top of page

Reflektim filozofik: Ndjekësi që nuk e hamendëson udhën!


Nga Arian Galdini


Unë nuk kërkoj të bind askënd.

As të fitoj ndjekës.

As të siguroj mirëkuptim.


Unë nuk kam ardhur në këtë botë për të qenë i arsyeshëm në sytë e saj.


Kam ardhur për të ndjekur Atë që nuk e pranuan.


Atë që sot zbukurohet në altarë, por nëse do të ecte sërish mes nesh, do të përbuzhej si herën e parë.


Sepse kjo nuk është botë që pranon të vërtetën, është botë që kërkon versionin e saj të lezetshëm e të rehatshëm.


Të ndjekësh Jezusin nuk është devocion emocional.


Është një thirrje që të lë pa strehë.


Të nxjerr nga turma.

Të zbret nga podiumi.

Të shkul nga siguritë.

Të çon atje ku nuk do të jesh, që të bëhesh ai që nuk ke guxuar të jesh.


Të ndjekësh Jezusin është të jesh i mohuari i botës së rehatisë.


Është të thuash të vërtetën kur gjithçka është lojë.


Të rrish i heshtur kur gjithçka bërtet.


Të mos e shesësh shpirtin për të qenë i kuptuar.


Të mos e paketosh dritën për të qenë i pëlqyeshëm.


Sot, jo të gjithë ata që e përmendin Jezusin, e ndjekin vërtetësisht e sinqerisht udhën e Tij, por me siguri ndjekin imazhin që i kanë dhënë.


E duan si ikonë të sistemit të tyre, si logjikë të moralit që u leverdis, si argument për të justifikuar urrejtjen që nuk guxojnë ta quajnë të tillë.


Por ai që e ndjek Jezusin vërtet, nuk rreshtohet dot me askënd që kërkon të sundojë.


Sepse ai që mbante kryqin nuk kërkonte asgjë, përveç dashurisë që nuk imponohet, nuk bind, nuk përbuz.


Të jesh ndjekësi i Tij, do të thotë të jesh i ftohur nga bota, por i djegur nga zjarri i brendshëm që nuk lejon të heshtësh.


Do të thotë të jesh i përjashtuar nga të gjithë format që kërkojnë respekt.


Të pranosh të jesh i keqkuptuar.

Të jesh përçmueshëm i butë.

Të jesh i pakapshëm për sistemin.


Të jesh shfaqja e dritës në një botë që nuk e do më dritën.


Bota nuk të urdhëron të mos e ndjekësh Jezusin.


Ajo ta zëvendëson atë me një iluzion që e quan “dashuri”, por që nuk përmban asnjë sakrificë.


Ta shet si një shpëtim pa kryq.


Një shpirtërim pa zgjim.


Një besim pa përgjegjësi.


Një Krisht që nuk ka më plagë, por vetëm fjalë motivuese.


Por Jezusi nuk erdhi për të motivuar.


Erdhi për të shpëtuar.


Dhe shpëtimi nuk është lehtësim, është udhë që të thërret të vdesësh për ta gjetur veten.


Unë nuk ndjek një imazh.


Unë ndjek Të Vërtetën që hesht përpara pushtetit.


Që nuk mbrohet.

Që nuk urdhëron.

Që nuk përgjigjet.

Që nuk ka as ku të mbështesë kokën.


Ndjek Atë që i shpërndante shpresë të varfërve, por nuk e kërkonte kurrë duartrokitjen e të pushtetshmit.


Atë që nuk u reklamua kurrë.


Që nuk ishte asnjëherë i përshtatshëm për asnjë sistem.


Dhe për këtë e mohuan.

Dhe për këtë e mohojnë sërish.


E çfarë do të thotë të ndjekësh Jezusin në kohën tonë?


Do të thotë të mos kërkosh të bëhesh model,

por të bëhesh mish i heshtur i të vërtetës që nuk shitët.


Të jesh dritë që nuk reklamohet.

Dashuri që nuk barazohet me dobësi.

Mëshirë që nuk ndalon tek miqtë.

E vërtetë që nuk mbyllet nga frika e kryqëzimit.


Po, unë jam i mohuari.

Po, unë nuk përshtatem.

Po, unë nuk bëj për këtë kohë.

Por unë nuk jam asnjëherë vetëm.


Sepse Ai që eci njëherë në mes të botës dhe nuk e pranuan, është ende pranë çdo shpirti që zgjedh të mos bëhet si kjo botë.


Dhe nëse është çmenduri të mos heqësh dorë nga e Vërteta, atëherë le të jem unë i çmenduri.


Por le të mos jem kurrë i padjallëzuar prej butësisë.


I pashpirt prej frikës.

I heshtur prej llogaritjes.

I ftohtë prej dyshimit.


Unë jam ndjekës i Tij.

Dhe për këtë, jam i mohuari i madh.

Por nuk jam i humbur.


Jam i shpëtuar.


Sepse nuk lashë asgjë pas, veç vetes sime që nuk e mohoi atë që e donte më shumë se gjithçka tjetër, Të Vërtetën që nuk kërkonte pushtet.


Por vetëm dashuri.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page