top of page

Prona nuk është dënim…


Dhuna dhe prona nuk i japin shtetit të njëjtin pushtet mbi njeriun.


Një vepër penale ndiqet dhe dënohet sipas ligjit.


Një shkelje administrative sjell pasojat që parashikon ligji.


Shpronësimi i përket një juridiksioni tjetër, duhet të ketë arsyen e vetë në interesin publik, procedurën e vetë dhe shpërblimin e drejtë.


Njëra nuk mund t’ia huazojë arsyen tjetrës.


Prandaj pyetja që më intereson është shumë e thjeshtë, po ta hiqnim nga historia sjelljen e pronarit, a do të ekzistonte përsëri arsyeja publike për ta marrë atë pronë?


Nëse po, shteti duhet ta provojë dhe shpronësimi gjykohet mbi atë themel.


Nëse jo, atëherë kemi një problem shumë më të madh se fati i një prone, interesin publik që rrezikon të përdoret si emër juridik për një vullnet ndëshkues.


Të drejtat nuk janë çmime për sjellje të mirë.


Një njeri mund të ketë kryer një shkelje të rëndë dhe të përgjigjet plotësisht për të, pa humbur për këtë arsye çdo mbrojtje që ligji i njeh në një marrëdhënie tjetër.


Përndryshe prona nuk është më një e drejtë.


Bëhet një privilegj i revokueshëm sa herë pushteti arrin në përfundimin se pronari nuk e meriton më.


Këtu qëndron kufiri që nuk duhet turbulluar.


Ligji i jep shtetit mjete për të vepruar, por i cakton edhe vendin ku duhet të ndalet.


Zemërimi publik, sado i kuptueshëm të jetë, nuk mund t’i shtojë qeverisë një kompetencë që norma nuk ia ka dhënë.


Sepse pikërisht kur ndëshkimi i ligjshëm duket i pamjaftueshëm dhe pushteti tundohet të shkojë edhe një hap më tej, kufiri pushon së qeni teori.


Bëhet arsyeja pse kemi ligj.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page