Reflektim filozofik: Vetmia si porta e vullnetit të lirë!
- Arian Galdini
- 2 days ago
- 2 min read

Nga Arian Galdini
Ka një çast ku njeriu mbetet vetëm.
Jo fizikisht, por ontologjikisht, i zhveshur nga të gjitha siguritë e trashëguara, nga besimet e komoduara, nga shpresat që dikush tjetër e ka gati rrugën, shpjegimin, shpëtimin.
Në atë çast, kur gjithçka bie, nuk mbetet asgjë përveç vetëdijes se askush nuk vjen.
Dhe kjo nuk është tragjedi, është fillim.
Jo fundi i shpresës, por lindja e përgjegjësisë.
Vetmia ekzistenciale nuk është fatkeqësi.
Është ndriçim i dhimbshëm, por i vërtetë.
Sepse nëse nuk ke askënd për të të thënë ç’duhet bërë, atëherë për herë të parë, çdo hap bëhet i yti.
Të mos kesh më kujt t’i lutesh, të mos kesh më kë të akuzosh, është fillimi i lirisë së papërkrahur, dhe i vullnetit që nuk mbështetet më mbi fat, por mbi vendim.
Vetëm kur njeriu mbetet pa mbështetje,
mund të ngrihet si qenie që krijon kuptim.
Jo sepse i erdhi, por sepse e përpunoi.
Vullneti i lirë nuk është zgjedhja ndërmjet dy alternativave.
Është forca për të vepruar në një botë që nuk premton asgjë.
Është të ndërtosh kur e di se gjithçka mund të shembet.
Të dashurosh kur nuk pret kthim.
Të bësh mirë kur askush s’ta njeh.
Të japësh formë, edhe pse e di që gjithçka do të përmbyllet në harresë.
Ky është optimizmi më i thellë, jo ai që beson se gjërat do të shkojnë mirë, por ai që nuk ka më nevojë për garantimin e së mirës, për ta bërë të mirën.
Ky është njeriu që nuk pret shpërblim, nuk mbështetet mbi premtim, dhe sërish, vepron për të mirën.
Jo sepse shpreson, por sepse zgjedh të jetë dritë, edhe kur universi është i shurdhër.
Dhembja e kësaj vetmie nuk është ndëshkim.
Është forca që lind kur për herë të parë kupton se asgjë nuk të detyron të bëhesh i mirë, përveç ndërgjegjes tënde.
Dhe kjo është liria më sublime, ajo që nuk të premton shpëtim, por të jep nderin për të qenë krijues i vetvetes, edhe në zbrazëti.
Nuk je i vetmuar sepse je i harruar.
Je i vetmuar sepse je ftuar në një akt që nuk e përballon dot çdo njeri, të jesh themelues i kuptimit.
Të jesh dritë pa dritare.
Të jesh udhë pa hartë.
Të jesh përgjegjësi pa garanci.
Të jesh i mirë, pa ndihmë.
Ky është njeriu i vërtetë, ai që zgjedh të veprojë për të mirën, jo sepse pret shpërblim, por sepse nuk do të lejojë që e keqja të fitojë vetëm pse bota hesht.
Dhe kjo është shpresa e re, ajo që lind pas dorëzimit të çdo shprese të vjetër, dhe mbijeton jo për të të shpëtuar, por për të të kthyer në shpëtim për të tjerët.
Arian Galdini
Comments