top of page

Poezi: Buzëqeshja e Teutës!

May 17
1 min read


Nga Arian Galdini


(Nënës sime)


Ti nuk buzëqesh

si dikush që kërkon gëzim.


Buzëqesh si grua

që ka kaluar ditë të ngushta

pa lejuar që lodhja

t’i bëhet ligj në fytyrë.


Të quajnë Teuta.


Emër i vjetër mbretërie,

por te ti mbretëria

nuk mban kurorë,

nuk urdhëron,

nuk ngjitet mbi askënd.


Ajo rri në mënyrën

si e pret njeriun

pa ia shtuar gurin e ditës,

si e mban dhimbjen

pa e kthyer në gjykim,

si jep nga vetja

pa e bërë mirësinë të duket e lodhur.


Buzëqeshja jote

nuk rri në buzë.


Ajo ul pak zërat e ashpër,

u jep frymë atyre

që kthehen vonë,

me fjalë të thyera,

dhe nuk dinë më

si ta ulin brenda vetes dimrin.


Prandaj, nënë,

kur mendoj për ty,

nuk them vetëm

se më ke dashur.


Them se egërsia e jetës

u ndal një çast

te goja jote,

pa gjetur leje

të bëhej fytyrë.


Aty mbeti

ajo buzëqeshje e qetë,

jo për të fituar asgjë,

por që një bir,

kur humb kthimin,

ta njohë sërish veten

nga emri yt,


Teuta.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page