Si mundet Edi Rama?

Vota që nuk ka pronar
Nga Arian Galdini
“Me paqe nuk rrëzohet. Me dhunë jo. Atëherë si?”
Duke ia hequr frikës fuqinë të vendosë në vend të qytetarit.
Të dielën, pas perdes së votimit, ai është sovran.
Të hënën, përballë drejtorit që i firmos kontratën, mund të ndihet përsëri vartës.
Fleta është e fshehtë, buka e fëmijëve jo.
Prandaj zemërimi në shesh nuk mjafton.
Ky është Çmimi i Jo-së, unë mund të humbas vota për bindjet e mia, qytetari nuk duhet të humbasë punën për të vetat.
Nuk mund t’i kërkojmë guximin dhe t’ia lëmë vetëm rrezikun.
Propozoj Mburojën e Jo-së, ndihmë ligjore kundër ndëshkimit arbitrar, prova të ruajtura në siguri dhe solidaritet me të goditurit.
Financimi bëhet publik, identiteti i denoncuesit mbrohet.
Ndihmën e përcaktojnë profesionistë të pavarur, jo drejtues partie.
Mburoja nuk zëvendëson gjykatat, kërkon që ato të bëjnë detyrën.
Por prova më e vështirë vjen kur një qytetar thotë: “E kam votuar Ramën. Mund ta votoj përsëri.”
Nëse i është shkelur një e drejtë, duhet ta mbrojmë njësoj.
Pa fotografi propagandistike.
Pa listë votuesish.
Pa faturë mirënjohjeje.
Vota që nuk i shitet frikës nuk duhet të blihet me mirënjohje.
Mburoja nuk mbledh vota.
E Djathta e Dinjitetit duhet ta fitojë shumicën veçmas, me program, organizim dhe aftësi për të qeverisur.
Kjo është rruga për ta mundur politikisht Edi Ramën, jo për të trashëguar klientelën e tij.
Sepse, nëse pas fitores sonë qytetari duhet t’i lutet fituesit për punën, kemi ndryshuar vetëm adresën e frikës.
Republika fillon atje ku as vota, as buka e qytetarit nuk kanë pronar.




Comments