top of page

Kur Plaga bëhet Fushatë!


Nga Arian Galdini


Partitë që quhen të reja nuk bëhen të reja duke dalë në video pranë plagës së qytetarit.


E reja nuk është moshë partie.


Është pastërti marrëdhënieje me qytetarin.


Nuk është logo e freskët.


Është moral i ri.


Nuk është fytyrë e re para kamerës.


Është sjellje e re kur qytetari nuk është kamerë.


Unë nuk jam kundër partive të reja.


Jam kundër së resë së falsifikuar.


Sepse e vjetra të sundon duke të lodhur.


E reja e rreme të sundon duke të bërë të besosh se më në fund ke dalë prej së vjetrës.


Kjo është më e rrezikshme.


Sepse nuk vjen si armik i qytetarit.


Vjen si shpresë e re për ta përdorur përsëri.


Një parti nuk bëhet e re sepse nuk ka pasur ende karrige.


Bëhet e re kur nuk e sheh qytetarin si shkallë për te karrigia.


E reja e rreme nuk e kundërshton regjimin.


E vazhdon atë me gjuhë më të freskët, kamera më të shpejta dhe uri më të paduruar.


Kloni i regjimit nuk njihet nga mosha e partisë, por nga metoda, e sheh qytetarin si numër, plagën si rast, sheshin si kapital, revoltën si fushatë.


Qytetari del në shesh me plagë.


Partia që quhet e re hyn në shesh me kalkulator.


Qytetari sjell dhimbjen.


Ajo kërkon pamjen.


Qytetari kërkon drejtësi.


Ajo kërkon rritje.


Qytetari kërkon zgjidhje.


Ajo kërkon kapital.


Qytetari kërkon përgjigje.


Ajo kërkon kënd kamere.


Kjo nuk është mbështetje.


Është shfrytëzim me buzëqeshje.


Kur politika shkon në shesh me kamerë përpara ndërgjegjes, ajo nuk hyn në histori.


Hyn në montazh.


Në politikën e zbrazët, kamera vjen para përgjegjësisë, dhimbja bëhet dekor, zemërimi skenografi, qytetari provë se një parti ekziston.


Por qytetari nuk doli në shesh që të provojë ekzistencën e askujt.


Nuk doli që plaga e tij të bëhet reklamë.


Nuk doli që dëshpërimi i tij të kthehet në poster.


Nuk doli që fytyra e tij të shërbejë si certifikatë për rritjen e atyre që nuk fitojnë dot besim pa krizë.


Lideri i vërtetë shkon pranë qytetarit për të marrë barrë.


Lideri-surrogato shkon për të marrë kënd kamere.


Lideri i vërtetë e i denjë merr barrë.


Surrogati merr pamje.


Lideri rrezikon emrin.


Surrogati rrit emrin.


Lideri del para qytetarit.


Surrogati del para kamerës me qytetarin pas shpine.


Lideri-surrogat nuk shkon te qytetari për ta dëgjuar.


Shkon te kamera për të dëshmuar se ishte pranë qytetarit.


Nuk e do qytetarin si njeri që pyet.


E do si sfond që certifikon ekzistencën e tij.


Të jesh pranë një plage nuk të bën mjek.


Mund të të bëjë edhe tregtar të plagës.


Nuk është politikë e re kur një parti shkon aty ku qytetari është mbledhur nga dhimbja dhe e lexon atë si elektorat të ardhshëm.


Nuk është shërbim kur videoja del më shpejt se përgjegjësia.


Nuk është solidaritet kur prania pranë qytetarit vlen vetëm aq sa mund të kthehet në pamje, ndjekës, sondazh, tryezë apo mandat.


Pushtetit nuk i duhet t’i komandojë të gjithë.


I mjafton që disa ta ulin protestën në pazarin e rritjes së tyre.


Partia-surrogato nuk është vegël e regjimit sepse merr urdhër prej tij.


Është vazhdim i regjimit kur përdor të njëjtën antropologji, qytetarin si numër, plagën si rast, sheshin si kapital, revoltën si fushatë.


Kështu qytetari përdoret dy herë.


Një herë nga pushteti që ia shkakton plagën.


Një herë nga ata që e quajnë plagën mundësi.


Partitë e reja surrogato nuk janë pranë protestës.


Janë mbi plagën e saj.


Nuk shkojnë në protestë për ta çliruar qytetarin.


Shkojnë për të marrë hua dritën e plagës së tij.


Ato nuk e duan qytetarin si sovran.


E duan si provë se ekzistojnë.


Sheshi nuk është studio.


Plaga nuk është fushatë.


Zemërimi nuk është pronë e partisë që arrin më shpejt me kamerë.


Qytetari nuk është dekor për rritjen e askujt.


Këtu ndahet politika e shërbimit nga tregtia e protestës.


Këtu ndahet e reja e vërtetë nga maska e vjetër.


Këtu ndahet lideri nga qiraxhiu i plagës.


Një parti që nuk merr barrën e plagës, por pret ta trashëgojë atë si votë, nuk është e re.


Është metoda e vjetër që ka veshur fytyrën e së nesërmes.


Nuk është shpresë.


Është infeksion i ri me metodë të vjetër mbi trupin e lodhur të qytetarit.


Kaq dhe Pikë.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page