Poezi: Hiri që s’fryhet!

Nga Arian Galdini
Fitili u përkul pak.
Fitil i nxirë, pa dritë.
Mbi majë qëndroi pluhuri i hirtë, aq i imët sa mezi dukej,
jo i shpërndarë, por i mbajtur,
si heshtja.
Dora jote iu afrua dritës që s’ishte më.
Jo për ta kthyer.
Për të mos e bërë dritën vegël.
Drita u hap.
Pastaj u ul.
Më vonë, ekrani u ndez.
Një fjali u ngrit brenda teje, e shpejtë, e pastër,
aq e pastër sa dukej e drejtë.
Gishti u var mbi të.
Veç një shtypje.
Para se të shtypte,
u ndal.
Fitili mbeti aty.
Hiri nuk u ngrit.
Një frymë e vetme,bëhet tym.
Ka të këqija që vijnë me zhurmë.
Njeriu i sheh dhe trembet.
Por ka të tjera që vijnë të pastra,
me arsyen e ftohtë të një fjale të saktë,
me tundimin e një drejtësie që s’ka zemër.
Ato janë më të rrezikshme,
nuk të kërkojnë të biesh,
të kërkojnë të qëndrosh,
por i ftohtë në gisht.
Në atë natë, ti zgjodhe një saktësi tjetër.
Ekrani rri hapur.
Fjalia mbetet brenda teje.
Dhe ajri nuk merr nga ti një grimë tymi të ri.
Kur të lënë jashtë, tundimi është të bëhesh grimcë.
Kur të thërrasin, tundimi është të bëhesh flakë.
Ti pate vetëm fitilin e shuar,
dhe një grusht fryme që mund të bëhej hi.
Në mëngjes, qiriu ishte ende aty.
Hiri po ashtu.
Nuk e preke.
E le mbi majë.
Dhe kur gjithçka u qetësua,
nuk mbeti ndonjë fitore për t’u treguar.
Mbeti vetëm fitili i shuar,
me hirin e vet të imët mbi majë,
që nuk u bë tym.
Ti s’i fryve.
Arian Galdini





Comments