top of page

Koha e marrë peng!

1 hour ago
15 min read

Nga Arian Galdini


Në Tiranë u dogjën karriget e nxjerra për dialog.


Në Beograd, pas fitores së Listës Studentore, një grup protestuesish hyri në redaksinë e një televizioni që kishte mbështetur pushtetin e mundur.


Dy ngjarje të ndryshme.


Dy vende me histori dhe përgjegjësi politike të ndryshme.


Dy çaste të tetorit 2026 që, të vendosura pranë njëra-tjetrës, ngrenë një pyetje më të madhe sesa ajo se kush do të qeverisë nesër.


Çfarë ndodh me lirinë kur qytetarët nuk pranojnë të presin më, ndërsa ata që pretendojnë të flasin në emër të tyre nuk kanë vendosur ende çfarë do të bëjnë me fuqinë që kërkojnë?


Karrigia e djegur nuk provon se dialogu ishte i sinqertë apo i rremë.


Hyrja me forcë në një redaksi nuk provon se një lëvizje e tërë dëshiron të shtypë median.


Përkundrazi, drejtues të Listës Studentore kërkuan qetësi dhe refuzim të dhunës.


Por të dyja ngjarjet zbulojnë një rrezik që ia vlen të shihet përpara se të jetë vonë.


Një shoqëri mund ta humbasë durimin me pushtetin, pa e pasur ende të qartë marrëdhënien që dëshiron të ndërtojë me të.


Dhe një fitore mund t’ia ndryshojë njeriut vendin në rendin politik shumë më shpejt sesa ia ndryshon zakonet.


Në mëngjes mund të jesh ende kundërshtari që kërkon liri.


Në mbrëmje mund të gjendesh përpara tundimit për të vendosur se sa liri do t’u lejosh të tjerëve.


Midis këtyre dy çasteve nuk është e sigurt se ndërgjegjja ka pasur kohë të piqet.


Këtu fillon shqetësimi im.


Sepse koha politike nuk është vetëm kohë që kalon.


Është edhe kohë që dikush mund ta fitojë, ta shpërdorojë, ta shesë, ta shtyjë, t’ia marrë tjetrit.


Dhe ndryshe nga pushteti, paraja apo prona, koha e jetuar nuk mund të ndërrojë pronar e pastaj t’i kthehet njeriut e paprekur.


Ajo vetëm ikën.


Shteti shqiptar po i afrohet vitit të tij të 114-të.


Për historinë, një shekull është një periudhë që mund të studiohet, të ndahet në epoka, të krahasohet me shekuj të tjerë.


Për një njeri, një shekull është pothuajse e gjithë jeta që nuk do ta ketë.


Kjo pabarazi përmasash krijon një nga padrejtësitë më pak të shqyrtuara të politikës sonë.


Shteti mund të ketë nevojë për një dhjetëvjeçar reformash.


Një parti mund të kërkojë edhe një mandat.


Një opozitë mund të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme.


Një lëvizje mund të caktojë protestën e radhës.


Por një brez nuk mund ta përsërisë moshën e vetë.


Ai nuk mund të jetë përsëri njëzetvjeçar kur të përfundojë reforma e premtuar në moshën njëzetvjeçare.


Nuk mund ta rifillojë të njëjtën jetë në moshën dyzetvjeçare, vetëm sepse ndërkohë ka ndryshuar shumica parlamentare.


As mund t’ia zgjasë vetes kohën për të ndërtuar familje, për të rritur fëmijë, për të krijuar një ndërmarrje apo për të marrë frytet e një pune.


Pikërisht për këtë arsye, vonesa politike nuk është gjithmonë një e metë administrative.


Në rrethana të caktuara, ajo bëhet mënyrë sundimi.


Pushteti nuk ka nevojë t’ia mohojë përgjithmonë qytetarit një mundësi.


Nganjëherë i mjafton t’ia shtyjë aq gjatë, sa mundësia të mos ketë më të njëjtën vlerë.


Një leje që vonohet mund ta bëjë të papërballueshëm një investim.


Një garë që hapet tepër vonë mund ta gjejë profesionistin tashmë të larguar.


Një e drejtë që njihet pas shumë vitesh mund të jetë ende juridikisht e vlefshme, por të mos mund të ndryshojë më jetën për të cilën u kërkua.


Në ekonomi, këtë e njohim si humbje mundësie.


Në jetën njerëzore është më e rëndë.


Sepse njeriu nuk humbet vetëm atë që mund të kishte fituar.


Humbet edhe mundësinë për t’u bërë ai që mund të ishte bërë.


Këtu koha shndërrohet në çështje dinjiteti.


Dinjiteti nuk jeton jashtë viteve të njeriut.


Ai kërkon kohë për t’u ushtruar, kohë për të mësuar, për të vendosur, për të krijuar, për të dashur, për të gabuar e për të filluar përsëri.


Një rend politik që e detyron qytetarin të shpenzojë një pjesë të madhe të jetës duke kërkuar leje për atë që i takon, nuk i ka cenuar vetëm efikasitetin e punës.


I ka kufizuar mundësinë për të qenë autor i jetës së vetë.


Kultura jonë ka mësuar të flasë shumë për durimin.


Durimi mund të jetë virtyt i madh.


Pa të nuk ndërtohet asgjë që kërkon kohë.


Por virtyti i durimit dhe detyrimi për të duruar padrejtësinë nuk janë e njëjta gjë.


E para është një zgjedhje e ndërgjegjes.


I dyti mund të jetë një marrëdhënie nënshtrimi.


Në një shoqëri ku rrugët e zakonshme të mundësisë pengohen shpesh, njerëzit fillojnë të ndërtojnë jetën mbi pritjen.


Nuk pyesin vetëm çfarë dinë të bëjnë, por sa duhet të presin dhe kush mund t’ua shkurtojë pritjen.


Kështu lind një ekonomi e dytë, përkrah ekonomisë së punës dhe prodhimit.


Ekonomia e përshpejtimit të privilegjuar.


Ai që ka lidhje mund ta fitojë kohën që tjetri e humbet.


Ai që njeh njeriun e duhur mund ta zgjidhë sot atë që një tjetër e zgjidh pas muajsh apo vitesh.


Mundësia nuk kushtëzohet më vetëm nga aftësia, kapitali dhe rregulli, por edhe nga afërsia me atë që ka fuqinë të vendosë ritmin.


Kjo është një mënyrë e veçantë për të prodhuar pabarazi.


Sepse të varfërve nuk u mungojnë vetëm paratë.


Shpesh u mungon edhe mundësia për të përballuar pritjen.


Një sipërmarrje me kapital të madh mund ta shtyjë një investim.


Një ndërmarrje e vogël mund të falimentojë përpara se të marrë përgjigjen.


Një njeri me mbështetje familjare mund të presë një konkurs tjetër.


Një tjetër mund të mos ketë mundësi të presë.


Prandaj e njëjta vonesë, edhe kur duket formalisht e barabartë, mund të prodhojë pasoja thellësisht të pabarabarta.


Me kalimin e kohës, kjo pabarazi ndryshon edhe kulturën.


Fëmijët mësojnë prej të rriturve se sa vlerë ka diploma, por edhe sa vlerë ka njohja.


Mësojnë se puna kërkon vite, ndërsa një marrëdhënie mund të hapë një rrugë brenda ditës.


Mësojnë se karakteri është i rëndësishëm, por shohin se pranueshmëria ndaj të fuqishmit mund të shpërblehet më shpejt.


Kështu, para se të vendosin se çfarë profesioni do të zgjedhin, fillojnë të marrin një mësim tjetër, se çfarë lloj njeriu duhet të bëhen për të pasur mundësi.


Kjo është humbje antropologjike.


Shoqëria nuk e ndryshon vetëm shpërndarjen e pasurisë.


Fillon të ndikojë mbi përfytyrimin që njeriu ka për vlerën e vetë.


Dhe kjo mund të shpjegojë përse një rend varësie u mbijeton kaq shpesh ndryshimeve politike.


Njeriu që ka humbur vite duke pritur mund të dëshirojë, sapo të arrijë në një pozitë më të mirë, t’ua shkurtojë pritjen njerëzve të vetë.


Synimi i tij mund të jetë njerëzor.


Por nëse ua shkurton pritjen duke ua zgjatur atë të tjerëve, ai po riprodhon padrejtësinë nga e cila dikur vuajti.


Sistemi nuk ka nevojë që çdo pjesëmarrës të jetë i lig.


I mjafton që njerëzit e lodhur prej tij të fillojnë ta shohin privilegjin si dëmshpërblimin që më në fund u takon.


Në këtë mënyrë, viktima e djeshme mund të bëhet mbrojtëse e rregullit që e kishte penguar.


Kjo është një nga arsyet përse ndryshimi i pushtetit nuk duhet ngatërruar me ndryshimin e rendit.


Në historinë politike shqiptare, ajo që unë dikur e kam pas quajtur Ramizoshenca (demokracia si mosha e “lënakëve” të Ramiz Alisë) ka pasur edhe këtë përmasë, aftësinë e pushtetit për ta zgjatur pafundësisht një gjendje që duhej të ishte kalimtare.


Çdo epokë shpall se është në prag të diçkaje.


Në prag të demokracisë së plotë.


Në prag të drejtësisë.


Në prag të zhvillimit.


Në prag të Europës.


Por nëse pragu bëhet vendbanim, atëherë e ardhmja pushon së qeni një horizont që afrohet dhe kthehet në mjet për ta mbajtur të tashmen të pandryshuar.


Njeriu pranon padrejtësinë e sotme në emër të drejtësisë së premtuar nesër.


Pranon varësinë e sotme në emër të lirisë së ardhshme.


Pranon të mos kërkojë shumë llogari, sepse vendi qenka në një fazë delikate që nuk duhet shqetësuar.


Kjo është mënyra se si koha historike mund të përdoret kundër kohës njerëzore.


Një popull të cilit i kërkohet vazhdimisht të presë të ardhmen, rrezikon të mos e kuptojë se e tashmja e tij është bërë burimi që mban gjallë pushtetin e atyre që premtojnë të ardhmen.


Për këtë arsye, maturimi i shtetit nuk mund të matet vetëm me kohën që ka kaluar që nga themelimi i tij.


As me numrin e reformave që ka ndërmarrë.


Duhet të matet edhe me marrëdhënien që ka krijuar me kohën e qytetarit.


A është koha e njeriut një e mirë që institucionet duhet ta respektojnë?


Apo është një rezervë e pashtershme prej së cilës pushteti mund të marrë sa herë që nuk arrin, nuk dëshiron ose nuk ka interes të përgjigjet?


Kjo nuk është vetëm pyetje për administratën.


Është pyetje për të gjithë organizimin e Republikës.


Pikërisht këtu duhen parë protestat që po tronditin Shqipërinë.


Flamingot e mbajtën gjallë një protestë gjatë muajve të verës.


Kjo qëndresë është fakt politik dhe pjesëmarrësve u takon respekti për kohën që kanë dhënë.


Por kohëzgjatja nuk është vetvetiu mandat përfaqësimi.


Një protestë mund të vazhdojë shumë gjatë pa u kthyer në një lëvizje të aftë të marrë përgjegjësi për një ndryshim politik.


Mund të ruajë bërthamën e saj, ndërsa aftësia për të zgjeruar mbështetjen mbetet e paprovuar.


Mund të prodhojë simbolikë, por të mos prodhojë institucione.


Mund të shprehë zemërim të vërtetë, ndërsa drejtuesit e saj ende nuk kanë përcaktuar rregulla të qarta për mënyrën si përfaqësohen dhe si merren vendimet.


Këto nuk janë arsye për t’ua mohuar qytetarëve sakrificën.


Janë arsye për të mos e ngatërruar sakrificën me autorizimin politik.


Askush nuk mund ta shndërrojë qëndresën e vetë në një prokurë pa afat mbi zemërimin e të tjerëve.


As mbi zemërimin e studentëve.


Sepse nëse jam i saktë, e nëse inkam kuptuar drejt, protesta studentore që shpërtheu në tetor ka kërkesa që burojnë nga një përvojë tjetër, kostoja e arsimit, kushtet universitare, mungesa e mundësive të punës dhe pasiguria për jetën pas diplomimit.


Këto shqetësime kanë një përmasë kohore shumë konkrete.


Studentit nuk i mjafton të dëgjojë se universiteti do të përmirësohet gjatë dhjetëvjeçarit të ardhshëm.


Ai po studion tani.


Nuk i mjafton premtimi se ekonomia do të krijojë mundësi një ditë.


Ai do të hyjë në tregun e punës në një moshë që nuk pret përfundimin e betejave partiake.


Në këtë kuptim, zemërimi studentor është edhe reagim kundër një të ardhmeje që vazhdon të premtohet, por nuk bëhet mjaftueshëm e prekshme në jetën e tyre.


Megjithatë, legjitimiteti i shqetësimit nuk e bën automatikisht të drejtë çdo mjet.


Dëmtimi i jetës, i pronës dhe i hapësirës publike nuk ia shton asnjë argument kërkesës për arsim më të mirë.


As nuk e shndërron zjarrin në program politik.


Por përgjegjësia e pushtetit është më e madhe, sepse ai zotëron forcën publike dhe ka detyrimin të mbrojë njëkohësisht rendin dhe lirinë.


Nëse një pjesëmarrës kryen dhunë, duhet të përgjigjet për veprimin e vetë.


Nëse policia përdor forcë të paligjshme ose joproporcionale, përgjegjësia duhet të hetohet e të përcaktohet.


Dhe nëse një protestë kthehet e dhunshme, kjo nuk mund të jetë arsye për ta trajtuar çdo pjesëmarrës paqësor si fajtor vetëm ngaqë ndodhej aty.


Përgjegjësia individuale nuk mund të zëvendësohet me fajësi kolektive sipas nevojës së qeverisë.


Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një vend ku pushteti mund të ketë interes ta kthejë diskutimin nga arsyet e zemërimit te mënyra si shprehet zemërimi.


Në këtë mënyrë, edhe dhuna mund t’ia dhurojë qeverisë kohën që ajo kërkon.


Në vend të përgjigjeve për problemet e vendit, e gjithë jeta publike mbetet peng i pamjeve të përplasjes së radhës.


Dhe qeverisja mund të vazhdojë të mbrohet përpara qytetarëve vetëm si alternativa ndaj kaosit.


Por kjo nuk e bën të pafajshëm pushtetin për shkaqet e krizës.


As nuk i bën automatikisht të përshtatshëm për të qeverisur ata që kundërshtojnë pushtetin.


Pikërisht këtu fillon dallimi ndërmjet revoltës dhe përgjegjësisë politike.


Një protestë mund të jetë e drejtë në arsyen e saj dhe e papërgatitur për pasojën e suksesit të vetë.


Ky është problemi më i madh që më intereson te lëvizjet e sotme.


Sepse suksesi i protestës nuk është vetëm largimi i një qeverie.


Është çasti kur dikush duhet të marrë përgjegjësinë për atë që do të ndodhë pasi qeveria të jetë larguar.


Kush do të vendosë?


Me cilin mandat?


Sipas cilave rregulla?


Kujt do t’i përgjigjet?


Çfarë do të ndodhë me njerëzit që mbështetën ndryshimin, por kundërshtojnë fituesit e tij?


Një shesh mund të bashkojë njerëz që kanë të njëjtin kundërshtar dhe asnjë marrëveshje mbi të ardhmen.


Në shesh mund të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit konservatori dhe komunisti, liberali dhe nacionalisti, besimtari dhe ateisti, njeriu që kërkon reformë dhe ai që dëshiron përmbysje.


Kjo është një nga fuqitë e protestës.


Por është edhe një nga kufijtë e saj.


Pjesëmarrja në të njëjtin shesh nuk i shkrin bindjet në një doktrinë të përbashkët.


As nuk ia jep njërës palë të drejtën të shpallë se të gjithë të tjerët kanë pranuar qëllimet e saj.


Në këtë pikë, gjykimi im ndaj Flamingove dhe përpjekjeve të partive për t’u vendosur mbi revoltën mbetet i prerë.


Nuk e quaj përfaqësim atë që nuk e ka provuar mandatin.


Nuk e quaj bashkim atë që kërkon nënshtrim.


Nuk e quaj revolucion një vazhdimësi protestash vetëm sepse numri i ditëve të saj rritet.


Dhe nuk pranoj që refuzimi për t’u bërë pjesë e një organizimi të caktuar të paraqitet si mbështetje për qeverinë.


Kjo është një zgjedhje e rreme, madje e ligë dhe e rrezikshme që e varfëron lirinë.


Qytetari mund ta kundërshtojë Edi Ramën me vendosmëri dhe njëkohësisht të mos pranojë drejtimin, metodat apo botëkuptimin e atyre që pretendojnë ta udhëheqin protestën.


Pikërisht ky pluralizëm i kundërshtimit është një nga provat që një shoqëri po del nga mendësia e bindjes së detyruar.


Ndryshimi demokratik nuk ka nevojë që të gjithë kundërshtarët e qeverisë të bëhen një trup i vetëm.


Ka nevojë që ata të jenë të lirë të bashkëpunojnë pa humbur autorësinë e qëndrimeve të tyre.


Përndryshe, në emër të daljes nga një sistem varësie, mund të krijojmë një varësi të re përpara se sistemi i vjetër të ketë rënë.


Serbia na vendos sot përpara një prove edhe më të rëndësishme.


Më 25 tetor 2026, Lista Studentore fitoi zgjedhjet parlamentare, sipas rezultateve paraprake, me një shumicë që i jep mundësinë të ndërtojë qeverinë e ardhshme.


Ky është një ndryshim politik i madh.


Një lëvizje e lindur nga protestat pas tragjedisë së stacionit hekurudhor të Novi Sadit arriti ta kthejë qëndresën qytetare në organizim elektoral, kandidatë dhe mandate.


Kjo e dallon thellësisht nga një protestë që mat vetëm ditët e saj në shesh.


Por dallimi nuk e përfundon gjykimin.


Përkundrazi, tani fillon prova më e vështirë e Listës Studentore.


Sepse studentët i dhanë emrin dhe fuqinë morale lëvizjes, ndërsa përgjegjësinë e qeverisjes pritet ta mbajnë njerëz të përzgjedhur për të kandiduar, profesionistë, akademikë dhe figura të tjera publike.


Kjo nuk është domosdoshmërisht mangësi.


Një lëvizje studentore nuk ka pse t’i mbushë të gjitha postet me studentë.


Por duhet të jetë e qartë marrëdhënia ndërmjet atyre që krijuan mandatin moral dhe atyre që do të ushtrojnë pushtetin juridik.


Në demokraci, vullneti i asambleve, entuziazmi i rrugës dhe vota e qytetarëve nuk janë e njëjta gjë.


Ato mund të bashkëpunojnë.


Por nuk mund ta zëvendësojnë njëra-tjetrën.


Dhe tani Serbia ndodhet pikërisht në atë çast kur një lëvizje që ishte e bashkuar nga kundërshtimi duhet të provojë nëse është e bashkuar edhe nga përgjegjësia.


Ngjarja e televizionit në Beograd është një paralajmërim i hershëm.


Një media që i ka shërbyer pushtetit të vjetër mund të ketë shkelur standarde profesionale dhe ligjore.


Për këto duhet të përgjigjet përpara institucioneve kompetente.


Por hyrja e protestuesve në redaksi dhe kërkesa që drejtuesi i saj të arrestohet nuk bëhen veprime demokratike vetëm sepse protestuesit janë në anën e fituesve.


Nëse fituesit e rinj e trashëgojnë mendimin se kundërshtarit duhet t’i merret fjala me forcë, kanë filluar ta ngatërrojnë çlirimin e institucioneve me marrjen e tyre në pronësi.


Nuk po ia vesh këtë sjellje të gjithë Listës Studentore.


Përfaqësuesit e saj kanë bërë thirrje kundër dhunës.


Por pikërisht tani thirrjet duhet të bëhen rregulla dhe veprime.


Sepse autoritarizmi nuk fillon domosdoshmërisht ditën kur një njeri shpall se nuk e do demokracinë.


Mund të fillojë edhe kur një fitues i bindur për drejtësinë e kauzës së vetë mendon se rregullat mund të presin derisa të mbarojë ndëshkimi i kundërshtarit.


Kështu e nesërmja rrezikon të përsërisë dje-në me njerëz të rinj.


Por për shqiptarët, pyetja mbi Serbinë është edhe më e rëndë sesa cilësia e demokracisë së saj të brendshme.


Një Serbi pas Vuçiçit nuk bëhet automatikisht një Serbi që ka ndryshuar marrëdhënien me Kosovën.


As një Serbi që ka zgjedhur qartësisht Perëndimin.


Në Beograd mund të ndryshojë qeveria, ndërsa mbeten të hapura pyetjet themelore të sigurisë europiane.


Cili do të jetë qëndrimi ndaj pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës?


Si do të trajtohen të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës?


Çfarë marrëdhënieje do të ndërtojë qeveria e re me Rusinë?


A do të vazhdojë politika e ekuilibrimit ndërmjet Moskës, Pekinit dhe Brukselit?


Çfarë kuptimi konkret do t’i japë integrimit europian, sidomos kur ai kërkon zgjedhje që mund të kenë kosto të brendshme politike?


Këto pyetje nuk marrin përgjigje vetëm nga mosha e njerëzve që udhëhoqën protestën.


Rinia nuk është ideologji.


Studenti nuk është automatikisht demokrat liberal.


Antikorrupsioni nuk është, vetvetiu, politikë e jashtme properëndimore.


Dhe rrëzimi i një pushteti autoritar nuk provon ende se pasardhësi i tij ka hequr dorë nga çdo trashëgimi nacionaliste, revizioniste apo klienteliste.


Për shqiptarët, sidomos për Kosovën, kjo nuk është një çështje akademike.


Një qeveri e re serbe mund të sjellë mundësi të reja dialogu dhe normalizimi.


Por shpresa duhet të provohet nga veprimet.


Nuk kemi asnjë arsye t’ia mohojmë paraprakisht mundësinë për të ndryshuar.


As kemi detyrimin t’i japim paraprakisht certifikatën e ndryshimit.


Europa duhet ta mbështesë demokratizimin e Serbisë, por nuk duhet ta ngatërrojë entuziazmin për ndryshimin e pushtetit me zgjidhjen e problemeve të sigurisë dhe të së drejtës ndërkombëtare në Ballkan.


Në një rajon ku historia vazhdon të përdoret si argument për pretendime mbi territorin dhe mbi fatin e popujve të tjerë, drejtimi gjeostrategjik nuk mund të mbetet një hollësi për t’u sqaruar pasi të jetë ndarë pushteti.


Ai është pjesë e vetë provës demokratike.


Sepse nuk mund të kërkosh liri për qytetarët e tu dhe të mbash të paqartë qëndrimin ndaj lirisë së fqinjit.


Edhe Shqipëria përballet me një provë që e tejkalon ndarjen e zakonshme ndërmjet qeverisë dhe opozitës.


Protestat e verës nisën edhe rreth kundërshtimit të një projekti zhvillimi në bregdetin shqiptar, të lidhur me një investitor me lidhje të fuqishme amerikane.


Kjo çështje kërkon të njëjtën kthjelltësi që kërkojmë në raportet me Serbinë, megjithëse natyrisht nuk është e së njëjtës natyrë.


Aleanca me Shtetet e Bashkuara është zgjedhje strategjike e Shqipërisë.


Por kjo zgjedhje nuk e përjashton asnjë investim privat nga ligji shqiptar, nga kontrolli publik, nga mbrojtja e pronës dhe nga përgjegjësia mjedisore.


Një projekt nuk është i drejtë vetëm sepse vjen nga një vend aleat.


As i padrejtë vetëm sepse qytetarët protestojnë kundër tij.


Duhet gjykuar sipas dokumenteve, procedurave, interesit publik dhe pasojave të tij reale.


Kjo është marrëdhënia e pjekur me Perëndimin.


Jo adhurimi i fuqisë së tij.


As armiqësimi me të.


Por aftësia për ta mbrojtur aleancën pa hequr dorë nga gjykimi sovran.


Për një vend të vogël, ky dallim është themelor.


Sepse sovraniteti nuk mbrohet vetëm duke kundërshtuar ndikimet armiqësore.


Mbrohet edhe duke mos e kthyer miqësinë me një fuqi të madhe në arsye për të pezulluar rregullat që duhet të vlejnë për të gjithë.


Përndryshe vendi i vogël fillon ta shohë të ardhmen e vetë si diçka që duhet t’ia miratojë gjithmonë dikush më i fuqishëm.


Dhe kjo është një tjetër mënyrë për ta lënë kohën kombëtare në kujdestari.


Në fund, çështja është më e thellë se fati i një qeverie, i një proteste apo i një liste zgjedhore.


Një shoqëri mund t’i harxhojë vitet duke luftuar kundër pushtetit dhe të zbulojë, pas fitores, se nuk ka mësuar ende ta kufizojë atë.


Mund të kalojë nga një e ardhme që i premtohet prej qeverisë te një e ardhme që i kërkohet t’ia besojë pa kushte opozitës.


Nga pritja e reformës te pritja e revolucionit.


Nga besimi te një udhëheqës te besimi se kësaj here udhëheqësi i ri do të jetë ndryshe.


Në secilin rast, rreziku mbetet i ngjashëm, qytetarit i kërkohet të dorëzojë kohën e vetë sot, në këmbim të një lirie që dikush tjetër premton ta administrojë nesër.


Pikërisht këtu duhet të ndryshojë marrëdhënia jonë me politikën.


Nuk mjafton të pyesim kush ka të drejtë të qeverisë.


Duhet të pyesim sa nga jeta e qytetarit ka të drejtë të konsumojë qeverisja përpara se t’i japë përgjigje.


Nuk mjafton të pyesim sa ditë ka zgjatur protesta.


Duhet të pyesim çfarë përgjegjësie të verifikueshme ka prodhuar ajo.


Nuk mjafton të pyesim kush i fitoi zgjedhjet.


Duhet të pyesim cilat kufizime të pushtetit pranon fituesi, sidomos kur ato e pengojnë të shpërblejë njerëzit e vetë.


Nuk mjafton të pyesim në cilin krah të botës rreshtohet një qeveri.


Duhet të pyesim çfarë zgjedhjesh konkrete është e gatshme të bëjë për ta mbrojtur atë rreshtim dhe lirinë e popujve që preken prej tij.


Këto pyetje janë të vështira sepse nuk na lejojnë ta ngatërrojmë mirësinë e qëllimit me drejtësinë e pasojës.


Por vetëm përmes tyre koha politike mund të pushojë së qenuri kohë e marrë hua nga qytetari pa pëlqimin e tij.


Paqja dhe Urtia marrin këtu një kuptim më domethënës.


Nuk janë emra për qetësinë që kërkon pushteti kur nuk dëshiron të shqetësohet.


As këshilla për t’i kërkuar të dëmtuarit të presë pafundësisht.


Paqja është përgjegjësi për të mos e shkatërruar të nesërmen gjatë përpjekjes për të ndryshuar të sotmen.


Urtia është aftësia për të mos ia dorëzuar zemërimit të çastit të drejtën për të vendosur mbi gjithë kohën që vjen pas tij.


Këto virtyte janë veçanërisht të vështira kur padrejtësia ka zgjatur shumë.


Por pikërisht atëherë duhen më shumë.


Sepse një shoqëri që ka humbur shumë vite nuk mund ta lejojë veten t’i humbasë edhe vitet e ardhshme duke e kthyer dhimbjen e së shkuarës në licencë për padrejtësi të reja.


Tirana do t’i zëvendësojë karriget e djegura.


Beogradi do t’i riparojë dyert e redaksive dhe do të kalojë nga festimet te negociatat për qeverinë.


Flamingot do të vazhdojnë ose do ta ndryshojnë formën e protestës së tyre.


Studentët shqiptarë do të duhet të vendosin si ta kthejnë zemërimin në kërkesa që mund të marrin përgjigje.


Lista Studentore serbe do të përballet me përgjegjësinë e pushtetit, jo më vetëm me të drejtën për ta kundërshtuar atë.


Dhe Shqipëria do të vazhdojë të numërojë vitet e shtetit të vetë.


Por asnjëri prej këtyre kalendarëve nuk është kalendari i jetës së qytetarit.


Ai kalendar nuk ndalet kur parlamenti shtyn një vendim.


Nuk pret kur një parti kërkon një mandat tjetër.


Nuk kthehet prapa kur revolucioni zbulon se ende nuk e di kush do ta drejtojë.


Nuk rinis nga e para pas një fitoreje zgjedhore.


Nuk shtyhet derisa një shtet fqinj të vendosë çfarë marrëdhënieje dëshiron me Perëndimin dhe me Kosovën.


Ora e njeriut ecën.


Dhe ndoshta padrejtësia më e madhe e një rendi politik nuk është gjithmonë ajo që i ndalon njerëzit të jetojnë.


Nganjëherë është ajo që ua lejon jetën vetëm në të ardhmen.


Një të ardhme që e shtyn vazhdimisht.


Një të ardhme që ia kushtëzon dikujt tjetër.


Një të ardhme për të cilën qytetarit i kërkohet të falënderojë përpara se ta ketë jetuar.


Kjo është koha e marrë peng.


Dhe një Republikë nuk del prej saj ditën kur fiton një protestë, kur humbet një qeveri apo kur shfaqet një brez i ri drejtuesish.


Del prej saj kur askush nuk mund t’ia përdorë më jetën qytetarit si afat shtesë për pushtetin e vetë.


Sepse shteti mund të ketë ende kohë për t’u ndrequr.


Njeriu nuk ka një jetë tjetër për ta pritur.


Arian Galdini


28 tetor 2026

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page