Harmonia e Hipokrizisë!

Nga Arian Galdini
Jo çdo bashkim është virtyt.
Bashkimi është i ndershëm kur i nënshtrohet së vërtetës.
Bëhet i rrezikshëm kur kërkon që e vërteta t’i nënshtrohet bashkimit.
Aty fillon hipokrizia, kur uniteti nuk kërkon më ndërgjegje, por heshtje.
Prandaj nuk më mjafton thirrja, të bashkohemi.
Pyetja ime është më e thjeshtë dhe më e rëndë:
Në emër të kujt?
Bashkimi i ndershëm tregon mandatin, rregullin, kufirin, përgjegjësinë, ditën-pas.
Bashkimi hipokrit thotë, mos pyesni tani, kemi armik të përbashkët.
Por armiku i përbashkët bëhet alibi kur përdoret për të ndaluar pyetjen se kush do ta trashëgojë pushtetin pas tij.
Kundër kujt jeni, mund ta dimë.
Në emër të kujt flisni, këtë duhet ta thoni.
Kush ju mandatoi?
Kush ju kontrollon?
Kujt i jepni llogari?
Çfarë ndodh me qytetarin kur mbaron armiku i përbashkët?
Këtu ndahet bashkimi nga pazari.
Këtu ndahet fronti qytetar nga paradhoma e pushtetit.
Këtu ndahet liria nga bindja me emër të ri.
Nuk jam kundër bashkimit.
Jam kundër bashkimit që kërkon verbëri.
Jam kundër harmonisë që nuk duron pyetje.
Jam kundër paqes së rreme mes atyre që nuk ndajnë të vërtetën, por mundësinë.
Bashkimi pa mandat nuk është unitet.
Është rreshtim.
Bashkimi që nuk duron pyetje nuk është front qytetar.
Është paradhomë pushteti.
Kur ata që kërkojnë pushtetin e nesërm kërkojnë heshtje në emër të shpëtimit, qytetari nuk po çlirohet.
Po ftohet të zgjedhë pronarin e ri para se të ketë fituar lirinë.
Ata janë të gjithë bashkë jo sepse duan të njëjtën Shqipëri, por sepse në të njëjtën krizë secili sheh copën e vet të pronësisë mbi qytetarin.
Njëri do mikrofonin.
Tjetri do flamurin.
Tjetri do moralin.
Tjetri do vulën.
Tjetri do ditën pas.
Dhe të gjithë kërkojnë nga qytetari të mos pyesë shumë, sepse “nuk është koha”.
Por kur të thonë se nuk është koha për pyetje, atëherë pyetja bëhet detyrë.
Një vend nuk shpëtohet duke zëvendësuar një pronar me një bashkësi pronarësh.
Nuk çlirohet qytetari kur i ndërrohet administratori i zemërimit.
Nuk lind republika kur sheshi bëhet kapital i atyre që presin radhën për ta përkthyer në pushtet.
Qytetari nuk doli për të ndërruar pronar.
Doli që të mos ketë më pronar.
Prandaj çdo harmoni që nis duke i kërkuar të heshtë, nuk është bashkim.
Është prova e parë e bindjes që do t’i kërkohet nesër.
Bashkimi pa të vërtetë nuk është shpëtim.
Është administrim i ri i bindjes.
Arian Galdini





Comments