Gaz Bardhi, Lapaj, Shehaj, ose Traktati i Bashkimit Opozitar, në Opinionin e Fevziut, me sharje…

Nga Arian Galdini
Mbrëmë, në “Opinion”, opozita shqiptare mbajti kuvendimin e saj më të sinqertë, u mblodh për t’u bashkuar dhe përfundoi duke provuar se sa shumë e urren vetveten.
Gazment Bardhi, Agron Shehaj dhe Adriatik Lapaj u ftuan të flisnin për frontin e përbashkët.
Dera e bashkimit u shpall e hapur.
Pastaj, mes Bardhit dhe Lapajt, në vend të argumenteve hynë arsenali i sharjeve me zë të çjerrë e të gafurrur, “maskara”, “hajdut”, karriget dhe tezet.
Një ceremoni fejese politike që, pa u shkrepur fotografia, nisi të ndajë pasurinë e divorcit.
Doktrina ishte madhështore, të bashkohemi të gjithë, me kusht që secili të pranojë se i vetmi që meriton të drejtojë: “jam unë.”
Kjo nuk është opozitë e bashkuar.
Është politeizëm i egove, tre altarë, tre zotër dhe asnjë vend për qytetarin.
Fyerjet e sharjet e zërat në kupë të qiellit me gërrthitje, ishin çasti i vetëm i sinqeritetit.
Njerëz që nuk durojnë dot njëri-tjetrin në studio kërkojnë besimin për të ndërtuar një shtet ku duhet të bashkëjetojnë miliona të ndryshëm.
Bashkimi politik nuk është pajtim fotografik, as dorëzim para egos më të zhurmshme.
Është aftësi për të njohur tjetrin pa e poshtëruar.
Edi Ramës nuk i duhet t’i ndajë.
Mjafton t’i ftojë bashkë në televizor.
Edhe përçarjen duan ta shesin si shpresë kombëtare….
Turp
Arian Galdini





Comments