Kur plaga bëhet pronë!
- Arian Galdini

- Jun 30
- 2 min read

Nga Arian Galdini
Protesta është e drejtë kur qytetari flet me plagën e vetë.
Bëhet mashtrim kur regjia arrin të flasë në vend të plagës së tij.
Aty nis grabitja më e thellë politike, jo kur njeriut i merret vetëm vota, zëri apo sheshi, por kur i merret e drejta për të kuptuar vetë pse vuan.
Sepse një qytetar i plagosur nuk sjell teori.
Sjell dhimbje.
Sjell lodhje.
Sjell zemërim.
Sjell dëshirën e fundit për të besuar se ende mund të ketë drejtësi.
Industria nuk vjen për ta shëruar këtë plagë.
Vjen për ta përkthyer.
Vjen për t’i dhënë skenar.
Vjen për t’i vendosur kamera, emër, flamur, mikrofon, drejtim, pronar.
Industria nuk do vetëm ta përdorë qytetarin.
Do t’i marrë të drejtën për të kuptuar vetë pse vuan.
Qytetari vjen me dhimbje.
Industria vjen me kamera.
Qytetari kërkon drejtësi.
Industria kërkon vazhdim.
Qytetari do zgjidhje.
Industria do skenë.
Qytetari ka plagën.
Industria kërkon pronësinë mbi kuptimin e plagës.
Këtu ndahet protesta nga mashtrimi.
Protesta e ndershme kërkon fundin e padrejtësisë.
Industria kërkon administrimin e zemërimit.
Protesta e ndershme pyet kush mban përgjegjësi.
Industria pyet kush merr mikrofonin.
Protesta e ndershme do që plaga të mbyllet.
Industria do që plaga të rrijë hapur sa të japë pamje, numër, negociim, rol dhe ditën pas.
Sepse zgjidhja e mbyll plagën.
Vazhdimi e mjel plagën.
Plaga nuk është prokurë.
Dhimbja nuk i jep askujt të drejtën të bëhet pronar i atij që vuan.
Qytetarin e plagosur nuk e akuzoj.
Atij i përulem.
Akuzoj ata që ia marrin plagën dhe e kthejnë në foltore, në studio, në listë, në trup përfaqësimi, në qeveri të përkohshme, në pazarin e ditës pas.
“Ata” nuk janë vetëm njerëz.
Janë mekanizmi që kthehet sa herë qytetari beson se më në fund po flet vetë.
Janë pushteti që e hap plagën, opozita që pret ta trashëgojë, media që ia bën dekorin, paraja që ia mban dritën, rrjeti që ia mban zërin, mikrofoni që ia vë emrin popull.
Kur një revoltë shpallet e re, por gjuhën ia shkruajnë të vjetrit, rinia nuk është më burim.
Është kostum.
Kur një shesh ka më shumë regjisorë se qytetarë, nuk është më revoltë.
Është skenë.
Kur shpresa filmohet nga ata që e kanë vrarë, ajo nuk është më shpresë.
Është regji.
Mashtrimi më i madh nuk është kur ia përdorin qytetarit plagën.
Është kur ia marrin edhe të drejtën për ta kuptuar vetë plagën e tij.
Shqipëria Mendonjëse nuk e ngatërron plagën me pronarin e plagës.
Unë nuk shkruaj kundër atij që vuan.
Shkruaj kundër atij që e ka kthyer vuajtjen në profesion.
Të vërtetën e thua edhe kur të lë vetëm.
Sepse vetmia pas së vërtetës është më e lehtë se turma pas mashtrimit.
Një vend nuk shpëtohet kur zemërimi ndërron pronar.
Shpëtohet vetëm kur qytetari rifiton të drejtën të mos merret hua as në emër të dhimbjes së vet.
Arian Galdini
.png)



Comments