Mbajeni mend e fiksojeni mirë e qartë:
- Arian Galdini

- 5 days ago
- 3 min read

Kam mbi 2 dekada që them e shkruaj e herë flas me zë të ulët, e herë me zë të lartë, se “Ata”, janë të gjithë bashkë.
Luajnë mekanikën e dukshme të kundërshtive e përplasjeve, por e vërteta është se “loja e pushtetit, financave, real politikës, interesave të mëdha e të vogla, karrierave të ndritura e mesatare, statuseve e përkatësive sociale” i mban bashkë si fuqi gravitacionale nevoje e domosdoshmërie..
Nuk po them se e duan njëri tjetrin.
Jo.
Madje shpesh e urrejnë njëri tjetrin për vdekje, por forca e nevojës për simbiotizim, mbijetesë, forca e frikës dhe forca e interesave të lojës, ku ose je e luan, ose je jashtë e nuk ekziston, i mban ata bashkë edhe sikur askush të mos i kordinojë…
Kuptohen, ndërlidhen, pranohen reciprokisht në zhurmë a heshtje, përplasje a shmangie, urrejtje a ftohtësi, e gjithmonë konfirmojnë veç njëri tjetrin brenda lojës ku luajnë, duke mohuar njëkohësisht e njëlloj këdo që e dinë se nuk është brenda asaj loje.
Deri tani kane luajtur me përplasje, sepse aty gjenin ushtritë e mbështetësve.
Ky Revolucion i bëri të gjithë bashkë.
Është hera e parë që janë të gjithë bashkë.
Hera e parë që janë aty edhe Rama edhe Berisha edhe Meta, edhe Veliaj, edhe Soros, edhe Erdogan, edhe Partitë e Vjetra, edhe Partitë e Reja, edhe Partitë e Sistemit, edhe Partitë AntiSistem, edhe Radikalët, edhe liberalët, edhe Trumpistët, edhe AntiTrumpistët, edhe Soroistët, edhe AntiSoroistët, edhe Amerikanistët, edhe AntiAmerikanistët, edhe të kënaqurit, edhe të pakënaqurit, edhe derrat e majmur, edhe sokratët e vuajtur, edhe hajdutët, edhe ish hajdutet, edhe antihajdutët, edhe marksistët, edhe arkiomarksistët, edhe ballistët, edhe monarkistët, edhe Oligarkët edhe AntiOligarkët, edhe Pronarët e Mediave, edhe AntiPronarët e Mediave, edhe Berishistët, edhe Bashistët, edhe Alibeajistët, edhe Salianjistët, etj, etj, etj, etj, ore të gjithë, të gjithe bashkë, si asnjëherë më pare, si kurrë më parë…
Mos e harroni këtë moment.
Mos e harroni.
Se kësaj radhe po i shihni bashkë.
Në shtator e tutje do ti shihni në Rreshta Partie e Interesash.
Mbajeni mend.
Flamingot e sotëm, do jenë zëçjerrësit, duartrokitësit, brohoritësit e rreshtave të partive..
Do vrapojnë të konkurojnë në lista Partie e të bëjnë fushatë për vota partie.
Mbajeni mend.
Ky Revolucion u nis nga të gjithë bashkë nga Frika e “Atyre”, “Klubit të Plaçkaxhinjve” - PS - PD - PL, Rama - Berisha - Meta, Veliaj, Oligarkë, Ndërtues, Pronare Mediash e Grupe Kriminale, të cilët e dinë se SPAK po ua trondit themelet e se Drejtësia në vendin tonë po forcohet çdo ditë..
Me tej Revolucioni u kthye në “Det Shplarjeje” për të gjithë batakçinjtë e xhambazët e këtyre 36 viteve…
Ky Revolucion do mbahet mend si Revolucioni që i bëri të gjithë bashkë nga Frika, dhe si Revolucioni që u përdor nga batakçinjtë e xhambazët e Regjimit për shplarje.
Kjo nuk do të thotë se aty nuk ka qytetarë që besojnë vërtetë, të cilët e kanë plagën reale.
Për qytetarët me plagë, kam nderim, respekt, e para tyre përulem me shumë dashuri e vlerësim.
Ata janë e vetmja gjë e bukur dhe e mrekullueshme e kësaj tollovie që po ndodh.
Ama, nuk mund te hesht e të mos them të vërtetën se aty ka qytetarë me plagë, e zuzarë për plaçke…
Fatkeqësisht, makineria e Revolucionit, lëvizet nga zuzarët për plaçkë.
Shpirti i kësaj mrekullie janë qytetarët me plagë.
Sidoqoftë, në këto kohë të liga, makineria e çon gjithmonë gjithçka në destinacionin e saj të ligë..
Shpirti do braktiset e lëndohet, e shpresoj të mos thyhet.
Ndaj më mirëkuptoni kur them se akti më i lartë revolucionar në këto kohë është veçimi, të jesh i veçuar, kur “Ata” janë të gjithë bashkë.
.png)



Comments