Frika që i bëri bashkë!
Nga Arian Galdini
Kur ata që nuk rrinë dot bashkë gjenden papritur në të njëjtin shesh, qytetari nuk duhet të dehet nga pamja.
Duhet të ndalet.
Duhet të pyesë.
Sepse lajmi më i madh nuk është vetëm protesta.
Lajmi më i madh është bashkëprania.
Në të njëjtën valë janë pushteti, opozita e vjetër, të rinjtë e lejuar, mediat e kundërta, rrjetet civile, zërat radikalë, moralistët e vonuar dhe aparatet që zakonisht nuk ndajnë as gjuhë, as etikë, as program, as kujtesë.
Secili me fanellën e vet.
Të gjithë në të njëjtën pamje.
Kjo nuk është hollësi.
Kjo është çështja.
Kur ata që përditë e shpallin njëri-tjetrin armik durojnë kaq lehtë praninë e njëri-tjetrit, nuk mjafton të pyesim çfarë kauze i bashkoi.
Duhet të pyesim çfarë frike i mban bashkë.
Frika i bën njerëzit të rrinë bashkë më shpejt se dashuria.
Frika nuk i bëri të pastër.
Nuk i bëri të drejtë.
Nuk i bëri kujdestarë të së vërtetës.
I bëri përkohësisht të durueshëm ndaj njëri-tjetrit.
Këtu nuk flas për qytetarin e sinqertë që del për një plagë reale.
Ai meriton respekt.
Toka, prona, mjedisi, dosja, ligji, dinjiteti i banorit dhe e drejta për të ditur nuk janë lojë fjalësh.
Asnjë pushtet nuk ka të drejtë t’i kërkojë qytetarit besim para se t’i japë dokument.
Por qytetari i sinqertë nuk është pronari i vetëm i asaj që ndodh pasi del në shesh.
Mbi plagën e tij afrohen të tjerët.
Aparatet afrohen.
Mikrofonët afrohen.
Partitë afrohen.
Rrjetet afrohen.
Ata që e lanë qytetarin pa zë për vite, sot duan të flasin në emër të zërit të tij.
Ata që e lanë jashtë portës, sot sillen si kujdestarë të hyrjes.
Ata që e përdorën si numër, sot i flasin si sovran.
Ata që e përjashtuan të ndershmin, sot dalin si mbrojtës të qytetarisë.
Këtu fillon mashtrimi.
Këtu fillon pyetja e vërtetë.
Kush po e merr në pronësi këtë zemërim?
Kush po e përkthen këtë plagë?
Kush po e trashëgon këtë valë?
Kush do të dalë nesër dhe do të thotë, kjo protestë flet nëpërmjet meje?
Ata janë bashkë sepse kanë frikë.
Kanë frikë nga llogaria, nga fusha e hapur, nga humbja e monopolit mbi opozitën dhe nga qytetari që mund të mos ketë më nevojë për lejen e tyre.
Në çdo sistem të kapur, aparatet mund të duken armiq në skenë, por e njohin njëri-tjetrin si farefis kur rrezikohet burimi i pushtetit të tyre.
Ato mund të grinden për karrigen, për mikrofonin, për flamurin, për turmën.
Por bashkohen kur shfaqet njeriu që nuk kërkon të jetë pronë e askujt.
Dhe mbi të gjitha, këtu qëndron frika e tyre më e thellë, shqiptari i ndershëm, i papërlyer, i paautorizuar prej aparateve, ai që nuk ka pronar, nuk ka ekran që e mbron, nuk ka oligark pas shpine, nuk ka studio që ia prodhon rëndësinë, nuk ka rrjet të vjetër që ia hap mikrofonin, por kërkon të hyjë në jetën publike me të drejtën e vet.
Ky shqiptar është i mohuari i madh i Shqipërisë.
Jo sepse është i dobët.
Por sepse nuk i përket askujt.
I mohuari i madh nuk është ai që nuk ka zë.
Është ai që ka zë, por nuk ka pronar.
Prandaj e lënë jashtë.
E kanë lënë jashtë kur vendosej.
E kanë lënë jashtë kur ndahej.
E kanë lënë jashtë kur shkruhej loja.
E kanë lënë jashtë kur ndërtohej pushteti.
E kanë lënë jashtë kur opozita bëhej pronë.
E kanë lënë jashtë kur media vendoste kush ekziston.
E kanë thirrur vetëm kur u duhej trup për shesh, numër për fotografi, emocion për valë, votë për ditën e fundit, heshtje për ditët e tjera.
Në çdo sistem të kapur, qytetari i ndershëm është më i rrezikshëm se kundërshtari i zhurmshëm.
Kundërshtari i zhurmshëm negociohet.
Izolohet.
Përdoret.
Diskreditohet.
I ndershmi i papronësueshëm nuk hyn në këtë treg.
Prandaj sistemi e mban jashtë derisa i duhet si numër.
Ky është njeriu që i tremb.
Ai që nuk mund ta blejnë lehtë.
Ai që nuk e përfaqësojnë dot pa e gënjyer.
Ai që nuk hyn në radhë për të marrë leje nga porta e vjetër.
Ai që nuk e shet dinjitetin për një vend pranë mikrofonit.
Ata nuk janë bashkë sepse e duan qytetarin.
Janë bashkë sepse i ndershmi që nuk i përket askujt është rreziku më i madh për të gjithë ata që jetojnë nga pronësia mbi qytetarin.
Kjo është e vërteta e ftohtë.
Rinisja e vërtetë e një kombi nuk nis kur të vjetrit veshin fjalë të reja, kur partitë e konsumuara lahen nga drita e kamerave, kur mikrofonët e vjetër marrin zemërimin e ri dhe e shesin si ndërgjegje të sapolindur.
Ajo nis kur i mohuari i madh nuk pranon më të jetë material.
Kur shqiptari i ndershëm nuk pranon më të përdoret si dekor i ndryshimit.
Kur qytetari i papërlyer nuk pranon më të zgjedhë mes një aparati që mban pushtetin dhe një aparati që kërkon ta trashëgojë zemërimin.
Kur e reja nuk matet më me moshën e fytyrës, por me pastërtinë e burimit.
Kur ndryshimi nuk është më britmë e huazuar, por përgjegjësi që nuk shitet.
Ky bashkim i madh nuk është dëshmi pafajësie.
Është provë e rëndë.
Kur të gjithë rojtarët e vjetër të kuptimit publik dalin në të njëjtën pamje, ata nuk po shpallin lindjen e së resë.
Po e rrethojnë atë.
Po ia marrin emrin.
Po e kthejnë plagën në treg.
Po e kthejnë qytetarin përsëri në lëndë të parë.
Jo çdo shesh që bërtet kundër pushtetit prodhon liri.
Ka sheshe që shfryjnë zemërimin dhe e bëjnë të renë të duket e papjekur.
Ka sheshe që i japin pushtetit alibinë e stabilitetit dhe opozitës së vjetër mundësinë të ringrohet pranë një zjarri që nuk e ndezi për qytetarin.
Pastaj vjen rregulli i ri, seriozitet, përgjegjësi, pastërti institucionale.
Dhe porta mbyllet më bukur.
Jo në emër të frikës nga konkurrenca.
Në emër të mbrojtjes nga rrëmuja.
Kjo është loja më e hollë e së vjetrës, ta përdorë pamjen e kaosit për të kërkuar edhe më shumë kontroll.
Fakti që ata janë të gjithë bashkë nuk duhet kaluar lehtë.
Të gjithë bashkë nuk do të thotë Shqipëri e bashkuar.
Do të thotë aparat i bashkuar nga frika.
Do të thotë pronarë të vjetër që luftojnë për një plagë të re.
Do të thotë treg i së resë.
Do të thotë garë se kush do ta marrë në emër të vet shqiptarin e ndershëm, pikërisht atë që e kanë mohuar për vite.
Rinisja e Kombit nuk është turmë, pamje, emër i ri mbi sjellje të vjetër, fytyrë e freskët mbi uri të vjetër.
Rinisja e Kombit është çasti kur shqiptari i ndershëm nuk mbetet më jashtë.
Është çasti kur ai nuk thirret vetëm për të mbushur sheshin, por pranohet si burim i rendit.
Është çasti kur të përlyerit nuk kanë më të drejtë të caktojnë kush është i pastër.
Është çasti kur ata që kanë mbyllur portën nuk lejohen të bëhen udhërrëfyes të hyrjes.
Kjo është vija.
Nuk mjafton të dalësh kundër Ramës, nëse zemërimi mbetet mall për pronarët e vjetër.
Nuk mjafton të thuash “Shqipëri e Re”, nëse ia dorëzon atë njerëzve që e mbajtën Shqipërinë të vjetër.
Nuk mjafton të kesh qytetarë të sinqertë në shesh, nëse sinqeriteti i tyre bëhet kapital i atyre që nuk kanë qenë kurrë të sinqertë me këtë vend.
Prandaj pyetja nuk është vetëm pse dolën njerëzit.
Pyetja është pse u bënë bashkë rojtarët.
Përgjigjja ime është e ftohtë, nuk i bëri bashkë dashuria, pastërtia apo e vërteta.
I bëri bashkë frika, nga drejtësia, nga llogaria, nga fusha e hapur, nga qytetari që nuk pranon më të kalojë nga dera e tyre, nga shqiptari i ndershëm, i mohuar, i papronësueshëm, nga Rinisja e vërtetë e Kombit.
Sepse një komb nuk rinis kur të gjithë bëhen bashkë për disa ditë.
Rinis kur shqiptari i ndershëm nuk mbetet më vetëm për vite.
Një komb nuk rinis kur e vjetra thërret me zë të ri.
Rinis kur qytetari nuk pranon më të jetë pronë e askujt.
Arian Galdini





Comments