për të qeverisur nuk është pronësi mbi vendin, detyra për ta mbrojtur nuk është e drejtë për ta lidhur me fatin tënd.
Largimi yt nuk i fal aktet e dhunës, nuk i mbyll hetimet dhe nuk ia jep automatikisht sheshit të drejtën për të qeverisur.
Ligji duhet të vazhdojë të veprojë, ndërsa përgjegjësia politike duhet të ketë pasoja.
Nuk pretendoj se dorëheqja jote do ta shuajë çdo rrezik.
Kërkoj që rreziku të mos përdoret për të të mbajtur jashtë pasojave të dështimit tënd.
Qytetari që kërkon sot largimin tënd do të ketë nesër të njëjtën të drejtë për mbrojtje dhe kundërshtim ndaj kujtdo që të pason.
Nuk po kërkoj t’ia ndërroj pronarin shtetit. Po kërkoj që shteti të mos ketë pronar.
Ndaleni dhunën, të gjithë, kushdo, kudo.
Shqipëria ka nevojë për siguri, drejtësi dhe përgjegjësi.
Nuk ka nevojë të bëhet mburoja jote.
Largohu.





Comments