Poezi: Burri u nis!
- Arian Galdini

- 1 day ago
- 1 min read

Nga Arian Galdini
Burri i moshuar
e tha gabim emrin e rrugës.
Te stacioni,
dy të rinj qeshën.
Jo me ligësi të madhe.
Me atë lehtësi të shpejtë
që e zë njeriun
para se ai
ta mbledhë veten.
Pak më tutje,
një djalë mbante një libër
nën sqetull.
Nuk e shtrëngonte.
Vinte nga biblioteka,
pas një takimi,
karrige të shtyra,
gota plastike të zbrazura,
mikrofoni anash,
si vegël që kishte mbaruar zërin.
Mbi banak
rrinin disa kopje.
Askush nuk u betua mbi to.
Në korridor
kishte ndenjur mënjanë,
pa folur,
pa duartrokitur.
Pastaj mori një libër,
e hapi aty ku faqet
u ndanë vetë.
Lexoi pak.
Jo gjatë.
Te një rresht
gishti i mbeti pezull.
Rreshti ishte i shkurtër.
Mbaronte para se dikush
ta kthente në thirrje.
Tani, te stacioni,
i erdhi në majë të gjuhës
një batutë e gatshme,
nga ato që dalin
para njeriut.
Pastaj preku librin
nën sqetull.
Bileta e autobusit
iu rrudh në xhep.
Ai tregoi rrugën
me zë normal.
Burri u nis.
Arian Galdini
.png)



Comments