top of page

Revolucioni i Zvërnecit: Problemi nuk është flamingoja.



Flamingoja duhet mbrojtur.

Laguna duhet mbrojtur.

Natyra duhet mbrojtur.


Çdo hapësirë që shteti e ka shpallur të paprekshme duhet mbrojtur edhe më fort pikërisht kur vjen oferta më e madhe për ta prekur.


Problemi nis kur flamingoja kthehet në dekor të një guximi të lejuar, ndërsa dallëndyshja e përditshme është dëbuar prej kohësh nga ballkoni me shkop lecke, vetëm pse la një shenjë jete mbi pragun tonë.


A bëhet revolucion prej vërteti kur bie çmimi i guximit?


Kjo është pyetja.


Sepse guximi, zgjimi dhe dinjiteti kanë vlerë vetëm kur janë virtyt, jo kur bëhen mall shumice pasi u është ulur çmimi politik.


Nuk mjafton të bëhesh trim kur sheshi është plot, kur kamera është ndezur, kur turma të mban, kur frika ndahet në mijëra trupa dhe askush nuk paguan vetëm.


Vlera e guximit provohet kur njeriu qëndron edhe kur nuk ka brohoritje.


Vlera e zgjimit provohet kur njeriu sheh edhe plagën e vogël që nuk është bërë ende modë.


Vlera e dinjitetit provohet kur njeriu nuk pret lejen e turmës për ta mbajtur drejt shpinën.


Prandaj unë i besoj dashurisë për flamingon vetëm kur ajo ka kaluar më parë provën e folesë së dallëndyshes.


I besoj zgjimit vetëm kur nuk ndizet me telekomandë.


I besoj guximit vetëm kur mbetet i tillë edhe pas rënies së zhurmës, kur sheshi zbrazet, kur kamerat largohen, kur pëlqimi sërish fillon të kushtojë, kur njeriu mbetet vetëm përballë pushtetit, miqve të heshtur dhe frikës së zakonshme.


Revolucioni nuk matet nga sa shumë njerëz dolën kur guximi u bë i lirë e me leje.


Matet nga sa prej tyre do të qëndrojnë kur guximi të bëhet përsëri i shtrenjtë.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page