top of page

Revolucioni pa mikrofon!

Jun 7
4 min read



Nga Arian Galdini


Bota e pa protestën shqiptare kur në të hyri emri Trump.


Shqipëria e ndjeu më parë, kur pa një trup të tërhequr zvarrë mbi tokën e vet.


Një i ri pranë Zvërnecit. Një gardh.

Një vijë bregdeti. Forcë private.

Tokë e rrethuar përpara se të ishte sqaruar.


Një qytetar që nuk trajtohej si njeri që kërkon përgjigje, por si pengesë para një projekti.


Ajo pamje ndezi vendin sepse shqiptarët nuk panë aty vetëm një të ri.


Panë veten.


Panë qytetarin që prej dekadash tërhiqet zvarrë mes shtetit dhe privatit, mes lejes dhe dhunës, mes pronës dhe dokumentit, mes ligjit dhe dorës që gjithmonë zgjatet më shumë se ligji.


Prandaj kjo protestë nuk lindi si revoltë anti-Trump.


Lindi si revoltë kundër poshtërimit.


Në fillim ishte toka. Pastaj prona. Pastaj laguna. Pastaj banori. Pastaj Tirana. Pastaj Rama. Pastaj Berisha. Pastaj Kushner-i dhe Ivanka në sytë e botës.


Dhe, në fund, mikrofoni.


Ky është udhëtimi i vërtetë i këtyre ditëve, jo nga Zvërneci te Trump-i, por nga trupi i tërhequr zvarrë te beteja se kush do ta përkthejë atë trup në kuptim politik.


Në shesh nuk u mblodh një ide e vetme.


U mblodh një vend me shumë plagë.


Mjedisi, prona, shteti, duopoli, oligarkia, investimi i huaj, zemërimi anti-Rama, lodhja anti-Berisha dhe trupi i qytetarit përballë forcës private hynë në të njëjtën hapësirë.


Kjo e rriti protestën.


Kjo e bëri edhe të pambrojtur.


Sepse një konglomerat plagësh mund të mbledhë shpejt shumë njerëz, por mund të humbasë po aq shpejt të drejtën për ta emërtuar veten.


Mediat ndërkombëtare gjetën historinë më të lehtë për t’u lexuar, shqiptarët po protestojnë kundër një resorti luksoz të lidhur me familjen Trump, pranë një zone të mbrojtur, me lagunë, flamingo, roje private dhe një kryeministër që mbron investimin.


Është kornizë e fuqishme.


Ka gjithçka që një redaksi botërore e kupton menjëherë, Trump, Kushner, Ivanka, luks, natyrë, një vend i vogël, bregdet i bukur, protestues dhe pushtet sfidues.


Por lexueshmëria nuk është e njëjta gjë me të vërtetën.


Mediat ndërkombëtare nuk e shpikën protestën.


Bënë diçka më të hollë dhe më të rrezikshme për të vërtetën, morën pjesën më të lexueshme dhe e lanë të dukej si e tëra.


Morën fijen më të lehtë për botën dhe e quajtën pëlhurën.


Po, në shesh ka zëra kundër investimit, kundër Kushner-it, kundër Ivankës, kundër Trump-it, kundër turizmit të huaj luksoz, kundër kolonizimit ekonomik të bregdetit shqiptar.


Këta zëra ekzistojnë.


Por nuk janë e tëra.


Janë një fije.


Kur një fije bëhet emri i gjithë pëlhurës, nuk kemi më vetëm raportim.


Kemi prodhim kuptimi.


Dhe në politikë, ai që prodhon kuptimin nuk është spektator.


Është bashkautor.


Pjesa e papërkthyer e kësaj proteste është më e thellë, ajo nuk është në themel anti-Trump. Nuk është vetëm mjedisore.

Nuk është vetëm pronësore.

Nuk është vetëm anti-investim.

Nuk është vetëm anti-Rama.


Ajo është anti-poshtërim.


Më tej, ajo është anti-duopol.


Historia ndërkombëtare gjeti çiftin e saj, Jared dhe Ivanka.


Por çifti real që rëndon mbi sheshin shqiptar është më i vjetër, më vendas dhe shumë më vendimtar, Rama dhe Berisha.


Jared dhe Ivanka janë korniza e jashtme.


Rama dhe Berisha janë nyja e brendshme.


Rama e ka frikë protestën kur ajo unifikohet te kërkesa “Rama ik”.


Berisha e ka frikë protestën kur ajo thotë “Rama në burg, Berisha në burg”.


Rama trembet nga sheshi që mund ta bëjë dorëheqjen kërkesë qendrore.


Berisha trembet nga sheshi që mund t’i heqë monopolin historik mbi anti-Ramën.


Prandaj të dy kanë nevojë që protesta të mbetet konglomerat.


Konglomerati rrit numrat, por vonon kuptimin.


Një revoltë e qartë anti-Rama e dëmton Ramën.


Një revoltë e qartë anti-duopol dëmton Ramën dhe Berishën.


Por një konglomerat mund të ndahet, diskreditohet, zbutet, radikalizohet, ndërkombëtarizohet sipas një fijeje të vetme, ose përdoret për të thënë, shikoni, jashtë nesh vjen rrëmuja.


Këtu nis beteja reale.


Sendi vendimtar në Tiranë nuk është flamingoja.


Është mikrofoni.


Flamingoja e bën protestën të dukshme.


Mikrofoni vendos nëse ajo bëhet politike.


Kush kontrollon mikrofonin, kontrollon pagëzimin e revoltës.


Kush kontrollon mikrofonin, vendos nëse kjo quhet protestë mjedisore, revoltë anti-qeveri, zgjim anti-duopol, histori anti-Trump, front antikolonial, trazim nacionalist, lëvizje anti-oligarkike, kërkesë qytetare për dosje, apo thjesht rrëmujë ballkanike e dobishme për rendin e vjetër.


Në epokën tonë, revoltat nuk vidhen vetëm me polici.


Vidhen edhe me përkthim.


Një protestë pa mikrofon të vetin është e hapur për çdo përkthyes.


Qeveria do ta përkthejë si kaos.


Opozita e vjetër si anti-Rama, por jo anti-sistem.


Aktorët e rinj si lindje të tyre.


Radikalët si përmbysje.


Mediat ndërkombëtare si histori anti-Trump.


Secili merr nga sheshi atë që i duhet.


Secili nxjerr nga turma fragmentin që i shërben.


Secili thotë, ja kuptimi i saj.


Por pyetja shqiptare është më e ftohtë se kaq.


A mundet një popull të hyjë në shesh dhe të dalë prej tij me kuptimin e vet të paprekur?


Apo do të hyjë duke kërkuar drejtësi dhe do të lërë pas një histori të shkruar nga dikush tjetër?


Kjo është pyetja.


Jo sa njerëz dolën.


Jo sa kamera filmuan.


Jo sa tituj u shkruan jashtë.


Jo sa emra të mëdhenj u përmendën.


Por kush do ta zotërojë kuptimin kur sheshi të zbrazet.


Numrat mund ta plagosin një qeveri.


Pamja mund ta trembë një pushtet.


Lajmi ndërkombëtar mund ta vendosë një çështje në hartën globale.


Por as numri, as pamja, as lajmi nuk e krijojnë vetvetiu subjektin politik.


Subjekti lind kur një protestë ka kërkesën e vetë, dokumentin e vetë, disiplinën e vetë, kufirin e vetë dhe mikrofonin e vetë.


Pa këto, ajo bëhet lëndë e parë, për qeverinë që do ta quajë kaos, për opozitën e vjetër që do ta mbajë vetëm anti-Rama, për aktorët e rinj që duan ta pronësojnë e trashëgojnë, për radikalët që do ta ndezin, për mediat ndërkombëtare që do ta përkthejnë dhe për pazarin e nesërm që do ta administrojë.


Protesta shqiptare ende mund të fitojë diçka reale.


Mund të detyrojë transparencë.


Mund të pezullojë një projekt.


Mund të hapë një zinxhir pronësie.


Mund të dobësojë një kryeministër.


Mund të trembë një opozitë të vjetër.


Mund të krijojë një gjuhë të re qytetare.


Por mund të humbasë diçka më të madhe se të gjitha këto, nëse lejon të tjerët ta pagëzojnë përpara se të kuptojë veten.


Protesta nisi sepse një trup u tërhoq zvarrë mbi tokë shqiptare.


Do të humbasë nëse lejon që, pas trupit, të tërhiqet zvarrë edhe kuptimi i saj.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page