top of page

Nga Lëvizja e Re te Rinisja🇦🇱🫶🙏

Oct 27
6 min read

Gjashtë vjet që na mësuan të mos heqim dorë nga Shqipëria!


24 tetor 2020 – 24 tetor 2026


Nga Arian Galdini


Nuk e njoh njeriun me të cilin dua ta filloj këtë urim.


Më 25 prill 2021, ai na dha një votë.


Ishte njëri prej 3 767 qytetarëve që votuan për LRE-në në zgjedhjet parlamentare.


Ne nuk fituam asnjë mandat.


Nuk ia di emrin.


Nuk e di çfarë e bindi të na zgjidhte. Ndoshta vazhdon të na mbështesë.


Ndoshta sot mendon krejt ndryshe.


Mund edhe ta ketë harruar prej kohësh atë ditë.


Nuk e di.


Por, edhe sikur të mos na votonte më kurrë, ai nuk na ka asnjë borxh shpjegimi.


Ne i kemi ende një borxh mirënjohjeje.


Faleminderit, miku im i panjohur!


Më 24 tetor LRE Rinisja mbushi gjashtë vjet.


Një ditë më pas u bë një vit që Kuvendi ynë zgjodhi Kristina Nanon Kryetare.


Do të kisha dashur që këto dy përvjetorë të na gjenin në një Shqipëri më të qetë.


Por Tirana përjetoi përsëri protesta, përplasje, flakë e gaz lotsjellës.


Zemërimi ndaj qeverisjes së Edi Ramës është i madh.


Edhe shqetësimi për dhunën.


Në ditë të tilla, fjala «Gëzuar!» nuk shqiptohet pa menduar për atë që po ndodh jashtë festës.


Por njerëzit që kanë dhënë vite nga jeta e tyre për një përpjekje të përbashkët meritojnë të gëzohen.


Për miqësitë që lindën.


Për mundin që nuk u kursye.


Për ditët e bukura dhe për ato të vështirat, kur gjithsesi gjetëm arsye të vazhdonim.


Prandaj, me gjithë zemër:


Gëzuar gjashtëvjetorin, LRE Rinisja!


Gëzuar, miqtë e mi!


Në mars të vitit 2020, selinë e përpjekjes sonë politike e mbaja në xhep.


Një celular.


Një faqe Facebook me rreth dy mijë ndjekës dhe postime që, në ditët më të mira, mezi merrnin shtatë a dhjetë pëlqime.


Po të matej shpresa me pëlqimet, do të kishim falimentuar që javën e parë!


Qesh edhe sot kur e kujtoj.


Por atëherë më gëzonte çdo përgjigje.


Njëri më shkruante një fjalë të mirë.


Tjetri më kundërshtonte.


Dikush kërkonte të dinte më shumë.


Ndonjë bisedë vazhdonte edhe pasi postimi ishte harruar.


Kështu nisi Këndi i Shpresës.


Pas vetes kishim një përvojë të gjatë.


Në vitin 2010 kishim krijuar LDE-në, Partinë për Liri, Demokraci dhe Etikë.


Kishim provuar gabimet tona, zhgënjimet dhe dështimet. Prej asaj udhe erdhi LRE - Lëvizja e Re.


Megjithatë, asnjë përvojë e mëparshme nuk mund të na tregonte se cilët njerëz do të takonim dhe çfarë do të bëheshin ata për ne.


Më 24 tetor 2020 përuruam selinë.


Pak ditë më parë publikova fotografitë e mjedisit para dhe pas punimeve.


Në to nuk duken fjalimet.


Duket puna.


Dhe pas asaj pune qëndrojnë njerëz të cilëve dua t’u them përsëri faleminderit.


Faleminderit ty i dashur mik, vëlla, zonjë, motër, dhe të gjithë miqve që dhanë kohë e mund për atë vend!


Në mars kishim një faqe në ekran.


Në tetor kishim edhe një derë ku mund të trokitej.


Më pas erdhën njerëzit që mblodhën firma, kandidatët që pranuan një garë të vështirë dhe miqtë që punuan pa pasur asnjë garanci fitoreje.


I falënderoj të gjithë.


Edhe ata që vazhdojnë të jenë me Rinisjen.


Edhe ata që kanë marrë rrugë të tjera.


Gjashtë vjet na dhanë miq në Shqipëri, mes shqiptarëve të Artës, Kallamatës e Ptolemaidhës, Athinës, Kretës, Romës, Torinos, Firenzes, Milanos, Londrës, Manchesterit, etj, ngado në Greqi, Itali, Gjermani, Britani e Madhe e SHBA, dhe kudo ku përpjekjet tona na çuan drejt njerëzve që nuk i njihnim më parë.


Me disa vazhdojmë të ecim bashkë.


Me të tjerë jemi ndarë.


Ndonjëherë u ndamë në mospajtim.


Unë kam bërë gabime.


Kam lënduar njerëz që meritonin më shumë mirëkuptim prej meje.


Nuk kam ditur gjithmonë të dëgjoj aq sa duhej.


U kam kërkuar falje dhe ua kërkoj përsëri.


E di se një ndjesë nuk e ndryshon vetvetiu atë që ka ndodhur.


Nuk mund t’u kërkoj njerëzve të harrojnë atë që i ka lënduar, vetëm sepse unë dëshiroj të ruaj kujtimet e mira.


Por mund t’u them se, për mua, ato kujtime mbeten të vërteta.


Miqtë e mi që nuk jeni më me Rinisjen, gëzuar edhe ju!


Dhe po ju bëj një ftesë.


Le të pimë një kafe.


Pa rend dite.


Pa procesverbal.


Dhe, po ia dolëm, edhe pa fjalim nga ana ime!🤣


Mund të flasim për familjet, për fëmijët, për punët tona.


Mund të kujtojmë ndonjë ditë që ende na bën të qeshim.


Mund edhe të mos biem dakord për politikën.


Në fund të fundit, një kafe nuk është mbledhje ku duhet miratuar një vendim!


Do të më vinte mirë t’ju shihja.


Më 19 shtator 2025 shpalla dorëheqjen time si Kryetar i LRE-së.


Më 25 tetor, Kuvendi zgjodhi Kristina Nanon.


Sot Rinisjen e drejton ajo.


Në janar të këtij viti, Kristina shkroi për bashkimin opozitar.


U ndal te një çështje që politika shqiptare e njeh mirë, mund të ftosh shumë njerëz në një tryezë dhe përsëri të sillesh sikur tryeza të përket vetëm ty.


Kush e përcakton rendin e fjalës?


Kush e mban mikrofonin?


Kush vendos se cilët mund të hyjnë dhe cilët duhet të presin jashtë?


Ishte qëndrimi i saj, i shprehur publikisht dhe me përgjegjësinë e saj.


E dashur Kristina,


Gëzuar njëvjetorin si Kryetare e LRE Rinisjes!


Të uroj shëndet, mençuri dhe guxim.


Të uroj njerëz që të japin zemër, por që nuk ta fshehin të vërtetën kur mendojnë se po gabon.


Të uroj ditë kur puna të të sjellë gëzim dhe miq që të qëndrojnë pranë edhe kur gjërat nuk shkojnë siç dëshiron.


Të uroj forcë për vendimet e vështira dhe kohë për t’i gëzuar ato të mirat.


Të uroj të bësh gjëra që unë nuk i bëra dot.


Sidomos ato që nuk kam ditur as t’i përfytyroj.


Dhe kur të vijë përvjetori tjetër, uroj të kesh shumë për të treguar nga puna jote dhe e bashkëpunëtorëve të tu.


Gëzuar, Kristina!


Gëzuar të gjithëve që punojnë sot përkrah teje!


Të dashur miq,


Rinisja ka lindur nga një dashuri për Shqipërinë që e kemi njohur përpara politikës.


Nga prindërit dhe familjet tona, nga besimi në Zot, nga puna e ndershme dhe fjala e mbajtur.


Kësaj dashurie jemi përpjekur t’i japim një rrugë politike.


Sot bindjet tona i quajmë E Djathta e Dinjitetit.


Duam një Shqipëri ku njeriu të jetojë i lirë me punën e vetë, ku prona të jetë e sigurt, ku familja të ketë mundësi të ndërtojë të ardhmen dhe ku qytetari të mos ketë nevojë për një mik në pushtet që t’i njihet një e drejtë.


Një Shqipëri që qëndron përkrah Kosovës, besnike ndaj aleancës me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, e vendosur për të ardhmen europiane.


Për këtë Shqipëri kërkojmë fundin e qeverisjes së Edi Ramës.


E kërkojmë pa ngurrim.


Qytetari duhet të jetë i lirë të protestojë kundër qeverisë së vetë.


Askush nuk ka të drejtë t’i prekë jetën e pronën tjetrit në emër të protestës.


Por as shteti nuk mund ta kthejë dhunën e disave në arsye për t’u marrë të gjithëve lirinë e kundërshtimit.


Forca publike është përgjegjësi e shtetit, jo pronë e qeverisë.


Për paqen dhe pajtimin jam përpjekur që nga angazhimet studentore të vitit 1997, te Marshimi i Paqes i vitit 2007, 2009, dhe nismat qytetare pas 21 janarit 2011.


Edhe sot dua që shqiptarët të mund ta kundërshtojnë njëri-tjetrin pa u kthyer në armiq që nuk dinë si të jetojnë së bashku të nesërmen.


Por kam edhe një detyrim që dua ta them shprehimisht.


Shqipëria nuk është e Edi Ramës.


Nuk është as e imja.


As e Rinisjes.


Nëse një ditë edhe ne do t’i kërkonim qytetarit nënshtrimin që sot ia kundërshtojmë kësaj qeverisjeje, qytetari duhet të na kundërshtojë.


Edhe neve.


Sepse askush nuk fiton të drejtë mbi lirinë e tjetrit vetëm ngaqë ka fituar një palë zgjedhje.


Këtë kufi ia vendos vetes përpara se t’ua kërkoj të tjerëve.


Paqja dhe Urtia për të cilat punojmë duhet ta mbrojnë të drejtën e shqiptarit për të thënë «Jo!», përfshirë të drejtën për të na thënë «Jo!» edhe neve.


Miqtë e mi,


Në këtë gjashtëvjetor ju uroj shëndet, dashuri në familjet tuaja dhe gëzim në jetën e përditshme.


U uroj punë që ju jep dinjitet, miq që ju qëndrojnë pranë dhe mjaftueshëm kohë për njerëzit që doni.


Fëmijëve tanë u uroj një Shqipëri ku të mund të ndërtojnë jetën me talentin dhe mundin e tyre, të qëndrojnë sepse duan dhe të largohen nëse zgjedhin, pa u ndjerë të dëbuar nga mungesa e shpresës.


Anëtarëve, kandidatëve, mbështetësve dhe bashkudhëtarëve të Rinisjes u uroj një vit me punë të mirë, përgjegjësi dhe arsye të reja për t’u gëzuar.


Miqve që janë larguar u uroj mbarësi.


Kristinës dhe bashkëpunëtorëve të saj u uroj që viti i shtatë të sjellë punë të kryera, njerëz të rinj dhe rezultate që mund t’ua tregojnë qytetarëve pa pasur nevojë për fjalime të gjata.


Dhe një urim të fundit dua t’ia drejtoj përsëri atij njeriu të panjohur.


Miku im,


Nuk e di nëse ky shkrim do të të mbërrijë ndonjëherë.


Por do të doja që, gjatë vitit që vjen, nga puna e Rinisjes të të mbërrinte diçka e mirë.


Qoftë edhe diçka e vogël.


Një e drejtë më e mbrojtur.


Një mundësi më shumë për të jetuar nga puna jote.


Një hap drejt një Shqipërie ku askujt nuk i duhet të bëhet mik i pushtetit për t’u trajtuar si qytetar.


Nuk do të të kërkoja votën si shpërblim.


As mirënjohjen.


Atë ta kemi ne borxh.


Gëzuar gjashtëvjetorin, LRE Rinisja!


Gëzuar, miqtë e mi!


Me dashuri, mirënjohje dhe besim,


Arian Galdini


Themelues i LRE Rinisja


26 tetor 2026

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page