Për milicitë virtuale të vrerit, llumit, shpifjeve, sharjeve dhe kërcënimeve…
- Arian Galdini

- Jul 8
- 5 min read

Më kujtohet në 20 shkurt 1991, kur ne gjimnazistët e Vlorës marshuam nga Sheshi i Flamurit drejt Portit të Vlorës ku ishte Komiteti i Partisë dhe tek rrethrotullimi aty, dogjëm fotografinë e madhe të Enver Hoxhës…
Studentët në Tiranë së bashku me qytetarët e Tiranës rrëzonin monumentin dhe neve “të vegjlit” atje në Vlorë i vinim flakën Portretit të Diktatorit.
Ngase isha njëri prej organizatorëve e drejtuesve të atyre protestave e atij marshimi të gjimnazeve të Vlorës, menjëherë pas rimbledhjes sonë tek Sheshi i Flamurit ku brohorisnim: “Enver - Hitler” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, teksa u shpërndamë për të shkuar nëpër shtëpira, mua më ndalojnë Policë Civilë të cilët më çuan në Birucë ku më mbajtën të lidhur duke më goditur e duke mu hakërryer e sharë e trysnuar për plot 72 orë.
Pasi më liruan, nuk e harroj sesi ushtarakë, e “kuadro të kohës”, thërrisnin babain tim dhe i bënin kërcënime të lloj - llojshme se çfarë mund e do të më ndodhte mua.
Në vitin 1992, isha Kryetar i FRPD në Vlorë dhe PD kishte ardhur në pushtet, e PS ishte në Opozitë.
Prej punës e aktivizmit tim energjik, njerëz të PS e banda të PS më kërcënonin papushim se sapo të vinte PS në pushtet, do të më bënin këtë e atë gjë.
Në fakt, në vitin 1997, ndodhi.
Banda e Zani Çaushit më mori peng e masakroi për orë e orë të tëra përballë shkollës 15 tetori, në dt 6 qershor 1997.
Atë ditë jam kthyer gjysëm i vdekur në Spitalin Ushtarak të Tiranës me një dhimbje të pamatë.
Kur në vitin 1998, unë isha organizatori, nismëtari e ideatori i Lëvizjes Studentore të dhjetorit 1998, përsëri çdo ditë merrja kërcënime pafund nga shumë njerëz të PS e banda të PS.
Dhe e vërteta është se në 17 dhjetor 1998, kur 500 forca policore hynë me forcë e na nxorrën dhunshëm nga ambjentet e Grevës së Urisë neve 120 studentëve, dikush kishte dhënë urdhër të posacëm që Policia dhe Forcat Speciale të godisnin mbi mua pa pikën e mëshirës, me shkelma, shkopinj gome dhe madje edhe me leva hekuri.
Prej asaj dite, goditja në veshkën time të majtë, me levë hekuri nga një “special partie i devotshëm”, më ka lënë me pasoja që i vuaj e do ti vuaj gjithë jetën time sa të jem gjallë.
Kur në vitin 2008, edhe pse isha anëtar i PD, denoncova e fola me zë e figurë në media e shkruajta në gazetat e kohë, për krimin e rëndë të Gërdecit, filluan kërcënimet nga këta sivëllezërit e mij të PD.
Në vitin 2009, kundërshtova haptazi me forcë Koalicionin Qeverisës PD - LSI, si Koalicion i PD me nje Parti Ujk si LSI, që siç e deklarova unë asokohe, një njeri ujk nëse të kafshon, të shndërron në njeri ujk edhe ty, por e njëjta ndodh edhe kur të kafshon një Parti Ujk, të bën si vetja.
Shiheni sot, Partia Ujk LSI bashkëqeverisi me PD, e kafshoi PDnë dhe e bëri si vetja, më pas bashkëqeverisi me PSnë, kafshoi PSne dhe e bëri si vetja.
Sot PS - PD - PLSI janë njëlloj e nuk kanë më asnjë dallim, e madje janë një, bashkë, në Regjimin e Partive Ujk.
Së bashku po shqyejnë Shqipërinë e shqiptarët.
Prej 2009, ia nisën të më kërcënonin së bashku trimat e cubat e PD - LSI por edhe të PS…
Militantët dhe cubat e trimat e PD dhe LSI më kërcënonin e shanin e shpifnin e shpiknin se unë isha shitur tek Rama e Veliaj e Sorosi…
Militantët dhe cubat e trimat e PS më kërcënonin e shanin e shpifnin e shpiknin se unë isha shitur e i shërbeja Saliut, Metës e se isha Këlysh i Saliut…
E njëjta gjuhë, të njëjtat kërcënime, të njëjtat sharje, shpifje.
Derisa Mero Baze dhe Endri Fuga, krijuan “Dosjen e Profilit Galdini”.
Mero Baze Kryestrategu Mediatik e Kryellazorja Publike e Mediatike e Berishës deri në vitin 2008, e më pas prej 2009 u bë edhe Kryestrategu Mediatik e Kryellazorja Publike e Mediatike e Edi Ramës, krijoi dosje me shpifje sajesa dhe Profilizimin e Arian Galdinit, pra “si duhet ta njohin Galdinin, publiku, militantët e kushdo tjeter”…
Cili ishte Profili sipas Dosjes Mero Baze - Endri Fuga???
Kishte, shpifje e sajesa të tipit:
Arian Galdini ka ndryshuar mbiemrin, nga Saliaj ne Galdini sepse la qenë trafikant droge dhe ka bërë burg. Nuk e kanë ndarë ende mendjen se çfarë trafikanti paskërkam qenë, i hashashit, heroinës apo kokainës, e ende nuk e kanë ndarë mendjen se ku e kam bërë burgun, në Shqipëri, Itali, Spanjë apo gjetkë… Sepse i kam lexuar të gjitha versionet e mundshme.
E kishte edhe Profil.
Profili mediatik dhe thashethemor i Galdinit në Dosjen Baze - Fuga ka qenë e ende mbetet ky:
Arian Galdini, delirant, egoist, inatçor, ziliqar, xheloz, dështak, qesharak, njeri kot, njeri i pavlerë, kushedi se çfarë i duket vetja por në fakt është një personazh komik, i përqeshshëm, krejt bosh e pa asnjë peshë…
Galdini lëviz kot, nuk bën asgjë, është mashtrues dhe sharlatan…
Galdini ka ndërruar 100 parti, ka qenë Këshilltar i Fatos Nanos, Ilir Metës, Sali Berishës, e kushedi se kujt tjetër…
Ka edhe plot të tjera por këto kanë qenë pak a shumë më të përdorurat nga makineria e propagandes së baltës e vrerit nga Regjimi i Partive Ujk PS - PD - PLSI…
I kam lexuar këto pafund tek Gazeta Tema, e më pas të cikluara e ricikluara papushim ushtria e militantëve të PS - PD - PLSI..
I lexoj e dëgjoj çdo ditë nga njerëz, militantë, të njohur e panjohur, e i shoh papushim si komente lumenj balte e llumi e vreri nga militantë e profile fallco e milici virtuale vreri e llumi, çdo ditë në rrejtet e mia sociale…
Bashkë me këto fjalë lexoj e marr çdo ditë kërcënime e mallkime nga “ushtri të pasosura urrejtjeje e mllefi” që nën emra militantësh e me profile fallco, përbetohen se do të më vrasin, ndëshkojnë, rrahin, e gjithëfarësoj marrëzie…
Pa e zgjatur më tej, që të kuptohet ideja, e bëra këtë parashtrim të gjatë, sepse më kanë bërë përshtypje një furi e tmerrshme komentesh nga profile anonime që ndjekin Parti të Reja, të cilat më kërcënojnë se:
Po më vjen edhe mua ora..
Se do të ma tregojnë edhe mua vendin.
Se duhet të bëhem gati se kanë për të më bërë ta paguaj shtrenjtë çdo fjalë e qëndrim timin të kohëve të fundit..
Më kanë kërcënuar edhe më fort e më rëndë se do më therrin, copëtojnë, e se do ma bëjnë më keq se në 19 gusht 2022…
Ndaj pyes veten, po si është e mundur në këtë vendin tonë të vogël, ka kaq shumë urrejtje e kërcënime për shkak të ideve e mendimeve e qëndrimeve e të drejtës së fjalës???
Sepse nëse flitet se Shqipëria e Re po zgjohet e po ngrihet me dinjitet e po vret frikën, pse duhet që “profile fallco” në emër të Shqipërisë së Re dhe të Partive të Reja duhet të më kërcënojnë se do më tregojnë vendin e vrasin e shuajnë mua?
Këtë nuk e kuptoj…
Nuk e kuptoj “zgjimin” dhe “vrasjen e frikës” si bashkëudhëtar me kërcënimin e papushimtë për vrasjen e Galdinit që mendon ndryshe e pse Galdini qëndron në Shtegun e tij të Vetmisë…
Mos janë të njëjtët Pronarë të Regjimit të Vjetër të Partive Ujk PS - PD - PLSI që po luajnë edhe filmin Shqipëria e Re me Parti të Reja???
Gjuha e njëjtë, mendësia e njëjtë, shpifjet e njëjta, sharjet e njëjta, kërcënimet e njëjta, flasin se edhe Pronarët janë të njëjtët.
Kësisoj po e mbyll duke u thënë të gjithë sharësve, shpifësve, llumatorëve, të vrerosurve, kërcënuesve, atyre që do më vrasin e shuajnë, ju lutem me merrni në telefon në nr 0672051564
Ju lutem.
Më telefononi e nëse keni gjë për të ma thënë ma thoni përballë.
Nëse doni të më vrisni e shuani, më bëni tel e do vij tju takoj që tjua lehtësoj punën.
Faleminderit për mirëkuptimin.
Kaq
.png)


Comments