top of page

Erion Veliaj dhe Edi Rama ose Indinjata me Kartë Partie!

4 hours ago
2 min read

Nga Arian Galdini


Partia Socialiste ka privatizuar edhe pasurinë më të padukshme të Republikës, të drejtën për t’u indinjuar.


Erion Veliaj transferohet nga paraburgimi i Durrësit në Fier.


Urdhri cilësohet sekret shtetëror.


Dy drejtues komisionesh parlamentare, socialistë, kërkojnë dokumentet nga ministri socialist.


Ministri urdhëron inspektim.


Pushteti ka arritur një përsosmëri groteske, i kërkon llogari vetes, pret përgjigje nga vetja dhe dokumentet i ruan si sekret ndaj publikut.


Ironia nuk qëndron te kërkesa e Veliajt për të drejtat e tij.


Edhe ai i ka ato, të plota, pavarësisht akuzave që rëndojnë mbi të.


Ligji nuk është medalje që i jepet njeriut të pëlqyer.


Është kufiri përtej të cilit shteti nuk lejohet të poshtërojë askënd.


Ironia qëndron te zbulimi i vonuar i ndërgjegjes brenda një partie që e ka trajtuar shtetin si zgjatim të pushtetit të vetë.


Papritur, dinjiteti i njeriut bëhet urgjencë, pikërisht kur njeriu mban mbiemrin e njërit prej njerëzve të saj.


Rama nuk bëhet garant i Republikës përballë Veliajt.


Veliaj nuk bëhet martir i Republikës përballë Ramës.


As fraksionet që zihen për të drejtën e njërit nuk marrin kështu licencë për të folur në emër të drejtësisë së të gjithëve.


Kur një pushtet e ka trajtuar shtetin si pronë, kalbëzimi i tij zbulohet përfundimisht kur vetë pronarët fillojnë t’i kërkojnë njëri-tjetrit faturat.


Dhe, për ironi, faturat shpallen sekret shtetëror.


Ky është korrupsioni deri në palcë, jo vetëm përvetësimi i pasurisë, por edhe përvetësimi i parimit.


Shqipërisë nuk i duhet të zgjedhë mes dy faqeve të së njëjtës biografi pushteti.


I duhet një Republikë ku dinjiteti nuk aktivizohet me kartë partie dhe ku as sekreti shtetëror nuk mund të shërbejë si zëvendësim i llogaridhënies.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page