top of page

Perëndimi fillon kur pushteti pranon kufirin…


Të udhëtosh drejt Amerikës është fakt politik.


Edhe të flasësh në sallat e Europës është fakt politik.


Por as avioni, as tribuna nuk e bëjnë një vend perëndimor.


Këtë e përcakton mënyra si qeveriset vendi pasi delegacionet kthehen në shtëpi.


Përkatësia e Shqipërisë në Perëndim nuk është as stoli diplomatike, as kapital personal që një udhëheqës mund ta përdorë në betejën e brendshme.


Është zgjedhje qytetërimore e kombit.


Prova më e vështirë e kësaj zgjedhjeje nuk vjen kur pushtetin e mban njeriu të cilit i besojmë.


Vjen kur institucionet kalojnë në duart e atij që nuk do të donim ta kishte pushtetin.


Atëherë kuptohet nëse kemi ndërtuar shtet apo vetëm kemi administruar epërsinë tonë.


Një rend perëndimor nuk ndërtohet për fituesin e sotëm.


Rregullat që vlejnë vetëm sa kohë qeverisin njerëzit tanë nuk janë institucione, janë përparësi të përkohshme.


Institucioni ekziston pikërisht që autoriteti të mos fillojë e të mos mbarojë me njeriun që përkohësisht e drejton.


Prandaj nuk dua një Shqipëri që mat afërsinë me Amerikën me fotografi dhe përkatësinë europiane me konferenca.


Dua një Shqipëri që e ka bërë të pakthyeshme zgjedhjen e saj perëndimore dhe është aq e sigurt në identitetin e vetë, sa nuk ka nevojë ta marrë dinjitetin hua prej askujt.


Perëndimi fillon aty ku pushteti shqiptar, edhe kur e ka forcën në dorë, e di se fuqia nuk i jep vetvetiu të drejtën.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page