Sheshi hap Çastin, Misioni mban Kohën!

Nga Arian Galdini
“Shko në protestë.”
“Bashkohu me popullin.”
“Bashkohu me rininë.”
Këto fjalë më vijnë si refren i ditës.
Më thonë se nderi është atje.
Se guximi provohet atje.
Se historia po bëhet atje.
Ta zëmë se kanë të drejtë.
Ta zëmë se sheshi është sot vend ku qytetari e tregon praninë e vet, ku dhimbja bëhet e dukshme, ku zemërimi i drejtë merr trup, ku njerëz të ndershëm kërkojnë një vend më të pastër.
Unë nuk e mohoj këtë.
Por historia nuk ka vetëm një vend.
Shërbimi nuk ka vetëm një pamje.
Nderi nuk ka vetëm një formë.
Guximi nuk ka vetëm një zë.
Ka çaste kur sheshi është zgjimi i parë i një populli të lodhur.
Ka çaste kur prania ia kthen njeriut guximin që frika ia kishte marrë.
Ka çaste kur shumë trupa bashkë e bëjnë të dukshme atë që secili vetëm nuk arrinte ta thoshte.
Sheshi nuk është i vogël pse nuk është i mjaftueshëm.
Bëhet i madh kur e di se ka nevojë për më shumë se veten.
Sepse historia nuk është vetëm çast.
Është edhe kohë.
Nuk është vetëm ngjarje.
Është edhe themelim.
Nuk është vetëm zë kundër dikujt.
Është edhe karakter për diçka.
Sheshi hap çastin.
Misioni mban kohën.
Sheshi mund ta çajë portën.
Por jo gjithmonë di çfarë shtëpie duhet ndërtuar pas saj.
Zemërimi mund ta rrëzojë një njeri.
Por jo gjithmonë lind njeriun që duhet ta zëvendësojë pa ia marrë veset.
Prania mund ta thërrasë lirinë.
Por jo gjithmonë di ta ruajë nga pronari i ardhshëm.
Historia ka dy armiq të vjetër.
Pushtetin që e vret me frikë.
Dhe zhurmën që e shkatërron me padurim.
I pari nuk do që njeriu të ngrihet.
E dyta nuk pret që njeriu të piqet.
I pari kërkon heshtje.
E dyta kërkon dorëzim të menjëhershëm në të njëjtën pamje.
Prandaj historia e thellë nuk bëhet vetëm nga ata që dalin në qendër të ngjarjes.
Bëhet edhe nga ata që, në heshtje, ruajnë kuptimin pa të cilin ngjarja mund të tradhtojë veten.
Ka njerëz që nuk largohen nga historia.
Ata largohen nga zhurma për të ruajtur atë që zhurma rrezikon ta humbasë.
Ka njerëz që nuk i shmangen betejës.
Ata ruajnë atë për të cilën beteja ka kuptim.
Ka njerëz që nuk mungojnë nga koha.
Ata nuk pranojnë të maten vetëm me vendin ku i sheh turma.
Njeriu me mision nuk qëndron jashtë zhurmës sepse është më i lartë.
Qëndron aty ku barra e tij nuk mund të kryhet me brohorimë.
Prania publike mund të bëjë ngjarjen.
Njeriu me mision bën kuptimin e saj.
Prania ka forcë.
Misioni ka drejtim.
Prania ka numër.
Misioni ka kujtesë.
Prania ka zemërim.
Misioni ka masë.
Prania ka çast.
Misioni ka kohë.
Kjo nuk është përbuzje ndaj sheshit.
Është mbrojtje e historisë nga thjeshtimi.
Sepse sheshet mund të rrëzojnë një pushtet.
Por jo çdo shesh lind një botë më të drejtë.
Historia njeh sheshe që kanë thirrur lirinë dhe pastaj ia kanë dorëzuar vendin një robërie më të rafinuar.
Njeh trupa të bashkuar që kanë rrëzuar një tiran dhe i kanë hapur rrugën një tjetri.
Njeh brohorima që kanë nisur si revoltë dhe kanë përfunduar si dekor i një pushteti të ri.
Njeh revolucione që kanë premtuar njeriun dhe pastaj kanë prodhuar aparatin.
Njeh ditë të mëdha që, pa njeriun e përgatitur, u bënë vetëm porta për ambicie të vogla.
Historia nuk humbet vetëm kur fiton tirani.
Humbet edhe kur fitorja nuk ka njeriun e duhur për ta mbajtur.
Prania nuk është gjithmonë mision.
Numri nuk është gjithmonë drejtësi.
Zëri nuk është gjithmonë e vërtetë.
Turma nuk është gjithmonë populli.
Dhe populli nuk është gjithmonë sovran vetëm pse është mbledhur në një vend.
Sovraniteti kërkon më shumë se prani.
Kërkon vetëdije.
Kërkon karakter.
Kërkon drejtim moral.
Kërkon ide që nuk treten sapo të mbarojë zhurma.
Kërkon njerëz që nuk jetojnë vetëm për çastin kur sheshi i sheh, por për kohën kur askush nuk i sheh dhe ata prapë ndërtojnë.
Jo çdo njeri që mungon nga qendra mungon nga historia.
Jo çdo heshtje është frikë.
Jo çdo periferi është dorëzim.
Jo çdo vetmi është ikje.
Ka njerëz që i shërbejnë historisë duke u bërë prani.
Ka njerëz që i shërbejnë duke ruajtur drejtimin që prania mund ta humbasë.
Ka njerëz që shërbejnë duke dalë në shesh.
Ka njerëz që shërbejnë duke mbajtur mendimin kur sheshi ndizet.
Ka njerëz që shërbejnë duke ruajtur masën kur masa humbet masën.
Ka njerëz që shërbejnë duke përgatitur gjuhën, idenë, kriterin dhe drejtimin që mund t’i duhet sheshit nesër, kur brohorima të mos mjaftojë më.
Unë nuk jam jashtë historisë pse nuk jam në qendër të zhurmës.
Shërbimi nuk matet me vendin ku të sheh turma, por me barrën që mban kur nuk të sheh askush.
Prandaj nuk pranoj të më gjykojë askush vetëm me pyetjen: “A ishe në shesh?”
Pyetja më e madhe është tjetër:
Çfarë po ndërton?
Çfarë po mbron?
Çfarë nuk po shet?
Çfarë fjale po mban kur të gjithë kërkojnë vetëm pamje?
Çfarë drejtimi po përgatit kur sheshi kërkon vetëm brohorimë?
Çfarë njeriu po bëhesh, që nesër të mos i japësh vendit një pushtet të ri me veset e vjetra?
Unë nuk jam kundër atyre që shkojnë në shesh.
Le të shkojnë.
Le ta bëjnë detyrën e tyre qytetare, ashtu siç e kuptojnë.
Le të ecin, të flasin, të kërkojnë, të kundërshtojnë, të mbajnë barrën e pranisë së tyre.
Por mos më kërkoni ta quaj të vetmen formë të nderit atë që ndodh në shesh.
Mos më kërkoni ta quaj të vetmen formë të guximit atë që shihet nga turma.
Mos më kërkoni ta braktis misionin tim vetëm sepse zhurma e ditës kërkon të gjithë njerëzit në të njëjtën pamje.
Unë kam rrugën time.
Rrugë më të qetë, ndoshta.
Më të vetmuar, ndoshta.
Më pak të dukshme, sigurisht.
Por jo më pak të rëndë.
Sepse Rinisja nuk është vendndodhje.
Është gjendje karakteri.
Rinisja fillon kur njeriu nuk kërkon vendin ku duket më shumë, por vendin ku nuk e tradhton aspak misionin e vetë.
Nuk është parullë.
Nuk është formë politike e çastit.
Nuk është etiketë për t’u vendosur mbi zemërimin e radhës.
Është mision i gjatë i njeriut që nuk pranon të ndërrojë vetëm pronarin e plagës, por kërkon të ndërrojë mënyrën si vendi e kupton veten.
Është lindje e re e karakterit.
Është rindërtim i fjalës.
Është rikthim i dinjitetit.
Është refuzim i nxitimit që e do njeriun vetëm si numër.
Është përgatitje për atë ditë kur vendit nuk do t’i mjaftojë më vetëm të rrëzojë dikë, por do t’i duhet të dijë çfarë njeriu, çfarë mendimi, çfarë morali dhe çfarë rendi do të ngrejë pas tij.
Prandaj, miqtë e mi, unë ju respektoj nëse besoni te protesta.
Ju respektoj nëse besoni te sheshi.
Ju respektoj nëse mendoni se aty po bëhet detyra juaj.
Por kërkoj të njëjtin dinjitet për rrugën time.
Le të bëjë secili shërbimin e vet pa e kthyer shërbimin e vet në polici morale mbi tjetrin.
Ju që besoni te revolta e sheshit, bëjeni të plotë detyrën tuaj atje.
Unë do të bëj timen aty ku më thërret ndërgjegjja ime, në mendim, në fjalë, në mision, në përgatitje, në ndërtimin e asaj Rinisjeje që nuk lind nga zhurma, por nga karakteri.
Disa mungojnë nga sheshi jo sepse i mungojnë historisë, por sepse po ruajnë atë pa të cilën çdo shesh, edhe kur fiton, mund të humbasë, mendimin, masën, karakterin, drejtimin dhe shpirtin.
Arian Galdini





Comments