top of page

Poezi: Vija në dhe…



Nga Arian Galdini


Aty, në dhe,

rrinte ai hollim i errët.

I njëjti kalim

e kishte lënë aty,

derisa toka, në një vend,

u dorëzua.


Ecja.

Jo për mbërritje.

Jo për shpëtim.

Më shumë si ai që e ndjen nën shputë

se dheu e ka njohur

para gojës.


Këmbët hynin aty

me sigurinë e gjërave

që s’kanë më kujt t’i përgjigjen.


Zëri ngjitej deri në buzë

dhe binte poshtë prapë,

si monedhë në një enë të zbrazur.

Ajo rënie

i jepte boshit tingull.


Përballë rrinte dritarja.

Nuk kthente fytyrë.

Kthente vendin e saj,

atë njollë të zbehtë

ku dikur rrinte nxehtësia e njeriut

e pastaj

mbeti shenja.


Mblodha ç’kish lënë heshtja,

një enë të nxirë,

pak hi në cep të tryezës,

ai shenjim i zi

që s’e lante as shiu i parë.

Asgjë nuk fliste.

Asgjë nuk gënjente.


Pemët rrinin të përdredhura.

Uji rrinte i mbledhur në vetvete.

Një zog e preu ajrin

dhe s’u kthye te dega e parë.


Atje u ça brenda.

Një ditë njeriu e sheh

se s’është nxjerrë jashtë botës,

por lënë para saj

pa mburojë.


Edhe gjurma, kur piqet,

nuk lyp sy.

I mjafton dheu.

I mjafton pesha.

I mjafton ai shenjim i zi

që hyn më thellë

sa herë e godet shiu.


Tani e di:

rruga s’më merr.

Rruga më mban.


Ajo vijë në dhe

që s’të thërret,

s’të fal,

veç të njeh

dhe hap vend.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page