top of page

Revolucioni, Moxarti, uturaku dhe piano!

Jun 22
6 min read


Nga Arian Galdini


E kam ndjerë këtë tërsëllime sharjesh e mallkimesh pothuajse çdo ditë të jetës sime, që prej 1994, kur Sali Berisha asokohe President Republike dhe Eduart Selami si Kryetar i PDSH, kërkuan shkarkimin e Arben Likës nga detyra e tij si Kryetar i Forumit Rinor të PDSH.


Unë isha krejt i ri, naiv e i pamësuar.

Vetëm 20 vjeç.


Me Arben Likën ishim njohur kur unë si 16 vjeçar, gjimnazist, e si më quajtën ata atkohë e gjithmonë në vijim, si vëlla i vogël i studentëve të dhjetorit ‘90, shkoja për ti mbështetur e admiruar.


Kisha njohur edhe themeluesit e tjerë të FRPD, Ridvan Peshkëpinë, Romeo Karaj, etj, etj, etj.


Madje Ridvan Peshkëpia ishe njeriu i parë i cili më ftoi e kërkoi të bashkohesha me FRPD në shkurt të 1991.


Nuk e harroj kurrë sesi ai plot pasion më fliste për politikën e së bashku qëndruam orë e orë të tëra duke shkëmbyer ide e ëndrra për një Shqipëri Europiane.


Dhe unë e nisa historinë time me FRPD dhe PD 16 - 17 vjeçar në shkurt 1991, e deri në vitin 1994, qëndrova më krye të Forumit Rinor për qytetin e Vlorës.


Fatkeqësisht, në aq pak kohë e në një moshë kur pakgjë kuptoja e krejt pak dija, përjetova, thirrjen me urgjencë në Tiranë për të shkarkuar në vitin 1993, Ridvan Peshkëpinë, i cili kishte dalë “armik partie”, e për të zgjedhur Arben Likën si Kryetar të FRPD, e fiks pas 1 viti në vitin 1994, na kërkuan po njëlloj të fshinim Arben Likën për të zgjedhur më pas Afrim Krasniqin…


Tek Ridvani, nuk mund të them se e kuptova mirë se çfarë ndodhi, edhe pse ndjeja keqardhje, ngase Ridvanin e vleresoja me sinqeritet.


Me Arbenin, nuk heshta. Madje në mbledhjen e drejtuar nga Eduart Selami, u ngrita e kundershtova me gjithë fuqinë time atë që po ndodhte, e më pas dola edhe nga salla e ika fare duke u rikthyer në qytetin tim të Vlorës.


Pas pak kohësh lexova ne RD se Kryetari i ri i FRPD, Afrim Krasniqi, vendimin e parë që kishte marrë ishte përjashtimi im dhe i Gramoz Dudushit nga Këshilli Kombëtar i FRPD. Kaq ishte historia ime rinore me PD e FRPD.


Megjithatë vijova të qëndroja anëtar i thjeshtë i PD duke besuar naivisht se aty ne ishim njerëz idealesh të mëdha që do të transformonim Shqipërinë.


Imagjinoni, aq i pagdhëndur isha, aq i paditur, sa në vitin 1997, vetëm 23 vjeç pranova të kandidoj për deputet për Koalicionin e PD, Bashkimi për Fitore, në qytetin e Vlorës, në kulmin e rrebelimit dhe përplasjes së armatosur.


Sidoqoftë, edhe pse me mendjen time besoja se po shërbeja plot besim e pafajësi për një PD idealiste për një Shqipëri Europiane, që nga dita kur dola nga salla ku debatova me Eduart Selamin, e ndjeja që diçka nuk shkonte.


Ndjeja njerëz që flisnin një mijë të zezat pas shpine për mua.


Dikush, një grup a një qendër gumëzhinte papushim kundër meje.


As e kuptoja fare çfarë ishte.


Thjesht i vija emrin, xhelozi e zili perrethnakësh.


Në fund të fundit, në moshën që isha unë, as më prishte punë fare sepse as prisja a synoja karrierë, e as mund të bëja karrierë sepse kisha studime e shkollë për të bërë më parë, e aty qëndronte mendja e zemra ime.


Ja që vitet kaluan, e ky rrethimi i gumëzhitësve sa vinte e bëhej edhe më agresiv, më toksik, më i vrerosur, e madje edhe më masiv.


Ligësia e vreri i fjalëve të pas-shpinës po kapte kulmet kur unë po mbaroja Universitetin e si duket “ata” mendonin se po bëhesha gati për të hyrë në jetë…


E ndjeja që në PD në çdo korridor, e në çdo zyrë, e madje edhe tek kafenetë aty përballë, flitej e flitej keq e plot helm e shpifje e sajesa ndaj meje, sepse e shihja dhe dalloja nga reagimet e njerëzve e kishte raste kur njerëz të mirë me tregonin.


I shpërfillja këta lumenj balte e shpifjesh e negativiteti, sepse edhe kur u bëra gati për të hyrë në jetën profesionale, unë nuk shkova tek PD për karrierë e punë, por themelova FDE - Forumin për Demokraci dhe Etikë, një organizatë jo fitimprurëse, me të cilën ndërtuam së bashku me një ekip fantastik një prej qendrave më ndikuese e me të suksesshme në 36 vite e fundit për kulturën dhe vlerat demokratike e etike.


Asnjë qindarkë nuk e ka marrë FDE nga asnjë Fondacion i huaj. Asnjë.


Asnjë ditë FDE nuk u financua asnjë qindarkë as nga Soros, e nga asnjë donator privat.


Ne jemi mbështetur vetëm nga para publike të taksapaguesve Amerikanë, Britanikë dhe Gjermanë.


Para publike, pra para të Qeverive të SHBA, Britani e Madhe dhe Gjermani.


Për këtë jam shumë krenar sepse prej vitit 2001 e deri në vitin 2011, FDE ishte e vetmja OJF në Shqipëri e madje edhe në Ballkan, që nuk e dinte fare se ku ishin zyrat apo qendrat e Sorosit apo Donatorëve.


As e dinim ku ishin, as çfarë ishin, e as ua kishim nevojën.


Me pak fjalë, edhe pasi mbarova studimet e larta, nuk shkova në PD për punë e karrierë, jo.


Asnjë ditë në jetën time nuk kam punuar as në PD, as në shtet, as në Qeveri, as në Bashki, as në Administratë Publike, askund.


Asnjë ditë në jetën time nuk kam punuar në shtet, e asnjë qindarkë në xhepat e mi nuk ka hyrë as nga PD e as nga Shteti a Qeverisjet, e nga asnjë Parti. Asnjë.


Kam qenë themelues e drejtues i FDE, pedagog, autor ekspertizash, shkrimesh, opinionesh e librash, gjithë jetën time, me nder, djersë, mund, sakrifica e kryelartësi.


Sigurisht që nuk jam bërë dot kurrë i pasur.


Ska gjë.


Kam qenë gjithmonë me kryet lart.


Aty në PD më shanin e urrenin pse nuk u kërkoja punë e karrierë.


Më urrenin e shanin pse flisja lirshëm e pse thoja gjithmonë atë që mendoja.


Derisa unë vendosa në 2009, të ikja edhe zyrtarisht nga PD, duke dhënë dorëheqjen nga anëtarësia ime në atë parti.


Kisha qëndruar si idealist, prej shkurtit 1991 e deri në korrik 2009, anëtar i thjeshtë i PD.


Kaq.


Anëtar i thjeshtë i PD. Asnjë post, asnjë rol, asnjë detyrë, asnjë ofiq, zero.


Ikja ime nga PD në 2009, thjesht çliroi bulçitë e të vrerosurve të pas-shpinës dhe tani që isha shpallur edhe zyrtarisht “armik partie”, ata ligjëruan e qarkulluan gjithë vrerin e ligësinë e kësaj bote me shpifje, sajesa e baltë mbi mua.


Më kanë përndjekur e persekutuar hap pas hapi të jetës sime.


Nuk kanë lënë gjë pa shpikur e pa shpifur.


E nisi Afrim Krasniqi në 1994, e nuk pushuan më këta.


Me Afrimin bëhen herë miq e herë armiq, a fjalët e shpifjet dhe urrejtjen ndaj meje e kanë njëlloj e nuk rreshtin së shtuari e theksuari papushim çdo ditë.


Më kujtohet madje, që pikërisht ka qenë ky Afrim Krasniqi, njeriu që shkroi një artikull tek RD në vitet 1996 - 1997, ku akuzonte me shpifje e nënkuptime se unë isha madje edhe “shitës droge” e “hashashi”…🤣🤣🤣🤣


Pa shihni, kujdes, sepse ka qenë ky shkrim shpifarak i Afrim Krasniqit që u bë baza e mëtejme e shpifjeve të mëvonshme të Mero Bazes në vitin 2012, e 2015, e të ricikluara nga PD në 2019, e nga Nova Media në vitin 2020 - 2021.


E dini besoj, “lajmin e bujshëm”, dosjen e bujshme të Mero Bazes, ku unë akuzohesha me shpifje si “burgaxhiu” që kishte shitur drogë dhe kishte bërë burg në rini, por që “shpifësit” nuk e kishin ndarë mendjen se ku e kisha bërë burgun, madje akoma nuk ma kanë caktuar se ku e kam bërë burgun, në Itali, Shqipëri, apo gjetkë…🤣🤣🤣🤣


Jam akoma në pritje të daljes së dosjes sime kriminale..🤣🤣🤣🤣


Me shpifjet e PD më ka sulmuar edhe PS, me shpifjet e Mero Bazes, më ka sulmuar edhe PD e Lul Bashës, edhe PD e Alibeajt, edhe PD e Berishës, të gjitha PDtë e kujtdo që ka qenë në atë Seli e Parti.


Me të njëjtat shpifje më sulmojnë sot edhe Partitë e Reja, edhe Flamungot.


Njëlloj, njëlloj.


I njëjti vrer, të njëjtat sharje, të njëjtat etiketime, e njëjta makineri llumi e ligësie…


I lexoj papushim, papushim, papushim:


O mashtrues, o njeri kot, o delirant.


Ti nuk bën asgjë.


Ti je delirant, mashtrues, i pavlerë.


Ti ke vetëm fjalë, e sbën asgjë.


Kush je ti? Kush të njeh ty?


Kush të përfill ty?


Ti je kundër të gjithëve, se kushedi se çtë duket vetja ty.


U bëre ti. E kush je ti?


Etj etj etj, etj…


Njëlloj, njëlloj sikur dalin nga e njëjta makineri.


Arrijnë deri aty sa edhe kur unë nxjerr foto nga shtëpia ku ka lindur Moxarti, për të më “fyer” e “lënduar” mua me “fjalë e mendime të liga e tinzare”, komentojnë duke kërkuar “uturakun” e Moxartit.


Kujtojnë se “uturaku” i Moxartit më ul mua.


O Zot i madh.


Harrojnë këta të gjorë, se dikush që kërkon të shohë “uturakun”, aty ku është piano e Moxartit, nuk më fyen, as ul, e as lëndon mua, thjesht flet qartë se në c’derexhe është vetë…


Nuk e ngrini Revolucionin duke më sharë mua me “vrerin” e PD.


Nuk më ulni mua, duke kërkuar “uturakun”, aty ku është piano e Moxartit, piano ku ai mësoi pa mbushur 3 vjeç të bëjë mrekulli.


Kaq.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page