top of page

Shqiptarizmi!

2d
19 min read

Një filozofi politike e lirisë së trashëgueshme


Nga Arian Galdini


Njeriu lind në një botë që nuk e ka zgjedhur dhe largohet prej saj pa mundur të shohë të gjitha pasojat e asaj që bëri.


Midis këtyre dy kufijve ndodhet liria.


Një emër e pret përpara se të mund ta shqiptojë.


Një gjuhë i ka përgatitur fjalët përpara se ai të dijë se mendimi mund të ketë gjuhë.


E presin një familje, një vend, kujtime, ligje, pasuri, zakone, besime, institucione, mirësi të grumbulluara dhe padrejtësi që mund të jenë më të vjetra se vetë emri i tij.


Dikush ka mbjellë një pemë nën hijen e së cilës ai do të ulet, e në mos ai, ata që vijnë pas tij.


Dikush tjetër ka ngritur një mur që atij do t’i duhet ta shembë.


Ai vjen si trashëgimtar.


Nuk vjen si pronë e trashëgimisë.


Dhe sapo fiton fuqinë për të gjykuar, për të zgjedhur dhe për të vepruar, ndryshon vetë natyra e vendit të tij në botë.


Ajo që deri atëherë vetëm i kishte ardhur, tani kalon edhe përmes tij.


Njeriu bëhet autor i një pjese të jetës së vetë dhe bashkautor i një pjese të kushteve ku do të jetojnë të tjerët.


Kur largohet, nuk largohet më vetëm si trashëgimtar.


Largohet si paraardhës.


Njeriu është trashëgimtar pa qenë pronë e trashëgimisë, autor pa qenë autori i vetëm.


Këtu lind Shqiptarizmi.


Jo te bindja se shqiptarët janë më të mirë se të tjerët.


Jo te frika se hapja ndaj botës do të na tresë.


Jo te dëshira për ta kthyer kombin në një pronar të madh të njerëzve të vegjël.


Pyetja e Shqiptarizmit është më e drejtpërdrejtë:


Si mund të jetojë njeriu si qenie e lirë pa u sjellë sikur asgjë nuk e ka paraprirë, askush nuk e ndan botën me të dhe askush nuk do të vijë pas tij?


Përgjigjja është një filozofi e lirisë që kërkon diçka më shumë se ekzistencën e vet në të tashmen.


Kërkon të jetë e trashëgueshme.


I. Personi dhe Ligji i Mospronësimit


Personi është themeli moral.


Ai formohet në marrëdhënie, por nuk shteron në to.


Gjuha i jep emra botës. Familja i jep kujdesin e parë. Bashkësia i jep kujtesë.


Shteti vendos një pjesë të kushteve brenda të cilave ai mund të veprojë.


Tregu, prona, arsimi, besimi dhe tradita ndikojnë atë që mund të bëhet.


Asnjëra prej tyre nuk e krijon nga e para.


Dhe asnjëra nuk fiton pronësi mbi të.


Prej kësaj rrjedh ligji i parë:


Ajo që merr pjesë në formimin e personit nuk fiton prej kësaj të drejtën ta zotërojë.


Kombi mund ta formojë, por nuk mund t’i pronësojë ndërgjegjen.


Familja mund ta edukojë, por nuk mund t’i kërkojë anulimin e vetvetes.


Shteti mund të kërkojë zbatimin e ligjit, por jo nënshtrimin ndaj vullnetit të sunduesit.


Tradita mund të kërkojë të dëgjohet, nuk mund të kërkojë imunitet nga gjykimi.


Ky është Ligji i Mospronësimit.


Ai ka edhe kahun tjetër.


Personi nuk fiton pronësi absolute mbi botën e përbashkët vetëm sepse është i lirë.


Toka, institucionet, kujtesa, pasuria publike, gjuha dhe kushtet e jetës së brezave të ardhshëm nuk shndërrohen në plaçkë të brezit të sotëm vetëm sepse sot janë nën fuqinë e tij.


As bashkësia pronë mbi njeriun.


As njeriu pronar i pakufishëm mbi të përbashkëtën.


Midis këtyre dy ndalimeve hapet fusha e përgjegjësisë.


II. Dinjiteti para meritës


Dinjiteti nuk është çmim për një jetë të suksesshme.


Është statusi moral që personi ka përpara se të mund të provojë se çfarë është në gjendje të bëjë.


Fëmija e ka përpara autonomisë.


I moshuari nuk e humbet kur varësia e tij rritet.


I varfri nuk ka më pak prej tij se i pasuri.


Njeriu që zgjedh keq nuk bëhet material i përdorshëm nga njerëzit që mendojnë se zgjedhin më mirë.


As kundërshtari politik nuk lë një pjesë të dinjitetit në kutinë e votimit ditën kur humbet.


Dinjiteti vjen përpara meritës sepse vlera njerëzore nuk është shpërblim i meritokracisë.


Pikërisht këtu vendoset kufiri i çdo projekti politik.


Kombi, tregu, shumica, familja, shteti dhe e ardhmja mund të jenë të mira të rëndësishme.


Asnjëra nuk mund ta kthejë personin vetëm në lëndë për realizimin e vetë.


Çdo e mirë ka juridiksion.


Dinjiteti ua cakton kufirin.


Edhe Shqiptarizmi do të pushonte së qenuri besnik ndaj vetes në çastin kur, për të ruajtur emrin e vet, do të kërkonte nënshtrimin e njeriut.


III. Liria si autorësi


Njeriu nuk e shkruan faqen e parë të jetës së vetë.


Por nuk duhet të dënohet të mbetet personazh në një libër që e shkruajnë të tjerët.


Liria është mundësia reale për të marrë pjesë në autorësinë e jetës së vetë.


Ajo kërkon njëkohësisht të drejtën për të zgjedhur, kushtet e mjaftueshme për ta ushtruar zgjedhjen dhe mbrojtjen nga një fuqi që mund t’ia anulojë atë sipas dëshirës.


Prandaj liria juridike është e domosdoshme, por jo e mjaftueshme.


Një qytetar mund të votojë dhe të dijë se puna e tij varet nga vota.


Një pronar mund të ketë certifikatë pronësie dhe ta dijë se përdorimi i saj pret telefonatën e të fortit.


Një punëtor mund të jetë i lirë të largohet, ndërsa alternativa e vetme reale është rrënimi.


Në këto raste pyetja:


A mund të thuash jo?


nuk mjafton.


Duhet pyetur:


Kush e cakton çmimin e jo-së tënde?


Sepse sundimi nuk shfaqet gjithmonë si urdhër.


Ndonjëherë shfaqet si mungesë alternative.


IV. Pragu i Pvarësisë


Pikërisht këtu E Djathta Humane ndryshon pyetjen shoqërore.


Nuk pyet sa duhet t’i jepet njeriut që të jetë i kënaqur.


Pyet çfarë duhet të ketë që mosbindja e tij të jetë e mundshme.


Ky është Pragu i Pavarësisë.


Ai nuk është shifër e përjetshme dhe as premtim për barazi pasurie.


Është gjendja nën të cilën mungesa e burimeve, e dijes, e mbrojtjes juridike apo e mundësive reale e bën personin strukturisht të ekspozuar ndaj atij që kontrollon bukën, punën, lejen, strehën apo daljen e tij.


Pragu ka disa përmasa.


Siguria e personit dhe pronës.


Arsimi dhe aftësitë pa të cilat zgjedhja ekonomike bëhet fjalë boshe.


Qasja reale në drejtësi.


Mundësia për të lëvizur ndërmjet punëve, vendeve dhe marrëdhënieve.


Një bazë materiale që pengon varfërinë të shndërrohet në mjet për blerjen e bindjes.


Këto nuk krijojnë të drejtë për jetë pa rrezik.


Krijojnë një dysheme nga e cila rreziku mund të merret pa humbur personi autorësinë mbi vetveten.


Por edhe ky parim ka kufirin e tij.


Nëse shteti bëhet pronari i jetës së njeriut për ta çliruar nga pronari privat, asgjë thelbësore nuk është zgjidhur.


Nëse ndihma ndërton vartësi të përhershme, pavarësia është zëvendësuar nga klientela.


Nëse pavarësia e sotme financohet duke hipotekuar të ardhmen e njerëzve që nuk mund të votojnë ende, politika ka shkelur vetë arsyen me të cilën u justifikua.


Prandaj Pragu i Pavarësisë mbahet mes dy kufijve, askush aq i dobët sa të detyrohet të shesë “jo”-në e vetë, askush aq i fuqishëm prej ndihmës sa të fitojë pronësi mbi të.


V. Prej nga lind përgjegjësia


Përkatësia nuk është kontratë.


Të lindësh shqiptar nuk do të thotë se i detyrohesh çdo urdhri që lëshohet në emër të shqiptarëve.


Edhe përfitimi nuk mjafton.


Mund të përfitojmë prej një rendi të padrejtë.


As ndërvarësia nuk është vetvetiu e mirë.


Njerëzit mund të lidhen fort edhe brenda një marrëdhënieje shtypëse.


Për këtë arsye Shqiptarizmi nuk e nxjerr përgjegjësinë nga përkatësia e zhveshur.


Ai dallon tri burime.


Riparimi lidhet me padrejtësinë që vazhdon të prodhojë pasoja dhe me fuqinë tonë për ta ndrequr.


Mirëmbajtja lidhet me një të mirë të përbashkët, të vlefshme e të brishtë, që do të humbiste po të mos mbahej edhe prej nesh.


Kontributi lidhet me rendet e bashkëpunimit prej të cilave përfitojmë dhe barrën e të cilave nuk mund t’ua lëmë përherë të tjerëve.


Asnjëra nuk është absolute.


Dhe asnjë marrëdhënie nuk prodhon detyrim pozitiv vetëm sepse është e vjetër, afër ose “e jona”.


Ajo duhet të kalojë tri prova, të mos mohojë dinjitetin e barabartë, të mos kërkojë sundimin e njërit mbi tjetrin dhe të mbajë një të mirë njerëzore që meriton të ruhet ose të riparohet.


Kështu përkatësia bëhet moralisht e rëndësishme vetëm kur merr trajtën e një marrëdhënieje njerëzore me pasoja reale.


VI. Kur të mirat përplasen


Një teori bëhet serioze jo kur di të emërtojë të mirat, por kur di çfarë të bëjë kur ato nuk mund të ruhen të gjitha njëherësh.


Shqiptarizmi nuk pretendon se çdo konflikt zgjidhet me një formulë mekanike.


Vendos, megjithatë, një rend arsyetimi.


Dinjiteti është pragu i parë.


Dy njerëz me interesa të kundërta kanë të njëjtin status moral.


Asnjëri nuk mund të shndërrohet thjesht në mjet të tjetrit.


Mospronësimi është pragu i dytë.


Zgjidhja duhet të shmangë krijimin e një fuqie që e lë njërën palë nën vullnetin e pakontrolluar të tjetrës.


Pakthyeshmëria rëndon barrën e provës.


Sa më i vështirë të jetë korrigjimi i një vendimi, aq më shumë arsye kërkohen për ta marrë.


Mjeti më pak sundues ka përparësi.


Kur dy mënyra mund të arrijnë një të mirë të krahasueshme, parapëlqehet ajo që i lë personit më shumë autorësi dhe shoqërisë më shumë mundësi korrigjimi.


Kostoja nuk zhduket nga morali.


Një detyrim që kërkon shkatërrimin e pakufishëm të jetës së njërit për një përfitim të vogël të tjetrit humbet përpjesëtimin.


Ky rend nuk prodhon gjithmonë një përgjigje të vetme.


Por i ndalon përgjigjet e pandershme.


Dhe i kërkon pushtetit të tregojë jo vetëm çfarë synon, por edhe pse kostoja, kufizimi dhe rreziku që imponon janë të justifikueshme.


VII. Kujdestaria


Bota e trashëguar nuk është as relike, as plaçkë.


Është një botë mbi të cilën brezi ynë ka fuqi të përkohshme.


Këtë përgjegjësi Shqiptarizmi e quan Kujdestari.


Kujdestaria kërkon të kuptojë përpara se të ruajë dhe përpara se të shembë.


Një institucion mund të jetë i vjetër dhe i drejtë.


Mund të jetë i vjetër dhe mizor.


Mund të jetë i papërsosur dhe, megjithatë, të kryejë një funksion që reformatori nuk e ka parë.


Për këtë arsye:


Tradita ka peshë dëshmie, jo imunitet moral.


Kohëzgjatja nuk provon drejtësi.


Por as risia nuk provon urtësi.


Konservatorizmi i Shqiptarizmit nuk është bindje ndaj së djeshmes, është disiplinë ndaj kufirit të dijes sonë.


Kjo e mbron nga dy mendjemadhësi, nga besimi se çdo gjë e vjetër është e shenjtë dhe nga bindja se çdo gjë që nuk e kuptojmë është e panevojshme.


VIII. Dalëzotësia


Dalëzotësia lind kur neutraliteti pushon së qenuri paanësi dhe bëhet emri i hijshëm i braktisjes.


Por cenimi i tjetrit nuk i jep askujt pronësi mbi shpëtimin e tij.


Për këtë arsye Dalëzotësia kërkon cenim me peshë, pamundësi të mjaftueshme për vetëmbrojtje, aftësi reale për të ndihmuar, kosto të përpjesëtuar dhe respekt për vullnetin e atij që mbrohet.


Pëlqimi është norma.


Përjashtimi kërkon arsye më të fortë pikërisht sepse mungon pëlqimi.


Qëllimi nuk është një njeri i mbrojtur përgjithmonë.


Është një njeri që mund të mbrojë përsëri veten.


Dalëzotësia e përmbush veten kur bëhet e panevojshme.


Kjo e çon konceptin edhe përtej ndihmës së çastit.


Një shoqëri mund të prodhojë pambrojtje pa pasur një agresor të vetëm.


Rregulla, tregje, institucione dhe klientela mund të grumbullohen derisa njerëzit të varen nga shpëtimtari.


Në atë pikë Dalëzotësia politike nuk pyet vetëm kë duhet të ndihmojë.


Pyet se çfarë duhet ndryshuar që ndihma të mos shndërrohet në profesion të përhershëm të pushtetit.


IX. Prindërimi


Prindërimi është përgjegjësia ndaj atyre që mungojnë nga dhoma ku merret vendimi.


Të ardhurit nuk votojnë për borxhin që marrim.


Nuk e kundërshtojnë sot shkollën që boshatisim.


Nuk mund ta ndalojnë dëmtimin e institucionit që do t’u duhet nesër.


Dhe vendimet tona mund të ndikojnë jo vetëm mbi kushtet e jetës së tyre, por edhe mbi faktin se cilët njerëz do të ekzistojnë.


Drejtësia ndërbreznore e njeh si themelore pikërisht këtë asimetri të fuqisë mes të tashmes dhe së ardhmes, si edhe vështirësinë e të ashtuquajturit problem të mosidentitetit.


Prandaj Shqiptarizmi nuk e mbështet Prindërimin vetëm te ideja e dëmit ndaj një personi të identifikueshëm.


Ai mbron kushtet e një lirie njerëzore të denjë.


Çdo brez ua ngushton pasardhësve disa mundësi dhe u hap të tjera.


Kjo është e pashmangshme.


Padrejtësia fillon kur, për një dobi të shmangshme të së tashmes, konsumohen rëndë ose në mënyrë të pakthyeshme kushtet pa të cilat liria e së ardhmes zvogëlohet në mënyrë thelbësore.


Këtu peshohen madhësia e humbjes, pakthyeshmëria, ekzistenca e alternativave më pak dëmtuese dhe pasiguria jonë mbi nevojat e atyre që do të vijnë.


Sa më pak i kthyeshëm vendimi, aq më e rëndë barra e arsyetimit.


Brezi i sotëm nuk ka detyrë t’u lërë fëmijëve botën që do të dëshironte për ta.


Ka detyrë të mos ua mbyllë pa nevojë botët që ata mund të zgjedhin vetë.


Kjo është prova e Prindërimit:


A u lamë mjaftueshëm liri që të mos kenë nevojë të bëhen si ne?


X. Rrathët e përgjegjësisë


Dinjiteti nuk ka shkallë.


Përgjegjësia mund të ketë dendësi.


Dendësia nuk përcaktohet thjesht nga gjaku, harta apo flamuri.


Ajo rritet me ndërvarësinë, cenueshmërinë, përgjegjësinë shkakësore, reciprocitetin, të mirat e mbajtura bashkë dhe fuqinë që njëra palë ushtron mbi kushtet e tjetrës.


Për këtë arsye detyrimi i një prindi ndaj fëmijës së vetë ka një dendësi që nuk mund të bartet mekanikisht te bashkëkombësi.


Bashkëqytetaria prodhon detyrime institucionale të një lloji tjetër.


Bashkësia kombëtare mund të prodhojë përgjegjësi gjuhësore, kulturore e historike.


Asnjëra prej tyre nuk e ndryshon statusin moral të njeriut që mbetet jashtë rrethit.


Prej këtej del:


Afërsia mund ta dendësojë përgjegjësinë, nuk mund ta hollojë dinjitetin e të largëtit.


Kështu është e mundur të duash tëndin pa pasur nevojë të zvogëlosh tjetrin.


XI. Kombëtarizmi pa pronësi


Kombi nuk është një njeri i madh me një ndërgjegje të vetme.


Është marrëdhënie historike e dendur mes njerëzish.


Gjuha, kujtesa, kultura, vendi, arti, përvojat e përbashkëta, institucionet dhe solidaritetet mund t’i japin kësaj marrëdhënieje peshë morale.


Jo epërsi.


Kombi nuk prodhon njerëz me vlerë të posaçme.


Prodhon detyrime të posaçme.


Ky është Kombëtarizmi i Shqiptarizmit.


Ai vendoset nën tri kufizime.


Kombi formon pa zotëruar personin.


Detyrimi kombëtar duhet të justifikohet nga marrëdhënia reale dhe jo vetëm nga fjala “i yni”.


Dhe vetë kombi gjykohet nga ajo që ua lë njerëzve që do ta trashëgojnë.


Kjo i jep Kombëtarizmit një masë që nuk e merr nga vetëlavdërimi.


E merr nga përgjegjësia.


Për shqiptarët ruhet një ndarje po aq e domosdoshme:


Kombi krijon afërsi.


Shteti ushtron juridiksion.


Lidhja kombëtare mund të kalojë kufij në gjuhë, kujtesë, kulturë e solidaritet.


Nga kjo nuk rrjedh automatikisht e drejta për pushtet mbi territorin, shtetin apo qytetarin tjetër.


Kjo është disiplina që e mban ndjenjën kombëtare brenda lirisë.


XII. Pushteti pa pronar


Politika nuk mund ta zhdukë pushtetin.


Mund ta bëjë të kufizueshëm, të kundërshtueshëm dhe të humbshëm.


Republikanizmi bashkëkohor e lidh lirinë pikërisht me pavarësinë nga pushteti arbitrar ose i pakontrolluar.


Shqiptarizmi e merr seriozisht këtë intuitë dhe i shton kohën.


Republika është pushtet pa pronar.


Fituesi merr mandat.


Nuk merr shtetin.


Shumica qeveris.


Nuk bëhet pronare e qytetarisë së pakicës.


Udhëheqësi vendos brenda mandatit.


Nuk bëhet burim i së drejtës.


Pushteti duhet të ketë arsye, autoriteti mandat, mandati kufi, kufiri kontroll, kontrolli mundësi reale pasoje.


Por institucionet duhet t’ia dorëzojnë brezit tjetër edhe vetë mundësinë e këtij kontrolli.


Prandaj Kushtetuta nuk është vetëm gardh kundër sunduesit të sotëm.


Është një mënyrë për të mos e lënë sunduesin e nesërm të fillojë historinë nga zero.


Në këtë kuptim Republika është një nga format kryesore të lirisë së trashëgueshme.


XIII. Dalja, zëri dhe kundërshtimi


Largimi nuk është forma e vetme e lirisë.


Njeriu mund të ketë nevojë të qëndrojë dhe të kërkojë ndryshim.


Prandaj mbrojtja nga sundimi ka tri rrugë.


Dalja i jep mundësi të shkëputet nga një marrëdhënie.


Zëri i jep mundësi ta kundërshtojë pa qenë i detyruar ta braktisë.


Kundërshtimi institucional kërkon që zëri të mund të hyjë në një procedurë ku pushteti mund të detyrohet të përgjigjet, vendimi të ndryshojë dhe abuzimi të ketë pasojë.


Një treg pa dalje krijon robëri ekonomike.


Një bashkësi pa zë ngurtësohet.


Një shtet ku kundërshtimi është i ligjshëm por i pafuqishëm mund të mbajë formën e Republikës duke humbur një pjesë të përmbajtjes së saj.


Liria kërkon jo vetëm derën për të ikur.


Kërkon edhe të drejtën për të qëndruar pa u gjunjëzuar.


XIV. Prona dhe trashëgimia e sundimit


Prona është territor pavarësie.


Pikërisht për këtë mbrohet.


Por një doktrinë që mbron trashëgiminë duhet të përballojë pyetjen që i dhemb më shumë:


A mund të trashëgohet pasuria deri në atë pikë sa të trashëgohet edhe sundimi?


Familja ka arsye të forta për t’u lënë fëmijëve frytin e punës, kursimit dhe krijimit të vetë.


Por fëmija nuk mund të trashëgojë nga Prindërimi një të drejtë për t’u bërë pronar i lirisë së njerëzve të tjerë.


Prej këtej del një përfundim i domosdoshëm:


Shqiptarizmi mbron trashëgiminë e pronës, nuk mbron trashëgiminë e sundimit.


Vija nuk kalon te një shumë arbitrare pasurie.


Kalon aty ku pasuria kthehet në kontroll të pakundërshtueshëm mbi tregun, daljen, institucionin ose pushtetin politik të të tjerëve.


Prandaj përgjigjja e Shqiptarizmit nuk është konfiskimi.


Është konkurrenca, ligji i përgjithshëm, transparenca, ndalimi i kapjes së shtetit dhe kufizimi i përqendrimit që e kthen pronën nga mbrojtëse e pavarësisë në instrument sundimi.


Prona është e drejtë.


Sundimi nuk trashëgon imunitetin e saj.


XV. Drejtësia e pavarësisë


E Djathta Humane nuk e mat drejtësinë me barazinë e pasurive.


E mat së pari me barazinë e statusit dhe me ekzistencën e kushteve që e bëjnë lirinë të jetueshme.


Një person është poshtë Pragut të Pavarësisë kur dobësia e tij juridike, ekonomike, arsimore ose institucionale e bën strukturisht të ekspozuar ndaj blerjes së bindjes.


Pragu nuk është një numër.


Është shumëpërmasor.


Dhe jo çdo mungesë mund të kompensohet nga një tepricë diku tjetër.


Pasuria nuk e zëvendëson drejtësinë.


Arsimi nuk e kompenson një sistem ku prona mund të merret sipas vullnetit.


Siguria materiale nuk e bën njeriun politikisht të lirë nëse fjala kundër pushtetit i kushton të ardhmen.


Për këtë arsye disa përmasa janë themele, jo mallra të këmbyeshme.


Përtej tyre, pabarazitë mund të ekzistojnë.


Një rend i lirë lejon diferenca të mëdha të prodhuara nga talenti, zgjedhja, sipërmarrja, risku, puna dhe fati.


Por pabarazia humbet pafajësinë politike kur bëhet sundim.


Kështu drejtësia e Shqiptarizmit nuk pyet nëse njerëzit kanë njësoj.


Pyet nëse ndonjëri ka rënë aq poshtë sa një tjetër mund t’ia blejë lirinë, ose është ngritur aq lart sa mund t’ia caktojë lirinë të tjerëve.


XVI. E Djathta Humane


Këtu merr trajtë e Djathta Humane.


Ajo mbron pronën sepse pa pronë dhe siguri njeriu bëhet më i varur.


Mbron tregun sepse vendimmarrja e shpërndarë është më pak e cenueshme nga një qendër e vetme.


Mbron sipërmarrjen sepse krijimi është formë autorësie.


Mbron familjen sepse kujdesi, detyrimi dhe trashëgimia nuk mund të zëvendësohen plotësisht nga administrata.


Mbron përgjegjësinë individuale sepse liria pa pasojë bëhet privilegj.


Dhe mbron një shtet të fuqishëm në të drejtën, por të përmbajtur në pretendimin mbi jetën.


Nuk është një e majtë egalitare, sepse nuk kërkon barazimin e përfundimeve.


Nuk është as një libertarianizëm ku firma nën kontratë e mbyll çdo pyetje morale.


Një kontratë mund të jetë formalisht vullnetare dhe të ndodhë brenda kushteve ku njëra palë zotëron pothuaj të gjitha daljet e tjetrës.


Pyetja themelore mbetet:


A është personi ende autor real i jetës së vetë?


Prandaj një politikë shoqërore mund të jetë e djathtë kur synon pavarësinë dhe jo administrimin e përhershëm të qytetarit.


Dhe një politikë që quhet pro-tregut mund të jetë kundër lirisë kur prodhon pronarë të daljes.


Këtu emri politik gjykohet nga funksioni.


XVII. Aftësia Kombëtare


Shqiptarizmi nuk e mat fuqinë kombëtare me madhësinë e aparatit.


Një shtet mund të jetë shumë i aftë për të urdhëruar dhe qytetarët e tij shumë pak të aftë për të jetuar pa lejen e tij.


Kjo nuk është fuqi kombëtare.


Është fuqi e përqendruar.


Aftësia Kombëtare është cilësia e një rendi për ta bërë lirinë reale, për ta mbrojtur nga sundimi dhe për t’i ruajtur kushtet e saj në kohë.


Ajo ka vetëm tri fusha themelore.


Aftësia personore, çfarë mund të bëhet realisht njeriu?


Aftësia republikane, sa e sigurt është liria e tij nga vullneti arbitrar?


Aftësia ndërbreznore, sa nga kushtet e kësaj lirie po ruhen?


Demografia, kultura, teknologjia, arsimi, ekonomia dhe siguria nuk kanë nevojë të shtohen si dimensione të tjera.


Ato ndikojnë këto tri.


Kështu koncepti mbetet i kthjellët.


Dhe prodhon një përfundim të fortë, një vend mund të pasurohet duke u dobësuar.


Nëse të ardhurat rriten ndërsa arsimi zbrazet, konkurrenca mbyllet, institucionet kapen dhe brezi tjetër trashëgon më pak mundësi për të zgjedhur, bilanci ekonomik mund të jetë pozitiv ndërsa bilanci i lirisë është negativ.


Aftësia Kombëtare kërkon të shohë të dyja.


XVIII. Pesë provat


Shqiptarizmi duhet të jetë në gjendje t’u përgjigjet kundërshtarëve pa ua shtrembëruar argumentin.


Kundërshtimi libertarian thotë se Pragu i Pavarësisë mund ta përdorë pronën e njërit si mjet për lirinë e tjetrit.


Përgjigjja e Shqiptarizmit është se prona vetë mbrohet pikërisht si strukturë pavarësie, kufizimi i saj kërkon ligj të përgjithshëm, përpjesëtim, parashikueshmëri dhe lidhje të drejtpërdrejtë me ruajtjen e pavarësisë e të konkurrencës.


Një politikë që shkatërron bazën e pronës për të financuar pavarësinë do të shkatërronte një pjesë të asaj që pretendon të ndërtojë.


Kundërshtimi egalitar pyet pse drejtësia duhet të ndalet te pragu.


Përgjigjja është se pabarazia nuk është në vetvete sundim.


Shqiptarizmi mbron barazinë e statusit dhe pavarësinë reale, përtej tyre, pluralizmi i zgjedhjeve, talenteve, riskut dhe pasojave ka vlerë pikërisht sepse njerëzit janë autorë, jo produkte që duhet të dalin me përmasa të njëjta.


Kundërshtimi kozmopolit pyet pse vendlindja duhet të krijojë detyrim.


Përgjigjja është, nuk krijon vetvetiu.


Detyrimi kombëtar mbështetet te marrëdhëniet reale, të mirat e mbajtura bashkë, reciprociteti, cenueshmëria dhe historia e përbashkët, edhe atëherë, rrethi kombëtar nuk mund të shkelë dyshemenë universale të dinjitetit.


Kundërshtimi republikan vëren se shumëçka këtu mund të shpjegohet me mosdominimin.


Shqiptarizmi pranon borxhin ndaj kësaj ideje.


Shtesa e tij është se liria shqyrtohet edhe në kohë, jo vetëm nëse njeriu ka zot sot, por nëse mënyra jonë e jetesës po ndërton pronarë për njerëzit e nesërm.


Mosdominimi bëhet ndërbreznor.


Kundërshtimi ndërbreznor pyet pse nevojitet “liria e trashëgueshme” dhe jo vetëm një teori e drejtësisë për të ardhmen.


Përgjigjja është se Shqiptarizmi nuk synon të maksimizojë një përfytyrim tonin të mirëqenies së pasardhësve.


Mbron diçka më të përmbajtur, kushtet e tyre për autorësi, kundërshtim dhe rishkrim të botës që u lëmë.


Drejtësia ndaj së ardhmes shfaqet këtu si ruajtje e mundësisë së saj për të mos na bindur.


Ky është vendi ku teoria ose qëndron, ose thyhet.


XIX. Përfundimet që nuk janë të rehatshme


Një sistem i vërtetë duhet t’i imponojë edhe autorit përfundime që mund të mos i kishte zgjedhur përpara se ta ndërtonte.


Shqiptarizmi prodhon të paktën këto:


Një politikë tradicionale mund të jetë antikonservatore kur ruan formën dhe shkatërron të mirën njerëzore që ajo formë kishte për detyrë të mbronte.


Një politikë nacionaliste mund të jetë antishqiptariste kur, në emër të kombit, zvogëlon lirinë e shqiptarëve.


Një politikë shoqërore mund të jetë politikë e djathtë kur e nxjerr personin nga varësia dhe është e ndërtuar që vetë nevoja për të tërhiqet bashkë me varësinë.


Një treg mund të jetë ligjërisht i lirë dhe politikisht sundues kur dalja, alternativa dhe konkurrenca janë vetëm formale.


Një trashëgimi pronësore mund të jetë e ligjshme dhe megjithatë të kërkojë kufizim institucional, nëse transmeton sundim dhe jo vetëm pasuri.


Një shumicë demokratike mund të ushtrojë pushtet jorepublikan nëse ndërton institucione që e bëjnë humbjen e saj praktikisht të pamundur.


Një brez mund të jetë më i pasur dhe më pak i lirë se paraardhësi i vetë.


Një brez mund të jetë vetë i lirë dhe njëkohësisht të jetë duke konsumuar lirinë e brezit tjetër.


Një shtet mund të bëhet më i fuqishëm ndërsa kombi bëhet më pak i aftë, nëse qytetari është çmimi i fuqizimit të tij.


Këtu teoria fillon të prodhojë pasoja që nuk janë thjesht përmbledhje e premisave të huazuara.


XX. Perëndimi pa idhuj


Orientimi properëndimor nuk është aksiomë universale e Shqiptarizmit.


Është zgjedhje shqiptare e argumentuar.


Në rendin juridik të Bashkimit Europian, dinjiteti njerëzor, liria, demokracia, barazia, shteti i së drejtës dhe të drejtat e njeriut janë vlera themeluese të shpallura shprehimisht në nenin 2 të Traktatit për Bashkimin Europian.


Traktati i Atlantikut të Veriut e lidh aleancën me demokracinë, lirinë individuale dhe sundimin e ligjit.


Kjo nuk e shndërron historinë perëndimore në histori pafajësie.


As nuk e bën çdo politikë të një shteti perëndimor mishërim të këtyre parimeve.


Shqiptarizmi nuk kërkon një mik të pagabueshëm.


Kërkon aleancë me rende ku kundërshtimi i pushtetit, ndryshimi i qeverisë dhe korrigjimi institucional kanë hapësirë të ligjshme.


Properëndimorizmi është, prandaj, aleancë nën gjykim.


Miku nuk bëhet zot.


Aleanca nuk e pezullon ndërgjegjen.


Dhe shqiptari nuk ka pse të bëhet më pak shqiptar për t’u bërë më europian.


Ai ka një provë më të vështirë, ta bëjë shqiptarinë e vetë të pajtueshme me lirinë që pretendon se zgjedh.


XXI. Prova e kundërt


Shqiptarizmi duhet të jetë më i rrezikshëm për abuzuesin që përdor emrin e tij sesa për kundërshtarin që e kritikon.


Kombëtarizmi korruptohet kur detyrimin e kthen në epërsi.


Kujdestaria kur të shkuarës i jep veto mbi të ardhmen.


Dalëzotësia kur ia merr zërin atij që pretendon se mbron.


Prindërimi kur të ardhmen e përdor për t’i imponuar bindje të tashmes.


Prona kur shndërrohet në sundim.


Tregu kur pronëson daljen.


Politika shoqërore kur ndërton klientë.


Republika kur fiton pronar.


Properëndimorizmi kur prodhon adhurues në vend të aleatëve.


Aftësia Kombëtare kur njeriu sakrifikohet për tabelën e rezultateve.


Dhe Shqiptarizmi pushon së qeni vetvetja në çastin kur fjala shqiptar përdoret si certifikatë morale.


Një politikë mund të mbajë shqiponjën dhe të jetë e padrejtë.


Mund të flasë shqip dhe të varfërojë lirinë.


Mund të thërrasë kombin dhe të ndërtojë vartësi.


Atëherë simboli nuk e mbron nga gjykimi.


Bëhet dëshmitari kundër saj.


XXII. Rendi i së vërtetës


Jo çdo pohim i kësaj filozofie ka të njëjtën natyrë.


Dhe për këtë arsye nuk ka të njëjtën provë.


Aksiomat morale flasin për dinjitetin, mospronësimin dhe faktin se asnjë brez nuk është pronar absolut i së ardhmes.


Parimet normative përfshijnë Kujdestarinë, Dalëzotësinë, Prindërimin, Rrathët e Përgjegjësisë, Pragun e Pavarësisë dhe kufizimin e sundimit.


Zgjedhjet institucionale marrin trajtën e pronës së sigurt, konkurrencës, ndarjes dhe kontrollit të pushtetit, shtetit të aftë por të kufizuar, daljes, zërit dhe kundërshtimit.


Hipotezat empirike pyesin nëse këto institucione japin vërtet rezultatet që teoria pret.


Gjykimet historike u përkasin vendeve dhe kohëve konkrete dhe duhet të provohen me burime të atyre vendeve e kohëve.


Kështu filozofia i njeh kufirin e vetë.


Nuk mat me metaforë atë që kërkon të dhëna.


Dhe empirikja nuk fiton autoritet moral vetëm sepse ka tabelë.


E vërteta nuk bëhet më e fortë kur morali maskohet si statistikë apo statistika si moral.


XXIII. Liria e trashëgueshme


Tani nocioni qendror mund të thuhet pa asnjë zbukurim:


Liria e trashëgueshme është aftësia e një rendi për t’i dhënë personit autorësi reale mbi jetën e vetë, për ta mbrojtur nga sundimi arbitrar dhe për t’i ruajtur kushtet e kësaj lirie në kohë, pa ia diktuar brezit pasues mënyrën se si duhet ta përdorë.


Liria nuk trashëgohet si bindje.


Trashëgohet si mundësi.


Republika nuk trashëgohet duke ruajtur sunduesin.


Trashëgohet duke ruajtur mundësinë për ta larguar.


Gjuha nuk trashëgohet duke ndaluar fjalën e re.


Trashëgohet duke mbetur aq e gjallë sa brezi tjetër të mund të thotë me të gjëra që ne nuk i kemi menduar.


Prona nuk trashëgohet drejt kur bashkë me shtëpinë i dorëzohet fëmijës një pushtet që ua mbyll të tjerëve derën.


Familja nuk vazhdon duke prodhuar kopjen e prindit.


Vazhdon kur fëmija ka rrënjë mjaftueshëm të forta për të mos pasur frikë nga rruga që prindi nuk e njeh.


Edhe kombi trashëgohet kështu.


Me kujtesë të mjaftueshme për të mos humbur veten.


Me liri të mjaftueshme për të mos u dënuar të mbetet përgjithmonë vetvetja e djeshme.


XXIV. Neni themeltar


Nëse e gjithë vepra do të humbiste dhe prej saj do të shpëtonte vetëm një paragraf, Shqiptarizmi duhet të mund të rindërtohej prej tij:


Njeriu është qenie me dinjitet që nuk varet nga merita, e formuar por jo e zotëruar nga marrëdhëniet që e paraprijnë, e aftë të marrë pjesë në autorësinë e jetës së vetë dhe njëkohësisht bartëse e fuqisë për të ndryshuar kushtet e jetës së të tjerëve dhe fushën e lirisë së atyre që do të vijnë.


Për këtë arsye liria e tij nuk është as vetmi, as sundim, as pronësi mbi botën, është autorësi nën kufirin e dinjitetit, përgjegjësi e përpjesëtuar me marrëdhënien, cenueshmërinë dhe fuqinë, dhe detyrim për t’u lënë pasardhësve jo bindjen ndaj nesh, por kushtet reale për të qenë aq të lirë sa të na kundërshtojnë.


Ky është njeriu i Shqiptarizmit.


Nuk thotë se nuk i detyrohet askujt.


Nuk pranon as se i përket dikujt.


Thotë:


Kam marrë.

Zgjedh.

Ndikoj.

Prandaj përgjigjem.


XXV. Shqiptarizmi


Shqiptarizmi nuk i premton shqiptarit madhështi.


I jep një masë për ta gjykuar veten.


Nuk i thotë se prejardhja e bën më të mirë.


I thotë se ajo që quan të vetën e ngarkon me më shumë përgjegjësi për mënyrën si e lë.


Nuk i kërkon të ruajë gjithçka.


I kërkon të dijë çfarë po humbet përpara se ta flakë dhe kë po dëmton përpara se ta ruajë.


Nuk i kërkon një shtet të gjithëfuqishëm.


I kërkon një Republikë ku fuqia nuk fiton pronar.


Nuk i kërkon një treg të shenjtë.


I kërkon një treg ku liria nuk kthehet në privilegjin e atij që zotëron të gjitha daljet.


Nuk i kërkon një shtet social që e mban qytetarin përgjithmonë në dorë.


I kërkon një prag prej të cilit qytetari mund të ngrihet vetë.


Nuk i kërkon të adhurojë Perëndimin.


I kërkon të ketë dinjitetin e një aleati.


Dhe nuk i kërkon pasardhësit të jetë vazhdimi ynë.


Kjo do të ishte një trashëgimi e frikësuar.


I kërkon brezit tonë diçka shumë më të vështirë, të duam atë që po lëmë aq shumë, sa të mos kemi nevojë ta zotërojmë edhe pasi të mos jemi më këtu.


Njeriu nuk është fillimi i botës.


As fundi i saj.


Për pak kohë, një pjesë e saj kalon nëpër duart e tij, një fëmijë, një shtëpi, një arë, një zanat, një ndërmarrje, një institucion, një gjuhë, një mandat, një vend.


Ndoshta prova më e rëndë e lirisë nuk është sa shumë prej tyre arrijmë të marrim.


Është ajo që, megjithëse kemi fuqinë ta konsumojmë, vendosim të mos e konsumojmë.


Liria nuk na e jep botën në pronësi.


Na e beson për një kohë.


Dhe njeriu i Shqiptarizmit, pa ia dorëzuar askujt autorësinë e jetës së vetë, mund të shohë atë që mban në duar dhe të thotë:


Kjo nuk filloi me mua.

Nuk do të përfundojë me mua.

Por për mënyrën si kalon përmes meje, përgjigjem unë.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page