Propozimi im për Protestën apo Revolucionin a Revoltën a si të doni ta quani: Mikrofoni nuk është Sovrani!
Nga Arian Galdini
Në ditën e tetë, protesta nuk ka më luksin të shtojë zëra pa prodhuar vendim.
Një shesh që rritet pa vendosur, herët a vonë merret nga ai që vendos më shpejt në emër të tij.
Ka folur mjaft.
Ka marshuar mjaft.
Ka dëgjuar mjaft fjalime.
Ka ngritur mjaft plagë në sipërfaqe.
Tani duhet të bëjë diçka më të vështirë se të dalë në shesh.
Duhet të vendosë.
Sepse një protestë nuk humbet vetëm kur e shtyp policia, kur lodhet turma, kur bie numri, kur prishet ritmi, kur pushteti e përqesh, kur media ia ngushton pamjen, apo kur partitë i afrohen për t’ia marrë emrin.
Një protestë humbet edhe kur zëri më i lartë fillon të duket si vullneti i të gjithëve.
Humb kur mikrofoni merr vendin e qytetarit.
Humb kur foltorja shpall atë që sheshi nuk e ka votuar.
Humb kur dikush ngrihet dhe thotë “populli do”, pa e pyetur popullin.
Kjo është ora e rrezikshme e protestës shqiptare.
Jo sepse është e dobët.
Por sepse është bërë mjaftueshëm e fortë për t’u marrë në pronësi.
Çdo gjë e fortë kërkohet nga dikush.
Çdo valë kërkon pronar.
Çdo shesh kërkon interpretues.
Çdo zemërim kërkon trashëgimtar.
Prandaj, nëse kjo protestë nuk do të bëhet pronë e atij që e kap më shpejt mikrofonin, duhet ta ndalë për një ditë mikrofonin.
Duhet ta ndalë për një ditë marshimin.
Duhet ta ndalë për një ditë garën e fjalimeve.
Bulevardi të ndalet si rrugë dhe të hapet si Agorë apo si Log a si Kuvendim.
Jo si zbukurim antik.
Jo si panel.
Jo si forum i emëruar nga lart.
Jo si tryezë e shpikur nga ata që duan të bëhen pronarë të saj.
Agorë, Log a Kuvendim si akt sovran i sheshit, qytetari i ulur me qytetarin, përpara se dikush të ngrihet në podium në emër të qytetarit.
Mikrofoni është mjet.
Nuk është sovran.
Ai që kap mikrofonin nuk bëhet përfaqësues vetëm sepse flet para të tjerëve.
Mund të jetë më i guximshëm, më i shpejtë, më i organizuar, më i lidhur, më i zhurmshëm, më i stërvitur në skenë, më i gatshëm për konflikt.
Por asnjë nga këto nuk e bën automatikisht zërin e protestës.
Fjalimi mobilizon.
Agora, Logu a Kuvendimi, legjitimon.
Marshimi tregon trupin e protestës.
Agora, Logu a Kuvendimi tregon mendjen e saj.
Prandaj propozoj Ditën e Agorës, Logut a Kuvendimit në Bulevard.
Një ditë pa fjalime.
Një ditë pa marshim.
Një ditë pa protagonistë.
Një ditë ku mikrofoni hesht, që protesta të dëgjojë veten.
Nga Sheshi “Nënë Tereza” deri te Sheshi “Skënderbej”, dhe po deshi qytetaria edhe më tej, Bulevardi të mbushet jo me rreshta që ecin, por me rrethe që vendosin.
Protestuesit të ndahen në grupe me nga dymbëdhjetë vetë.
Dymbëdhjetë nuk është numër teknik.
Është masë njerëzore.
Mjaftueshëm i vogël që njeriu të mos fshihet në turmë.
Mjaftueshëm i madh që të mos jetë bisedë private.
Në turmë, njeriu bërtet.
Në dymbëdhjetëshe, njeriu flet.
Në turmë, njeriu bëhet numër.
Në dymbëdhjetëshe, ai bëhet fytyrë.
Në turmë, emocioni e mban.
Në dymbëdhjetëshe, përgjegjësia e provon.
Kjo është qeliza morale e Agorës, Logut a Kuvendimit, dymbëdhjetë qytetarë që shohin njëri-tjetrin në sy, flasin, dëgjojnë, kundërshtojnë, votojnë dhe nuk ia lënë më vullnetin e tyre zërit që e mori mikrofonin më herët.
Në atë ditë, çdo dymbëdhjetëshe duhet të votojë tri pyetje.
E para:
A duhet protesta të mbetet presion qytetar pa parti, apo duhet të prodhojë një trup politik të ri?
Kjo pyetje nuk mund të shpallet nga foltorja.
Nuk mund ta thotë një figurë publike.
Nuk mund ta vendosë një parti.
Nuk mund ta marrë një grup që u afrua më shpejt se të tjerët te bulevardi.
Duhet ta thotë sheshi.
Nëse protesta do të mbetet frymë qytetare, le ta thotë ajo.
Nëse do të lindë trup politik, le ta thotë ajo.
Nëse dikush do parti të re, le të marrë mandat nga qytetari, jo nga mikrofoni.
E dyta:
A duhet protesta të mbajë shumë kërkesa, apo të bashkohet rreth dy kërkesave të panegociueshme?
Kërkesa e parë, dorëheqja e Edi Ramës, pa negociatë mbi qëndrimin e tij.
Kërkesa e dytë, Kodi Zgjedhor i hapjes reale të fushës politike.
Jo Kod i shkruar prapë në errësirën e dy partive.
Jo Kod i negociuar nga ata që kanë përfituar prej portës së mbyllur.
Jo Kod si dhuratë e pushtetit për qytetarin.
Kodi i ri duhet të dalë nga një proces publik, i hapur, i transmetuar, me përfaqësues të zgjedhur nga Agora, Logu a Kuvendimi, me ekspertë të pavarur dhe me qytetarë. Parlamenti mund ta votojë.
Nuk mund ta shpikë më në errësirë.
Ata që përfituan nga porta e mbyllur nuk mund të jenë autorët e vetëm të çelësit të ri.
E treta:
A duhet ndryshimi politik të vijë nga një parti e re e lindur nga Agora, nga bashkimi i forcave ekzistuese opozitare e të reja që pranojnë kushtet e Agorës, apo nga një mandat qytetar i përkohshëm që i vendos të gjitha palët të reja e të vjetra, nën kontrollin e sheshit?
Kjo është pyetja që do t’i nxjerrë të gjithë zbuluar.
Partitë e reja duhet ta pranojnë.
Partitë e vjetra duhet ta pranojnë.
Rrymat radikale duhet ta pranojnë.
Ata që flasin për popull duhet ta pranojnë.
Ata që duan ta marrin protestën duhet të dalin përpara qytetarit dhe të shohin nëse qytetari ua jep apo jo mandatin.
Sepse kush flet në emër të protestës, por ka frikë ta pyesë protestën, nuk është përfaqësues i saj.
Është pretendues.
Në çdo dymbëdhjetëshe duhet të zgjidhet një mbajtës shënimi dhe një lexues i rezultatit.
Vendimet të shkruhen, të fotografohen, të numërohen hapur, të lexohen publikisht dhe të ruhen si prova e parë se sheshi nuk foli më me zhurmë, por me mandat.
Mikrofoni, atë ditë, nuk duhet të krijojë vendime.
Duhet vetëm t’i lexojë ato.
Kjo është përmbysja e nevojshme.
Deri sot mikrofoni i ka folur sheshit.
Atë ditë sheshi duhet t’i flasë mikrofonit.
Çfarëdo që të vendosë shumica, ajo duhet të jetë burimi.
Lëvizje qytetare, trup politik i ri, bashkim forcash, dy kërkesa apo shumë kërkesa, asgjë nuk mund të shpallet në emër të protestës pa dalë nga vota e saj.
Nga çdo dymbëdhjetëshe mund të dalin një, dy ose tre qytetarë që pranojnë të jenë mandatarë të Agorës, Logut apo Kuvendimit.
Jo kryetarë.
Jo pronarë.
Jo shpëtimtarë.
Jo njerëz që shfaqen mbi të tjerët.
Mandatarë të përkohshëm, të dukshëm, të kontrollueshëm, që mbajnë emrin e grupit të tyre dhe shkojnë në Kuvendin e Sheshit vetëm sepse qytetarët i kanë nxjerrë prej vetes.
Ky Kuvend i Sheshit nuk duhet të jetë parlament paralel.
Nuk duhet të jetë parti e maskuar.
Nuk duhet të jetë strehë e ambicies së dikujt.
Duhet të jetë trupi që administron mandatin e Agorës, Logut apo Kuvendimit dhe ia kthen mikrofonin qytetarit, jo e kundërta.
Asnjë emër partie nuk duhet të shpallet para Agorës, Logut apo Kuvendimit.
Asnjë përfaqësues nuk duhet të vetëshpallet para Agorës, Logut apo Kuvendimit.
Asnjë platformë nuk duhet të quhet vullnet i protestës pa kaluar nga Agora, Logu apo Kuvendimi.
Asnjë negociator nuk duhet të ulet në emër të sheshit pa e ditur sheshi se kush e dërgoi.
Çdo parti që del nga mikrofoni përpara Agorës, Logut apo Kuvendimit nuk është protestë.
Është pronësim i protestës.
Partia që lind nga Agora, Logu apo Kuvendimi mund të kërkojë mandat.
Partia që lind nga foltorja kërkon pronësi.
Këtu qëndron dallimi mes lindjes dhe grabitjes.
Nëse një parti shpallet nga foltorja përpara se protesta të pyetet, ajo nuk është bija e protestës. Është përfitim mbi protestën.
Nëse një forum krijohet pa votë qytetare, ai nuk është zëri i sheshit.
Është një dhomë tjetër që flet mbi sheshin.
Nëse një lider del para vendimit të qytetarit dhe thotë “unë jam forma”, ai nuk e përfaqëson protestën.
Ai e parakalon.
Kjo është arsyeja pse Dita e Agorës, Logut apo Kuvendimit është e domosdoshme.
Jo për ta zbutur protestën.
Për ta armatosur me sovranitet.
Jo për ta ndalur.
Për ta shpëtuar nga pronarët.
Jo për t’ia ulur zjarrin.
Për t’i dhënë zjarrin e vështirë të vendimit.
Agora , Logu apo Kuvendimi nuk është pushim i protestës.
Është gjyqi i saj mbi të gjithë ata që duan ta marrin.
Sepse spontaniteti e lindi protestën.
Partia e parakohshme mund ta vrasë.
Agora, Logu apo Kuvendimi është ura midis frymës dhe mandatit.
Shqipëria ka parë shumë sheshe ku njerëzit janë thirrur të dalin, të mbushin, të brohorasin, të bëhen sfond, të bëhen numër, të bëhen fotografi.
Shumë rrallë janë pyetur si sovranë.
Shumë rrallë u është thënë, tani vendosni ju. Jo vetëm kush ikën.
Jo vetëm kush flet.
Jo vetëm kush brohoret.
Por çfarë lind nga kjo që po bëni.
Kjo është prova e vërtetë e protestës.
A është vetëm turmë?
Apo është qytetari themelues?
Turma kërkon.
Republika vendos.
Turma bërtet.
Agora, Logu apo Kuvendimi, numëron.
Turma prodhon valë.
Agora, Logu apo Kuvendimi prodhon mandat.
Nëse ky shesh nuk e pyet vetveten, do të përgjigjen të tjerët në emër të tij, pushteti, duke e quajtur kaos, opozita e vjetër, duke e quajtur anti-Rama, por jo anti-sistem, partitë e reja, duke e quajtur certifikatë të tyre, rrymat e zhurmshme, duke e quajtur front të tyre, mediat, duke zgjedhur pamjen që shitet më mirë, pazari, duke e kthyer në marrëveshje.
Prandaj sheshi duhet të ulet.
Jo sepse është lodhur.
Por sepse ka ardhur ora të mendojë.
Një ditë pa fjalime mund ta shpëtojë protestën më shumë se një javë me brohorima.
Një ditë pa mikrofon mund t’i japë protestës zërin e saj të vërtetë.
Një ditë në Agorë, Log apo Kuvendim mund ta ndajë qytetarin nga pronarët e mundshëm të qytetarit.
Kush e do protestën, le ta pranojë Agorën, Logun apo Kuvendimin.
Kush do ta marrë protestën, do ta ketë frikë Agorën, Logun apo Kuvendimin.
Kush flet për popullin, le të ulet me popullin.
Kush kërkon mandat, le ta marrë nga qytetari.
Kush kërkon parti, le të presë votën e sheshit.
Kush kërkon të negociojë, le të tregojë kush e dërgoi.
Kush ka frikë nga Agora, Logu apo Kuvendimi, ka frikë nga qytetari.
Mikrofoni nuk është sovrani.
Sovrani është qytetari që ende nuk është pyetur.
Nëse protesta do të jetë e qytetarëve, le të flasin qytetarët përpara se të flasë mikrofoni.
Nëse do të lindë një parti, le të lindë nga vota e sheshit, jo nga ngutja e foltores.
Nëse do të ketë përfaqësues, le të dalin nga rrethi ku qytetari ka folur me qytetar, jo nga zëri që e mori megafonin më herët.
Sepse një protestë që nuk pyet vetveten, në fund i merr përgjigjet, emërtohet e kornizohet nga të tjerët.
Dhe atëherë nuk është më populli që vendos.
Është populli që përdoret, pasi është duartrokitur si sovran.
Arian Galdini





Comments