top of page

Njoftim për promovimin e librit Neoshqiptarizmi në Malësinë e Madhe



Pas Tuzit dhe Ulqinit, rruga e Neoshqiptarizmit vijon në një tjetër truall të shenjtë të shqiptarisë:

Të dielën, më 13 prill, në ora 10:00, do të jemi në Malësinë e Madhe për të promovuar librin “Neoshqiptarizmi”.


Malësia e Madhe nuk është thjesht një vend në hartë, është një madhështi e shpirtit kombëtar, një nga ato hapësira ku shqiptaria nuk është thjesht përkatësi, por mënyrë jetese, nder dhe betim.


Është vend i burrërisë dhe besës, i qëndresës dhe urtësisë, i rrënjëve të thella që nuk janë tharë kurrë.


Ndaj, të sjellësh Neoshqiptarizmin në Malësinë e Madhe nuk është thjesht promovim libri është kthim te rrënja, është ftesë për të ndezur një dritë të re mbi një tokë ku shqiptaria ka qëndruar e palëkundur, edhe kur epokat janë dridhur.


Çfarë është Neoshqiptarizmi?


Është një doktrinë vetëdijeje, një rrugë për të ripërtërirë shqiptarinë jo si retorikë, por si virtyt.


Ai nuk është thirrje për të lavdëruar të shkuarën, por për ta përkthyer atë në një të ardhme të denjë dhe të ndritur për të gjithë shqiptarët, në Shqipëri, në trojet tona natyrore dhe në diasporë.


Është një ftesë për ta jetuar shqiptarinë jo si flamur ceremonial, por si projekt etik, kulturor dhe qytetar.


Në një botë që i zbeh kufijtë, Neoshqiptarizmi nuk ngre mure, por ngre ndërgjegjen.


Ai kërkon të na ribashkojë jo vetëm si gjuhë dhe gjak, por si vlerë dhe vizion.


Ju ftoj me zemër në Malësinë e Madhe, të dielën më 13 prill, ora 10:00, në Qendrën Kulturore Arka në Koplik, Malësi e Madhe.


Të takohemi për të ndarë jo thjesht një libër, por një ide që i flet kohës, kombit dhe secilit prej nesh.


Sepse koha e Neoshqiptarizmit ka ardhur. Sepse kombi nuk ka nevojë vetëm të mbijetojë, por të vetëdijësohet, të ngrihet dhe të lartohet.


 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page