top of page

Një vend nuk varfërohet vetëm kur i ikin njerëzit. Varfërohet kur njeriu që qëndron nuk sheh më arsye për të ndërtuar…


Nga Arian Galdini


Shqipërinë e kemi mësuar ta numërojmë shpesh me njerëzit që largohen.


Numërojmë avionët, kërkesat për azil, studentët që nuk kthehen, familjet që mbeten me një dhomë bosh, fshatrat ku dera hapet vetëm në verë.


Por ekziston një humbje tjetër, më pak e dukshme dhe ndoshta më e rrezikshme, njeriu mund të mos largohet askund dhe, megjithatë, të ketë pushuar së investuari të ardhmen e vetë këtu.


Mund të jetojë në Tiranë dhe kursimet t’i mbajë për ikjen e fëmijës.


Mund të ketë një tokë dhe të mos mbjellë, sepse nuk di çfarë vlere do të ketë prona e tij pas pesë vjetësh.


Mund të hapë një biznes dhe të kuptojë se talenti i tij nuk konkurron gjithmonë vetëm me talentin e tjetrit.


Mund të arsimojë një vajzë apo një djalë me mundim të madh dhe, kur afrohet dita e diplomimit, pyetja e familjes të mos jetë më: “Çfarë do të bësh për Shqipërinë?”, por: “Ku mund të ikësh që puna jote të ketë vlerë?”


Ky është një problem politik shumë më i thellë sesa emigracioni.


Është humbja e besimit se mundi i sotëm ka një të nesërme shqiptare.


Një shtet nuk mund t’i urdhërojë njerëzit ta duan vendin e tyre.


As mund t’u kërkojë të qëndrojnë duke ua kthyer atdhedashurinë në detyrim ndaj qeverisë së radhës.


Detyra e politikës është më tokësore dhe shumë më e vështirë, të krijojë kushte në të cilat qëndrimi të mos jetë sakrificë e marrëzishme, puna të mos kërkojë ndërmjetës, prona të mos jetojë nën pasiguri, dija të mos dënohet me padobishmëri dhe fëmija të mos ketë nevojë të largohet që aftësia e tij të njihet.


Këtu ndahet një vend që thjesht administron popullsinë nga një vend që krijon të ardhme.


Nuk dua një Shqipëri që ua numëron emigrantëve remitancat dhe pastaj e quan sukses lidhjen e tyre me atdheun.


Dua një Shqipëri që pyet përse një njeri i aftë, i ndershëm dhe punëtor duhet ta imagjinojë jetën e vetë më lehtë kudo tjetër sesa këtu.


Përgjigjja nuk gjendet në një ministri të vetme.


Ajo prek shkollën që duhet të formojë aftësi dhe karakter, ekonominë që duhet të shpërblejë krijimin e vlerës, pronën që kërkon siguri juridike, bashkinë që duhet t’i japë qytetarit arsye të jetojë edhe jashtë Tiranës, administratën që nuk duhet ta pyesë njeriun kë njeh, dhe kulturën publike që duhet të pushojë së trajtuari suksesin e ndershëm si naivitet.


Një komb nuk vazhdon vetëm sepse ruan hartën.


Vazhdon kur njerëzit e tij besojnë se ia vlen të mbjellin një pemë, të hapin një punishte, të blejnë libra për fëmijën, të ndërtojnë një shtëpi pa frikën se nesër dikush më i fuqishëm do t’ua zhvlerësojë mundin, të krijojnë një ndërmarrje pa kërkuar një mik dhe të plaken pranë varreve të prindërve të tyre pa menduar se ua kanë dënuar fëmijëve jetën duke i mbajtur këtu.


Për mua, kjo është një prej çështjeve më të mëdha shqiptare të kohës sonë.


Jo si vajtim për ata që ikën.


As si moralizim ndaj atyre që duan të ikin.


Por si pyetje ndaj nesh që kemi mbetur, çfarë Shqipërie duhet të ndërtojmë që qëndrimi të bëhet përsëri një zgjedhje me dinjitet?


Këtë 21 gusht, unë nuk mund t’i premtoj askujt se kam përgjigjen e plotë.


Do të ishte e pavërtetë.


Mund të sjell vetëm bindjen time, historinë time, disa ide për të cilat jam i gatshëm të jap llogari dhe dëshirën për të dëgjuar edhe njerëz që dinë më shumë se unë për një tokë, një zanat, një shkollë, një biznes, një familje apo një qytet.


Sepse ndoshta një fillim serioz nuk është çasti kur dikush pretendon se e ka zgjidhur Shqipërinë.


Është çasti kur shqiptarët fillojnë përsëri ta mendojnë të ardhmen e tyre brenda saj.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page