top of page

Nesër nuk ju kërkoj të besoni tek unë…


Nga Arian Galdini


Nesër, në orën 18:00, do të jem aty ku kam thënë se do të jem.


Nuk e di sa njerëz do të vijnë.


Nuk do të bëj sikur e di.


Nuk kam autobusë për të mbushur një shesh, nuk kam zyra që telefonojnë lista njerëzish, nuk kam ekrane që prej javësh ua përsërisin shqiptarëve fytyrën dhe fjalën time.


Kam bërë atë që kam mundur me mjetet që kam, kryesisht këtu, në këtë hapësirë ku shumë prej jush më kanë njohur vetëm gjatë këtyre javëve.


Pikërisht për këtë arsye, nesër nuk dua të prodhoj një pamje më të madhe se e vërteta.


Dua të takohem me të.


Sepse politika shqiptare ka vuajtur mjaft nga njerëzit që fillojnë duke sajuar madhësinë e tyre dhe përfundojnë duke kërkuar prej qytetarit të jetojë brenda saj.


Unë dua të provoj të kundërtën.


Të nis nga ajo që ekziston.


Nëse jemi pak, jemi aq.


Nëse jemi më shumë nga sa presim, përgjegjësia shtohet, por askush nuk merr prej numrit një kurorë që qytetari nuk ia ka dhënë.


Dhe nëse nesër vjen vetëm për të parë, eja vetëm për të parë.


Nuk ke pse të bëhesh anëtar i LRE Rinisjes.


Nuk ke pse të deklarosh besnikëri ndaj meje.


Nuk ke pse të heqësh dorë nga partia jote, bindjet e tua apo dyshimet që ke për atë që po bëj.


Mund të jesh demokrat dhe të vish si demokrat.


Mund të kesh votuar socialist dhe të mendosh se Shqipërisë i duhet ndryshim.


Mund të mos duash asnjë parti.


Mund edhe të mos jesh dakord me mua për shumë gjëra.


Nuk të kërkoj të mbërrish i bindur.


Më mjafton të mbërrish i lirë.


Sepse ajo që quaj Rinisje nuk ka lidhje me moshën dhe nuk është emër i një brezi që kërkon t’ia zërë vendin një brezi tjetër.


Rinisje do të thotë pikërisht atë që thotë fjala jonë, me ia nisur përsëri, me e rinisur, me pasur kurajën për të mos e vazhduar gabimin vetëm sepse është bërë zakon.


Këtë mund ta bëjë një tetëmbëdhjetëvjeçar.


Mund ta bëjë një njeri në mes të jetës.


Mund ta bëjë një gjysh që ka parë disa Shqipëri politike të vijnë e të ikin dhe ende nuk ka hequr dorë nga vendi i vetë.


Mund ta bëjë edhe një shoqëri, kur kupton se ndryshimi i emrave nuk mjafton nëse marrëdhënia e qytetarit me shtetin mbetet e njëjtë.


Prandaj nesër nuk dua t’ju kërkoj besim paraprak.


Besimi nuk merret me thirrje.


Fitohet duke u provuar.


Unë kam detyrimin t’ju tregoj kush jam, çfarë besoj, çfarë kam bërë, ku kam gabuar, çfarë propozoj dhe deri ku arrin realisht forca ime sot.


Ju keni të drejtën të shihni, të dëgjoni, të gjykoni dhe të largoheni po aq të lirë sa erdhët.


Kjo, për mua, është një marrëdhënie më e ndershme politike.


Edhe thirrja “Rama ikën” duhet kuptuar brenda kësaj mase.


Unë besoj se cikli i Edi Ramës duhet të përfundojë përmes ndryshimit demokratik.


E them hapur dhe mbaj përgjegjësi për këtë qëndrim.


Por largimi i një kryeministri nuk i jep askujt tjetër të drejtën e trashëgimisë mbi Shqipërinë.


As PD-së.


As një force të re.


As një proteste.


As LRE Rinisjes.


As Arian Galdinit.


Këtu fillon kuptimi i Republika Hapet.


Jo te pyetja se kush duhet të marrë vendin e Ramës, por te një pyetje më e vështirë për të gjithë ne:


A mund të kërkojmë ndryshim pa kërkuar njëkohësisht pronësinë e tij?


Unë mendoj se po.


Mendoj se një e djathtë mund ta mbrojë pronën pa krijuar të privilegjuarit e saj, mund ta nderojë familjen pa e kthyer shtetin në kujdestar të ndërgjegjes, mund ta çmojë sipërmarrjen pa ngatërruar tregun me mikun, mund ta dojë Shqipërinë pa shpikur shqiptarë më pak të denjë, mund të jetë thellësisht properëndimore pa ia dorëzuar asnjë të huaji detyrën për ta menduar vendin tonë në vendin tonë.


Mendoj gjithashtu se një ndryshim i denjë duhet t’i japë siguri edhe atij që nuk e dëshiron.


Sepse socialisti nuk pushon së qenuri shqiptar kur humbet partia që ka votuar.


Demokrati nuk fiton pjesë pronësie mbi shtetin kur fiton partia e tij.


Gazetari nuk e humbet lirinë kur na kritikon neve.


Dhe fëmijët tanë nuk duhet të paguajnë një ditë çmimin e ambicieve që ne nuk patëm urtinë t’ia ndalonim vetes.


Këto janë bindjet me të cilat vij nesër.


Jo pretendimi se pas meje qëndron një fuqi që nuk e kam.


Jo kërkesa që Shqipëria të më njohë një rol që nuk ma ka dhënë.


Vetëm emri im, historia ime, fjala ime dhe përgjegjësia për të mos ju treguar tjetër gjë nga ajo që është.


Pas kësaj, vendosni ju.


Nëse deri dje nuk e dinit kush ishte Arian Galdini, ejani ta shihni vetë.


Nëse më njihni vetëm nga një copëz, një shpifje, një fotografi, një Reel apo një postim që ju ka dalë rastësisht përpara, mos ju kërkoj ta zëvendësoni atë me një tjetër paragjykim në favorin tim.


Ejani me pyetjet tuaja.


Unë do të vij me përgjegjësinë time.


Sepse ndoshta një fillim i ndershëm politik nuk kërkon që njerëzit të kenë besim përpara se të takohen.


Kërkon vetëm që askush të mos gënjejë për atë që është kur takimi fillon.


Nesër, 21 gusht 2026 · ora 18:00.


Unë do të jem aty.


Jo për t’ju kërkuar të vini pas meje.


Për t’ju dalë përpara ashtu siç jam, dhe për t’ju lënë juve të vendosni nëse ia vlen t’ia rinisim.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page