top of page

Sfidë për një botë me arsye!


Nga Arian Galdini


Një njeri hyn në një sallë me një dokument në dorë.


Letra është palosur në mes, si çdo provë që ka pritur më gjatë se duhej.


Në një cep ka një datë.


Poshtë, një firmë.


Mbi të, shenja e gishtave që e kanë mbajtur shumë herë, jo si armë, por si shpresë se një ditë dikush do ta lexojë përpara se ta pyesë kush e solli.


Njeriu nuk bërtet.


Nuk ka flamur pas vetes.


Nuk ka parti që e prezanton.


Nuk ka kryetar që ia hap rrugën.


Nuk ka kamera që e ndjekin.


Nuk ka mikrofon.


Ka vetëm dokumentin, të vërtetën që mban dhe shpresën e thjeshtë që fjala të dëgjohet përpara prejardhjes së saj.


Por salla nuk e dëgjon ende.


Salla sheh nga mikrofoni.


Mikrofoni është në dorën e dikujt tjetër.


Ai tjetri mund të mos ketë dokumentin.


Mund të mos ketë parë më shumë.


Mund të mos ketë menduar më thellë.


Mund të mos ketë paguar asnjë çmim për të vërtetën.


Por ka zërin e njohur, vendin e njohur, rreshtin e njohur, shenjën e pronarit.


Për një shoqëri të stërvitur keq, kjo mjafton.


Njeriu me dokument pret.


Njeriu me mikrofon dëgjohet.


Kjo nuk është vetëm pamje e një vendi.


Është njeriu që ka provën dhe nuk ka portën.


Është fjala që ka të vërtetën dhe nuk ka qarkullimin.


Është qytetari që ka plagën dhe nuk ka dëgjimin.


Është dokumenti që pret përballë mikrofonit.


Kjo sallë mund të jetë kudo.


Mund të jetë parlament, gjykatë, studio televizive, komision, parti, universitet, protestë, rrjet social, shesh qyteti, dhomë vendimmarrjeje.


Mund të jetë edhe ekrani i vogël ku njeriu modern e merr botën me gishta dhe e humb gjykimin pa e vënë re.


Në thelb, është gjithmonë i njëjti vend, hapësira ku një shoqëri vendos kë dëgjon përpara se të vendosë çfarë është e vërtetë.


Dhe salla nuk është gjithmonë larg nesh.


Ndonjëherë jemi ne.


Sa herë presim të dimë kush e tha përpara se të dëgjojmë çfarë u tha, bëhemi pjesë e saj.


Sa herë kërkojmë pronarin e fjalës përpara dritës së saj, bëhemi dogana e saj.


Sa herë e lëmë dokumentin të presë derisa mikrofoni ta lejojë, nuk jemi më vetëm dëgjues.


Bëhemi pjesë e mekanizmit.


Një qytetërim nuk matet vetëm nga liria për të folur.


Matet edhe nga drejtësia me të cilën dëgjon.


Sepse liria për të folur nuk mjafton kur veshi publik është i kapur.


Një njeri mund të flasë dhe prapë të mos hyjë në ndërgjegjen e kohës së tij.


Një dokument mund të jetë i vërtetë dhe prapë të mbetet jashtë sallës ku prodhohet njohja.


Një plagë mund të jetë reale dhe prapë të dëgjohet vetëm kur dikush tjetër ia merr mikrofonin.


Këtu nis një nga sëmundjet më të holla të botës sonë.


E vërteta nuk humbet gjithmonë sepse mungon.


Shpesh humbet sepse i kërkohet leje nga ata që ajo duhet të gjykojë.


Në një shoqëri të kapur, fjala nuk pyetet menjëherë nëse është e vërtetë.


Pyetet kush e tha.


Kush e mban.


Kush e përdor.


Kush e ka vulosur.


Kështu vdes arsyeja, jo gjithmonë nga mungesa e mendimit, por nga zëvendësimi i mendimit me origjinën e zërit.


Çdo kohë ka doganat e veta të së vërtetës.


Dikur fjala ndalej në kufirin e censurës.


Sot, shpesh, nuk ndalohet fare.


Lihet të kalojë, por nuk futet në qarkullimin e njohjes.


Nuk digjet libri, digjet vëmendja, nuk mbyllet goja, mbyllet veshi, nuk ndalohet fjala, ndalohet të bëhet e dëgjueshme.


Mikrofoni nuk ishte vetëm mjet zëri.


Ishte doganë.


Kush nuk kalonte nëpër të, nuk hynte në dëgjimin publik.


Dogana nuk ishte te dera e sallës.


Ishte te veshi i saj.


Ky është pushteti më i hollë, jo të ndalojë fjalën, por të stërvitë veshin, jo të mbyllë gojën, por të vendosë cilat gojë bëhen të dëgjueshme, jo ta burgosë njeriun, por ta lërë të flasë jashtë njohjes.


Njeriu me dokument nuk përjashtohet gjithmonë me forcë.


Ndonjëherë mjafton të mos dëgjohet.


Kjo është varfëria e madhe e një vendi, dhe më gjerë, e një qytetërimi, jo kur i mungojnë njerëzit që flasin, por kur i mungon bota që di t’i dëgjojë.


Bota moderne ka shtuar zërat, kanalet dhe ekranet, por jo domosdoshmërisht dëgjimin, kriterin dhe ndërgjegjen.


Ka bërë të mundur që fjala të qarkullojë më shpejt se kurrë, dhe që e vërteta të mbytet pa u ndaluar nga askush.


Ky është paradoksi i epokës sonë, njeriu mund të flasë më lirshëm dhe të dëgjohet më padrejtësisht.


Një vend mund të ketë shumë fjalë dhe prapë pak arsye.


Mund të ketë shumë debate dhe prapë pak mendim.


Mund të ketë shumë zhurmë dhe prapë pak të vërtetë.


Arsyeja nuk është pjesëmarrje në zhurmë.


Është aftësia për të dalluar të vërtetën edhe kur ajo nuk vjen nga kampi yt, nga kryetari yt, nga partia jote, nga frika jote, nga interesi yt.


Aty ku ka arsye, njeriu nuk dëgjohet sepse është i dobishëm për palën.


Dëgjohet sepse thotë diçka që duhet dëgjuar.


Aty ku ka arsye, e vërteta nuk pyetet nëse është e majtë apo e djathtë, e jona apo e tyre, e dobishme apo e rrezikshme për rreshtimin.


Pyetet nëse ndriçon. Nëse zbulon.


Nëse shpjegon.


Nëse e mbron njeriun nga gënjeshtra ku ai ka mësuar të rrijë rehat.


Por ne nuk jetojmë ende në atë botë.


Ne jetojmë në një kohë ku shpesh nuk kërkohet e vërteta.


Kërkohet konfirmimi.


Njeriu nuk do gjithmonë të dëgjojë atë që e çliron.


Shpesh do të dëgjojë atë që e justifikon.


Do t’i thuhet se ka pasur të drejtë të urrejë atë që urren, të ndjekë atë që ndjek, të heshtë kur ka heshtur, ta quajë mençuri atë që ishte frikë, ta quajë besnikëri atë që ishte kapistër.


Prandaj shoqëritë e kapura nuk ndahen më vetëm sipas ideve.


Ndahen sipas pronarëve të dëgjimit.


Një zë ka ekran.


Një dhimbje ka mikrofon.


Një zemërim ka kryetar.


Një protestë ka përkthyes.


Një e vërtetë ka vulë.


Tjetra, edhe kur është më e thellë, mbetet pa adresë.


Dhe e vërteta pa adresë rrallë hyn në veshin publik.


Veshi publik është stërvitur me frekuencën që vjen nga lart.


Nuk dëgjon më njeriun që flet nga poshtë, nga vetja, nga ndërgjegjja, nga përvoja, nga mendimi.


Ai zë duket i çuditshëm sepse nuk mban urdhër të njohur.


Nuk ka flamur kampi.


Nuk vjen me turmë.


Nuk vjen me përfitim.


Nuk vjen me garanci karriere.


Nuk vjen me shenjën e pronarit.


Prandaj njeriu i lirë shpesh duket më i dyshimtë se mashtruesi i rreshtuar.


Mashtruesi i rreshtuar është i lexueshëm.


Dihet kujt i shërben. Dihet nga vjen.


Dihet pse flet.


Edhe kur gënjen, gënjeshtra e tij ka adresë.


Njeriu i lirë është më i vështirë.


Ai nuk i përket askujt.


Nuk mund ta përkthesh lehtë.


Nuk mund ta përdorësh menjëherë.


Nuk mund ta futësh në tabelë.


Nuk mund ta shpallësh pa rrezik as mik, as armik.


Ndaj shoqëria e kapur bën gjënë më të thjeshtë: e lë pa njohje.


Kjo është një formë e hollë përjashtimi.


Jo ta ndalosh, por ta lejosh të flasë dhe të sillesh sikur nuk ekziston.


Jo ta burgosësh, por ta lësh jashtë veshit.


Jo ta mundësh me argument, por ta mbytësh me indiferencë, baltë, tallje dhe pyetjen e vjetër: kush je ti?


“U bëre ti?”


Kjo fjali nuk pyet për idenë.


Pyet për lejen.


Nuk pyet nëse fjala që u tha është e vërtetë.


Pyet nëse njeriu që e tha ka marrë të drejtën të flasë nga ata që kanë zaptuar të drejtën për t’u dëgjuar.


Në atë sallë, përultësia e njeriut me dokument u lexua si dobësi.


Mungesa e flamurit si kotësi.


Pavarësia si dyshim. Karakteri si pengesë.


E vërteta si shqetësim.


Një botë me arsye pyet, çfarë po thotë?


Një shoqëri e kapur pyet, kush e ka vulosur?


Këtu humbet Republika përpara se të humbasë në zgjedhje.


Sepse zgjedhjet nuk janë i vetmi vend ku vidhet përfaqësimi.


Përfaqësimi vidhet më herët, kur qytetari mësohet të njohë vetëm ata që ia paraqet sistemi, kur mendimi pa sponsor i duket i pavlefshëm, kur karakteri pa pushtet i duket dobësi, kur njeriu që nuk shitet i duket i pamundur, prandaj edhe i dyshimtë.


Njeriu me dokument ende pret.


Salla ende sheh mikrofonin.


Kjo pritje është më e rëndë se kundërshtimi. Kundërshtimi të pranon si palë.


Mosnjohja të heq nga tryeza.


Dhe njeriu fillon të humbasë jo vetëm betejën publike, por edhe gjuhën me të cilën mund të shpjegohet.


Sepse çfarë mund t’i thuash një shoqërie që nuk dëgjon para se të dijë kujt i përket?


Çfarë mund t’i thuash një qytetari që e urren sistemin, por beson vetëm ata që sistemi i ka bërë të dukshëm?


Ky është paradoksi më i rëndë.


Viktima e sistemit shpesh nuk e njeh të vërtetën nëse sistemi nuk ia prezanton.


I shtypuri kërkon vulën e shtypësit për të besuar njeriun që flet kundër shtypjes.


Kjo është kapja më e thellë, jo vetëm kapja e institucioneve, por kapja e veshit, e syrit, e besimit, e kriterit me të cilin njeriu vendos kush ia vlen të dëgjohet.


Kur sistemi arrin të vendosë jo vetëm kush qeveris, por edhe kush ekziston, atëherë shoqëria nuk është thjesht e varfër politikisht.


Është e varfër shpirtërisht.


Sepse njeriu pa vulë nuk humbet vetëm përballë pushtetit.


Humbet edhe përballë qytetarit që duhej ta dëgjonte.


Aty hyn zhurma.


Zhurma bëhet industri kur mikrofoni nuk shërben më për ta dëgjuar njeriun, por për ta zëvendësuar atë.


Atëherë pushteti flet si rend, kundërshtimi si ritual zemërimi, media si gjyq i përditshëm, rrjeti si turmë, plaga si mikrofon.


Në fund, të gjithë flasin për qytetarin dhe qytetari mbetet pa zë.


Tregtari i zemëratës është ai që nuk i kthen zërin plagës, por i merr mikrofonin asaj.


Ai nuk thotë, më beso se jam pushtet. Thotë, më beso se jam zemërimi yt.


Këtu qytetari rrezikon të humbasë për herë të dytë, një herë nga pushteti që ia shkaktoi plagën, një herë nga zëri që ia mori plagën për të folur në emër të saj.


Edhe protesta më e drejtë humbet kur njeriu që doli për të folur kthehet në dekor të mikrofonit që flet në emër të tij.


Pushteti e do qytetarin spektator.


Tregtari i zemëratës e do qytetarin dëshmi.


Të dy nuk e duan qytetarin si mendje.


Këtu hyn Urtia.


Urtia nuk është zbutje e së vërtetës, por disiplina që e kthen veshin nga dokumenti kur salla është mësuar të adhurojë mikrofonin.


Nuk është heqje dorë nga beteja, por refuzim për ta lënë betejën në duart e atyre që jetojnë nga vazhdimi i saj.


Nuk është mes i vakët midis së mirës dhe së keqes, por aftësia për të parë se e keqja mund të vijë edhe me flamurin e kundërshtimit ndaj së keqes.


Urtia është forma më e vështirë e guximit në kohë zhurme.


Sepse zhurma të jep menjëherë një turmë, një armik, një flamur, një fjali, një vend ku të rreshtohesh.


Urtia të kërkon më shumë, të mos bëhesh vegël e pushtetit, por as instrument i zemëratës së dikujt tjetër, të mos heshtësh përballë padrejtësisë, por edhe të mos ia dorëzosh plagën tënde tregtarit që kërkon ta përdorë për të blerë të nesërmen.


Përballë kësaj industrie zhurme, Shqipërisë nuk i duhet një zhurmë tjetër.


I duhet një Shqipëri Mendonjëse.


Shqipëria Mendonjëse fillon aty ku qytetari nuk ia jep më veshin me qira.


Nuk është Shqipëria që rri larg.


Nuk është Shqipëria që e quan maturi frikën. Nuk është Shqipëria që përdor arsyen si alibi për mosveprim.


Është gjendja e qytetarit që nuk e ngatërron arsyen me ftohtësi, zemërimin me drejtësi, protestën me përfaqësim, mikrofonin me mandat dhe zhurmën me të vërtetën.


Arsyeja nuk është dekor i fjalës.


Është kthimi i veshit te dokumenti.


Në një botë pa arsye, e vërteta kërkon vulë.


Në një Republikë me arsye, vula kërkon të vërtetën.


Kjo është përmbysja që na duhet, qytetari që nuk pyet “kush e tha?” përpara se të dëgjojë, por “çfarë ndriçoi?” përpara se të rreshtohet; shoqëria që nuk pret nga sistemi t’i tregojë kush ekziston, por njeh njeriun përpara se sistemi t’i vërë vulë ose t’i hedhë baltë.


Një vend nuk bëhet me arsye kur flet më shumë.


Bëhet me arsye kur dëgjon më drejt.


Në fillim dukej sikur njeriu me dokument po priste radhën për të folur.


Në fund kuptohej se salla po priste radhën për t’u bërë e arsyeshme.


Një botë me arsye fillon aty ku dokumenti dëgjohet përpara mikrofonit.


Aty ku kjo nuk ndodh, një vend nuk ka humbur vetëm zërin e njeriut me dokument.


Ka humbur veshin me të cilin mund të shpëtonte.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page