top of page

Ftesë



Miq,


Pamjet e flakës në rrugë kanë një fuqi të ftohtë, e bëjnë Shqipërinë të dallohet për botën në një çast, pastaj ia mbajnë zërin peng për shumë kohë.


Një kuadër i vetëm, i prerë, bëhet fjala e fundit për ne, tym, përplasje, britmë.


Dhe nën brinjë mbetet ajo ftohtësi që s’ka nevojë të shpjegohet, sepse e njeh vetë trupi kur e kupton se fotografia do të jetojë më gjatë se e vërteta.


Rrëshqitja nuk vjen gjithmonë si dhunë e shpallur.


Vjen si zëvendësim i pashpallur, jo e vërteta rrëzohet, por detyrueshmëria e saj ndërrohet.


Fjala fiton shpejtësi, përgjegjësia humb dritën.


Pastaj, pa u ndjerë, e marrim shkrepësen për dëgjim, sikur pa ndezje s’jemi të dëgjueshëm.


Telefoni ngrihet vetëm kur digjet diçka.


Kjo e ndryshon qytetin më shpejt se çdo fjalim.


Nga kërkesë për drejtësi rrëshqet në garë sendesh.


Një banderolë e djegur mban më shumë hapësirë se një fjali e mbajtur.


Një maskë e zezë, e kapur në kornizë, bëhet më e besueshme se një pyetje e thjeshtë që kërkon llogari.


Tepria s’e shton forcën, e ha nga brenda, derisa vetë protesta nis të jetojë me aprovime të shpejta dhe çdo akt kërkon aktin tjetër, më të fortë, më të dukshëm, më të shpejtë.


Këtu gjuhës i ndërrohet fytyra.


Emri s’thuhet më, thuhet nofka.


Kundërshtarit i hiqet emri dhe i vihet etiketa. Fytyra bëhet e tepërt.


Dhe kur fytyra bëhet e tepërt, barazia para ligjit nuk prishet me krismë, prishet si rregull i heshtur, pa dritë, pa dëshmitar, si një prishje e vogël që rritet në errësirë.


Turpi kërkon fytyrë.


Kur fytyra hiqet nga fjala, turpi humb vendin ku bie.


Atëherë poshtërimi ftohet e bëhet mënyrë, jo vetëm në sharje, por në të qeshurën që e shoqëron poshtërimin, në mënyrën si emri zëvendësohet me etiketë, në mënyrën si njeriu kthehet në send që mund të shtyhet, të përdoret, të zhduket nga fjalia.


Nëse qeshim me emrin, ligji nis të qeshë me ne.


Këtu hyn edhe mashtrimi më i rrezikshëm, që dhuna, edhe kur vishet si “gjest”, edhe kur shitet si çast i domosdoshëm, paska të drejtë të zërë vendin e arsyes.


Dhe kur kjo pranohet një herë, nuk mbetet te sheshi, hyn në gjuhë, në shije, në mënyrën si e shikon tjetrin, në mënyrën si e thërret.


Aty kundërshtia e humb nderin e vet dhe mbetet vetëm temperatura.


Ka një provë më të thjeshtë se çdo program, karrigia.


Ajo nuk gjendet. Njerëzit nuk ulen, rrinë në këmbë dhe numërojnë palët.


Pa ulje nuk ka dëgjim, matet forca.


Aty ku matet vetëm forca, askush s’merr fajin.


Dhe aty ku faji nuk merret, e vërteta nuk ka ku të qëndrojë, ose bëhet britmë, ose bëhet vegël.


Ulemi, dhe zëri bie pa urdhër.


Në atë rënie, fjala s’ka më ku të fshihet.


Ose mban, ose rrëzohet.


Karrigia është forma më e thjeshtë e paqes publike, jo si ndjenjë e butë, por si kufi që e mban kundërshtinë njerëzore.


Kufiri që e ndalon etiketën të zëvendësojë emrin.


Kufiri që e ndalon turmën të marrë fytyrën peng.


Unë e shoh “Paktin Kombëtar të Urtisë” si kthimin e karriges në vendin e vet.


Paqe, jo si dekor, por si disiplinë, dhuna dhe poshtërimi nuk bëhen mjet.


Sheshi mbetet dritë për plagën, por nuk bëhet varësi nga ndezja.


Zëri mbetet i lirë, por nuk shitet për aprovime.


Dhe emri i tjetrit mbetet emër, sepse aty fillon edhe vendi i së vërtetës sime.


Telefoni ulet kur karrigia kthehet.


📌 Takimi themeltar i nismës “Pakti Kombëtar i Urtisë”

🗓️ E hënë, 2 Mars 2026

🕡 Ora 18:30

🏛️ Selia e Akademisë Galdini


📍 Akademia Galdini

Pallati i Turkeshëve, te kryqëzimi mes Rrugës Qemal Stafa dhe Rrugës Derhemi,

Tiranë, Albania


🧭 Vendndodhja (Google Maps): https://g.page/r/CfC7wCOKnh_JEBI


———


📩 Inbox në Facebook

📱 WhatsApp: ✅ +355 68 406 0131 | ✅ +355 67 205 1564


Arian Galdini


President i Akademia Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page