Mbijetojsat flasin gjuhë të thjeshtë

Mbijetojsat kënaqen me ekzistencën në këtë univers.
Mbijetojsat kënaqen me pak, ndaj edhe i binden e zgjedhin të keqen më të vogël.
Mbijetojsat lëvdojnë, adhurojnë, e brohorasin të fuqishmin dhe përçmojnë, nëmin, baltosin, e shpërfillin të dobëtin.
Mbijetojsat rreshtohen, binden, formëtrajtësohen, lajkatosen, lemerisen, vetërobërohen tek/nga i madhi dhe sakatojnë, shkelmojnë, linçojnë, rrëzojnë, pengojnë të voglin.
Mbijetojsat lartësojnë të pushtetshmin dhe groposin të mençurin.
Mbijetojsat mbrojnë plot zell "babën" që u sjell e siguron bukën e gojës dhe mbysin fëmijën që ka nevojë të ushqehet.
Mbijetojsat fetishizojnë "udhëheqësit e palës së tyre" dhe dehumanizojnë ata të palës tjetër.
Mbijetojsat e kanë në natyrë dëshirën për luftë e konflikte ndaj edhe e përbuzin paqen.
Mbijetojsat nuk reagojnë, por përshtaten.
Në shoqëritë e mbijetojsave është vlerë të sundosh mbi ligjin dhe institucionet.
Kultura e pandëshkueshmërisë e bën hajdutin, vrasësin, mashtruesin, amoralin, imoralin, abuzuesin, arbitrarin që kur i shmanget dhe shpërfill ligjin fiton e kultizohet në sytë, mendjet dhe zemrat e mbijetojsave.
Rëndom ndodh që hajdutët, vrasësit, mashtruesit, abuzuesit, zaptuesit, grabitësit, arbitrarët, e pandëshkuar bëhen më të fuqishëm dhe më të nderuar.
Në të tilla shoqëri vota nuk është vullnet, por letër me vlerë, anipse vlera ka rënë marramendësisht.
Mbijetojsat nuk e besojnë ndryshimin, nuk e kërkojnë ndryshimin.
E kanë frikë ndryshimin, sepse e shohin si armik të rehatisë dhe sfidues e cytës të ëndrrave dhe vullneteve.
Mbijetojsat besojnë e duan veç veten, fisin, tarafin, klanin, turmën dhe i tremben, urrejnë, sulmojnë, dëbojnë vetëdijësimin, grupin, ekipin, komunitetin, bashkëveprimin, institucionet, shtetin.
Vota e mbijetojsave ka çmimin e ankimimeve dhe pakënaqësive të tyre të pareshtura.
Vota e mbijetojsave vlen sa një vend pune që e premton apo kërcënon partia, vlen sa një e drejtë studimi, bursë, favor, tender, thes mielli, apo edhe vetëm 50 euro të thata në dorë.
Mbijetojsat nuk shohin pas e as larg.
Nuk guxojnë të kenë as kujtesë e as ëndrra.
Mbijetojsat shtyjnë ditën, javën, muajin.
Këtë gjuhë të mbijetojsave e njohin shumë mirë "udhëheqësitë politike të majta dhe të djathta", që sundojnë këto 36 vite shqiptarët.




Comments