top of page

I kanë mësuar “militantët e partive” dhe profilet anonime që shtiren si “flamingo” që të më shajnë ndryshe…🤣🤣🤣🤣



I kanë mësuar “militantët e partive” dhe profilet anonime që shtiren si “flamingo” që të më shajnë ndryshe…🤣🤣🤣🤣


Tani më thonë, ti je kundër të gjithëve, je oponent me të gjithë…


Ose më shkruajnë, pse vetëm, dil në shesh, bashkohu me popullin në shesh..


Ose, mos bëj cinikun dhe mos vrit frymën e protestës…


U them:


Ore, mblidheni mendjen. Mua burrninë e nderin ma kanë mësuar vetëm e në vetmi, e madje edhe kundër a përballë gjithë botës…


Asnjëherë burrnia e nderi, vlerat dhe e vërteta nuk maten shumica, turma apo masa njerëzore.


Vetëm, vetëm dhe vetëm vetëm.


Kush nuk ka këllqe ti qëndrojë të ligjve vetëm, nuk bëhet dot trim në turmë…


Pikë.


Unë kam 36 vjet që u qëndroj xhambazëve e zuzarëve të këtij vendi, përballë e kundër, krejt i vetëm…


I vetëm kam qenë unë, kundër Ramës, Berishës, Metës, Sorosit e Soroistëve, hajdutëve e plaçkaxhinjve, partive të vjetra e të reja, grabitqarëve të vjetër e të rinj, horrave, oligarkëve, pronarëve të mediave, shërbëtorëve të regjimit 3 palësh, e çdo marifeti e marifetciu, çdo sajese e kloni që Regjimi ka krijuar e grazhduar, para dt 29 maj 2026 ku nisi ky Revolucion…


I vetëm e njëlloj jam sot.


I vetëm e njëlloj e më fort kundër këtyre do të jem edhe nesër…


Nuk më tremb e as dënon vetmia…


Mos ma kini merakun.


Të vetmuar lindim në këtë botë, të vetmuar vdesim, të vetmuar japim llogari para Zotit…


Përveç binjakëve, trinjakëve, katërnjakëve, etj, 🤣, askush nuk ka ardhur në turmë, as në grup, e as në garumbull, në këtë botë…


E sigurtë është se të gjithë do ikim vetëm e do japim llogari vetëm.


A jam kundër të gjithëve?


Po.


Por jo kundër qytetarëve, jo kundër popullit.


Kurrësesi.


Jam kundër të gjithëve Atyre që ngrenë Skena e bëjnë Prapaskena.


E këtu ka një dallim të madh…


“Ata” që ngrenë skena e bëjnë prapaskena në këtë vend, ka 36 vite që janë keqbërësit më të mëdhenj të këtij populli e të këtyre qytetarëve…


“Ata”, pra xhambazët e Regjimit Rama - Berisha, PS - PD, Oligarki, Pronarë Mediash, Grup Kriminale, Soros e Soroistë, etj, “Ata” edhe në formën e partive të vjetra, edhe në formën e partive të reja, edhe në formën partiake edhe civile, edhe me fytyra politike edhe me fytyea civile, edhe me pushtet edhe me protesta e revolucione, “Ata” janë demonët e ligësisë që e kanë mbajtur dhe mbajnë peng Shqipërinë…


Unë jam kundër “Atyre” dhe vetëm kundër “Atyre”, cilado qoftë forma e loja e skena që “Ata” ngrenë.


Nuk jam kundër qytetarëve, e nuk jam kundër popullit..


Jam vetëm e qartësisht kundër “Atyre”, kundër xhambazëve që ngrenë skena e bëjnë prapaskena.


E kuptoj që loja e sofistikuar e tyre, kur ngre skena, krijon edhe platenë, sheshin me turma e popull, sepse kështu veprojnë “Ata” gjithmonë…


A nuk ngriti Hitleri, “ushtri” me popull e bij të popullit?


A nuk ngriti Enveri, diktaturën e proletariatit?


A nuk kanë 36 vite që PS, PD, etj, Rama - Berisha, fitojnë e janë të mëdhenj me votat e shumicat e popullit?


Të jesh përballë PS, sot, a nuk mund të keqinterpretohet se je kundër popullit, sepse aty kanë votuar 800 mijë e kusur votues?


Të jesh përballë PD, sot, a nuk mund të keqinterpretohet se je kundër popullit, sepse aty kanë votuar 500 mijë e kusur votues?


Të jesh përballë Partive të Reja klone e surrogato që ka krijuar Rama me Berishën e me Oligarkët e Pronarët e Mediave, sot, a nuk mund të keqinterpretohet se je kundër popullit, sepse aty kanë votuar 150 mijë e kusur votues?


Atëherë çfarë ndryshon me sheshin?


Se nuk e kuptoj…


Çfarë ndryshon me Revolucionin e Protestat?


Skena e Prapaskena e Revolucionit të Flamingove janë sipas meje, Rama - Berisha - Partitë e Reja klone e surrogato që kanë krijuar Rama e Berisha dhe Oligarkët e Pronarët e Mediave, janë vetë Oligarkët dhe Pronarët e Mediave…


Populli është dekor i sheshit..


Pa Ramën - Berishën - Partitë e Reja Klone e Surrogato, pa Oligarkët, pa Pronarët e Mediave, aty nuk do kishte këmbë qytetari.


Pikë.


Kuptojeni këtë.


Iluzioni dhe mashtrimi i madh që po ndodh është, se ngaqë “Ata”, xhambazët, janë të gjithë bashkë aty në shesh, “militantëve” të tyre po u duket çudi e habi sesi janë aq shumë aty në shesh çdo natë…


Është iluzion, është mashtrim, është “armpushim” i përkohshëm i “xhambazëve”, sa të mbyllin pazaret e sa të bëjnë ligësitë e radhës…


Popujve të Partive që janë mësuar të jenë militantë u bën habi kur janë bashkë në shesh pa asnjë armik përballë, e kjo u krijon gënjeshtrën elektrizuese, mashtruese, mpirëse, se aty po bashkohet populli e qytetarët e lirë..


Nuk po them se nuk aty qytetarë të lirë e me plagë.


Jo, kurrësesi.


Si çdo ditë e çdo natë, e papushim këto ditë, e kam përsëritur e ripërsëris, se plaga e qytetarëve është e madhe dhe lëngon e kullon.


Dhe unë për qytetarët dhe revoltën shpirtërore të qytetarëve me plagë reale e të vërtetë, kam respekt e nderim, e përulem plot dashuri e mirësi ndaj tyre.


Këtu po shpjegoj skenën dhe prapaskenën, e “Atyre” që ngrenë e administrojnë zemëratën dhe krijojnë mashtrimin më të madh të historisë 36 vjeçare…


Kuptojeni, militanti i PD është mësuar 36 vite të dalë në shesh për me e kall…


Kur nuk e kallnin shfrynin me molotovë e fishekzjarre, heroifikoheshin duke u përplasur me policinë, e gazin lotsjellës, dhe shkonin pas çdo proteste në shtëpi, se do vijë një ditë që protesta finale do vijë e këtë punë nuk e ndan xhiroja, as zjarrin në shishe, por “dhuna”…


Këta, kur vijnë tek sheshi i Flamingove, habiten me zjarrin e shpirtit, sepse janë mësuar me zjarrin në shishe, ose zjarrin në kallash..


Njëlloj edhe militantët e PS..


Ndërsa “aktivistët e partive të reja” dhe të shoqërisë civile, janë mësuar me protesta ku numërojnë veten bashkë me kameramavë e fofotgrafë, që të kalojnë numrat mbi 80 veta…


Kur shohin kaq shumë njerëz në shesh, këta, normalisht që kujtojnë se “xhindi” ka hapur tapën e shishes e populli po vërshon…


Askush nuk po e kupton, që aty janë të gjithë bashkë, “Ata”, Rama e Berisha…


Popujt e partive aty po përjetojnë “krishtlindjen” e frontit në L1B (Luftën e Parë Botërore) kur luftëtarët e ushtrive armike, dolën nga trinçetë, e festuab bashkë një natë, pasi ishin vrarë ditën më parë, e para se të riktheheshin për tu vrarë përsëri ditën më pas…


Kaq e thjeshtë është.


Ky nuk është Revolucion, është mashtrim, është iluzion.


Këto nuk janë Protesta, nuk janë Revoltë, janë “krishtlindja e L1B” ku “festojnë” të gjithë bashkë derisa të rikthehen në trinçe e llogore.


A jam unë cinik me këto që po them e shkruaj?


Jo.


Aspak.


Nëse do heshtja e do mendoja këto që shkruaj, e pasi të ndodhë kështu si mendoj unë, nëse do flisja nesër, ju do më shanit e do më thonit: Ti tani flet si kofini pas të vjelave… Pse nuk fole atëherë kur duhej, kur ishte koha?


E meqë unë po flas sot, ju më shpallni cinik, e kundër të gjithëve..


Meqë jam i vetmuar, e pa pushtet, pa para, pa përfitime, pa rol, pa poste, pa sukses, pa famë e pa ndikim, le të bëjmë një pakt:


Një i vetmuar si unë nuk e ka fuqinë të dekurajojë e as dëmtojë “Revolucionin e Ata janë të gjithë bashke”.


Aty në Revolucion janë më të famshmit, më të suksesshmit, më intelektualët, më të diturit, më të arrirët në jetë…


Ndaj mos u shqetësoni nga “i vemuari”, “i dështuari”, “askushi”, “njeriu kot”, Arian Galdini…


Asnjë dëm nuk i bën “Revolucionit Ata janë të gjithë bashkë”, një vetmitar pa njerëz, pa ndikim, pa pasuri, pa përfitime, pa followers, pa likes, pa komente, pa sukses, pa pushtet, si Arian Galdini…


Nëse unë jam gabim sot, nesër kur të fitojë “Revolucioni Ata janë të gjithë bashkë”, ju sfidoj e ju ftoj të vini e të më kryqëzoni mua dështakun e të vetmuarin.


Jua deklaroj sot me gjithë shpirt.


Nëse unë jam gabim, nëse koha më vërteton mua gabim, e nëse Revolucioni “Ata janë të gjithë bashkë” fiton, atëherë unë ju jap leje e ju ftoj të më bëni mua kurban e të më kryqëzoni..


A nëse ndodh ndryshe, nëse unë kam të drejtë, a jeni dakort pastaj ta vazhdojmë betejën e nderit bashkë?


A do vini me mua?


Ta vazhdojmë betejën e nderit e vlerës në sheshe, në salla e kudo?


Si thoni?

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page